Migracioni illegal ka shënuar rënie në RMV, BE-ja mund të ndihmojë gjatë një krize në të ardhmen
Misioni Frontex në muajt e fundit e ka zvogëluar numrin e emigrantëve ilegal në vendin tonë, ndërsa puna e përbashkët e Agjencisë Evropiane të Rojës Kufitare dhe Bregdetare (Frontex) dhe autoriteteve të Maqedonisë së Veriut në periudhën e ardhshme mund të ndihmojë në menaxhimin e valëve më të mëdha të emigrantëve në të ardhmen duke […]
Misioni Frontex në muajt e fundit e ka zvogëluar numrin e emigrantëve ilegal në vendin tonë, ndërsa puna e përbashkët e Agjencisë Evropiane të Rojës Kufitare dhe Bregdetare (Frontex) dhe autoriteteve të Maqedonisë së Veriut në periudhën e ardhshme mund të ndihmojë në menaxhimin e valëve më të mëdha të emigrantëve në të ardhmen duke mbrojtur kundër kalimeve ilegale të kufijve të vendit dhe parandalimin e aktiviteteve të kontrabandimit. Ekspertët nga Maqedonia janë decidë se përfitimi nga misioni i Frontex-it në Maqedoni është më i madh se çfarë do pasoje negative, shkruan EU.mk, transmeton Portalb.mk.
Operacionet e Frontex-it në Maqedoninë e Veriut filluan në prill të vitit 2023. Qëllimi i misionit të Frontex-it në Maqedoni është që të ndihmojë në përforcimin e kapaciteteve për kontrollin e kufijve, si dhe të sigurojë harmonizim me standardet evropiane për sigurinë dhe menaxhimin e migracionit. Agjencia Frontex është përgjegjëse në nivel evropian për mbështetjen e shteteve anëtare dhe kandidatëve për anëtarësim në BE në menaxhimin e kufijve të tyre të jashtëm.
Profesori Toni Mileski nga Instituti për Siguri, Mbrojtje dhe Paqe në Fakultetin Filozofik pranë UKM-së është decid se nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet Frontex-it dhe vendit tonë fillimisht kishte konotacion politik, ndërsa pas kësaj është bërë e mundur të bëhet një hap drejt përforcimit të sigurisë dhe përmirësimit të kapaciteteve të shërbimeve kufitare në Maqedoni.
“Konteksti politik reflektohet në faktin që bashkëpunimi me Frontex-in është një element i rëndësishëm i bashkëpunimit mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Për Maqedoninë është tejet e rëndësishme që nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit u bë me heqjen e vetos shumëvjeçare nga ana e Bullgarisë. Konteksti i sigurisë është veçanërisht i rëndësishëm për shkak të kontrollit të fluksit të emigrantëve, trajtimit të krimit ndërkufitar si kontrabandimi me emigrantë, trafikimi i qenieve njerëzore dhe terrorizmi”, thotë profesor Mileski.
Ai shton se Frontex-i ndihmon në sigurimin e trajnimeve, mbështetjes teknike dhe patrullimeve të përbashkëta, gjë që duhet të kontribuojnë për një përballje më efikase të sfidave të migracionit, veçanërisht përgjatë të ashtuquajturës “ruta ballkanike”.
“Duhet theksuar edhe se ka edhe një komponent kritik që ka të bëjë me bashkëpunimin me Agjencinë. Rezervimi buron sidomos nga mundësia që Maqedonia të pozicionohet si një “zonë tampon” për emigrantët që tentojnë të arrijnë në BE. Nëse përshkallëzohen situatat e tilla mund të kontribuojnë për presione sociale, ekonomike dhe politike ndaj vendit”, thotë ai.
Sipas tij parandalimi i migrimit ilegal dhe suksesi i Frontex-it në rajonin e Ballkanit Perëndimor, përfshirë këtu edhe në Maqedoni, varet nga disa faktorë.
“E para, bashkëpunimi do jetë i suksesshëm vetëm nëse ka bashkëpunim të ngushtë me shërbimet kufitare të Maqedonisë. Kjo do të nënkuptojë ndihmë përmes patrullimeve të përbashkëta, shkëmbimit të informacionit dhe mbështetjes teknike. Kështu, nëpërmjet aftësisë së institucioneve lokale t’i implementojnë masat e nevojshme, të rritet efikasiteti operacional. E dyta, migrimi ilegal paraqet një fenomen kompleks, shpesh i nxitur nga luftërat, paqëndrueshmëria politike ose varfëria. Prandaj, Frontex-i nuk mund ta parandalojë plotësisht migrimin ilegal sepse arsyet kryesore për shfaqjen e tij janë jashtë kontrollit të Agjencisë”, thotë Mileski.
