Mickoski u takua me Orbanin, biseduan për forcimin e bashkëpunimit ekonomik

Kryeministri Hristijan Mickoski informoi se mëngjesin e sotëm ka pasur takim me kolegun e tij hungarez Viktor Orban në kuadër të samitit maqedono-hungarez në Budapest, transmeton Portalb.mk. “Diskutuam për çështje kyçe me interes të përbashkët, për forcimin e bashkëpunimit ekonomik, investimet, energjetikën, infrastrukturën dhe perspektivën evropiane të Maqedonisë”, shkruan Mickoski në një postim në Facebook. […]

Mars 4, 2025 - 19:00
 0  5
Mickoski u takua me Orbanin, biseduan për forcimin e bashkëpunimit ekonomik
Viktor Orban dhe Hristijan Mickoski. Samitit maqedono-hungarez në Budapest. Foto: Qeveria e Maqedonisë së Veriut

Kryeministri Hristijan Mickoski informoi se mëngjesin e sotëm ka pasur takim me kolegun e tij hungarez Viktor Orban në kuadër të samitit maqedono-hungarez në Budapest, transmeton Portalb.mk.

“Diskutuam për çështje kyçe me interes të përbashkët, për forcimin e bashkëpunimit ekonomik, investimet, energjetikën, infrastrukturën dhe perspektivën evropiane të Maqedonisë”, shkruan Mickoski në një postim në Facebook.

Kryeministri dhe delegacioni qeveritar që ai drejton janë pritur mëngjesin e sotëm në pllajën e pallatit mbretëror nga kryeministri hungarez Viktor Orbán. Delegacioni u prit me intonimin e himnit kombëtar të Maqedonisë dhe Hungarisë, me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake.

Pas takimit tete a tete te dy kryeministrave u mbajt seanca e përbashkët plenare e dy qeverive. Pas përfundimit të saj, Mickoski dhe Orban po mbajnë konferencë të përbashkët për media.

Kujtojmë se Kuvendi i RMV-së më 11 shtator 2024 votoi huamarrjen në vlerë prej 500 milionë eurove nga Hungaria.

Kompanitë në vend do të mund të shfrytëzojnë 250 milionë euro nga kredia hungareze.

Bëhet fjalë për kredi prej 500 milionë eurove nga Hungaria me normë interesi prej 3,25 përqind, me periudhë të pagesës prej 15 vjet, gjegjësisht grejs periudhë e përfshirë prej tre viteve. Ato të holla do të hyjnë si mjete në buxhet, prej nga 250 milionë euro do të orientohen drejt Bankës Zhvillimore, ndërsa ajo përmes bankave komerciale duhet t’i plasojë në sektorin privat për investime, ndërsa 250 milionë eurot e tjera janë të dedikuara për projekte infrastrukturore, gjegjësisht për financim të komunave.