Kaosi fillon prej para komunës, nuk ka zgjidhje për tollovitë në trafikun e Tetovës

Pavarësisht se u premtua se që nga kjo javë do të ketë kontrolle dhe aktivitete të intensifikuara në komunikacionin e Tetovës, situata në terren mbetet e pandryshuar. Kaosi në trafik fillon që prej para ndërtesës së Komunës së Tetovës ku veturat parkohen në vende që nuk janë për parkim, shkruan Portalb.mk.  Të shtunën (1 mars) […]

Mars 4, 2025 - 19:00
 0  4
Kaosi fillon prej para komunës, nuk ka zgjidhje për tollovitë në trafikun e Tetovës
Vetura të parkuara para Komunës së Tetovës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Pavarësisht se u premtua se që nga kjo javë do të ketë kontrolle dhe aktivitete të intensifikuara në komunikacionin e Tetovës, situata në terren mbetet e pandryshuar. Kaosi në trafik fillon që prej para ndërtesës së Komunës së Tetovës ku veturat parkohen në vende që nuk janë për parkim, shkruan Portalb.mk. 

Të shtunën (1 mars) po nga Komuna e Tetovës ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski tha se nga kjo javë do të ketë aktivitete të intensifikuara në trafik.

“Nga java e ardhshme, policia, në koordinim me “shërbimin merimangë” të Tetovës dhe komunën, do të fillojë një aksion që duhet të rezultojë me rezultate pozitive për të gjithë qytetarët e Tetovës”, pati thënë Toshkovski. 

Megjithatë në terren nuk vërehen ndryshime në këto dy ditë, situata mbetet e njëjtë, tollovi ka gjithandej.

Për këtë e pyetëm kryetarin e Komunës së Tetovës gjatë brifingut të sotëm me gazetarët. 

“Nga ky takim do t’i drejtohem kryeshefit të SPB Tetovë të shoh se deri ku është plani operativ të cilin duhet ai duhet ta përgatisë për të vepruar në drejtim të instruksioneve që i dha vetë ministri”, tha Bilall Kasami.

Përndryshe, zgjidhje konkrete për kaosin në trafik në Tetovë nuk ka me vite. Problem mbetet mungesa e vendeve të parkimit si dhe parkimi vend e pa vend i qytetarëve dhe shpesh mos marrja e masave ndaj tyre. Autoritetet pavarësisht se me vite të tëra kanë premtuar, zgjidhje nuk kanë siguruar.