Me Frontex-in duhet kërkuar dhe duhet pritur sukses në reduktimin e migracionit të paligjshëm përmes përforcimit të kufirit dhe përmes identifikimit të kontrabandistëve të emigrantëve dhe trafikantëve të qenieve njerëzore.
“Për ta përmirësuar parandalimin e migracionit ilegal duhet të krijohen strategji afatgjate që do t’i referohen shkaqeve të migrimit përmes një bashkëpunimi me institucionet e tjera evropiane dhe nga vendet nga vijnë emigrantët. Duke pasur parasysh se shumica e dokumenteve strategjike të BE-së e sigurojnë migrimin, duhet të sigurohet një ekuilibër midis sigurisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Gjithashtu nevojitet edhe një transparencë më e madhe në kryerjen e operacioneve të Frontex-it me qëllim që të evitohen akuzat për abuzim, siç është zbatimi i forcës së tepruar”, sqaron ai.
Frontex-i ka për qëllim që të mundësojë mbështetje operacionale në menaxhimin e kufijve të Maqedonisë së Veriut “duke i respektuar plotësisht të drejtat themelore” bazuar në një marrëveshje të miratuar nga ligjvënësit e BE-së më 15 shkurt të vitit 2023. Frontex-i i ka alokuar ekipet e tij për tu ofruar mbështetje autoriteteve të Maqedonisë së Veriut në menaxhimin e emigrantëve në kufijtë e vendit, i cili shtrihet në të ashtuquajturën “rutë ballkanike” që e përdorin emigrantët për të kaluar nga Evropa juglindore në Evropën perëndimore.
Sipas të dhënave nga Frontex-i në vitin 2021, për dallim nga një vit më parë, kalimet e parregullta kufitare përgjatë rutës ballkanike “janë rritur për më shumë se dy herë” me gjithsej 61.735 raste të kalimeve të zbuluara, ndërsa në vitin 2022 janë regjistruar gjithsej 330.000 kalime, që sipas Frontex-it ka qenë numri më i lartë i regjistruar që nga viti 2016. Frontex-i erdhi në vendin tonë një vit më vonë.
Sipas tekstit të Marrëveshjes së nënshkruar mes Frontex-it dhe autoriteteve në Maqedoninë e Veriut, “personeli duhet t’i respektojë plotësisht të drejtat themelore, përfshirë këtu edhe qasjen në procedurat për azil dhe dinjitetin njerëzor dhe t’u kushtojë vëmendje të veçantë grupeve të cenueshme”. Për të siguruar këtë në propozim është përcaktuar se duhet të ketë një zyrë të Frontex-it që do të jetë përgjegjëse për monitorimin e të drejtave të njeriut. Marrëveshja mes BE-së dhe Maqedonisë së Veriut nuk është marrëveshja e parë që ka për qëllim ta zgjerojë praninë e Frontex-it në vende të treta me zona të ndjeshme në aspektin e rutave të lëvizjes së emigrantëve, siç është Ballkani Perëndimor.
Kufijtë stabil nënkuptojnë investime të huaja dhe siguri
Për përfitimet që ka vendi me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje profesori Mileski thotë se ato kanë të bëjnë me burimet, pajisjet dhe ekspertizën shtesë që shërbimet kufitare në Maqedoni e fitojnë nga ky bashkëpunim.
“Duhet përmendur në veçanti përkrahja e Frontex-it në realizimin e trajnimeve dhe detyrave në fushën e punës kufitare. Këtu duhet veçuar patrullimi, mbikëqyrja e kufirit shtetëror, identifikimi i kategorive të personave të cenueshëm, ekspertët për zbulimin e dokumenteve të falsifikuara, krimet që kanë të bëjnë me automjetet etj. Në këtë mënyrë rritet profesionalizmi i shërbimeve kufitare dhe aftësia e tyre për të vepruar”, thotë profesori Mileski.
Ai shton se përfitim është edhe pozicionimi i vendit si partner i besueshëm i BE-së.
“Një kufi stabil mund të ketë edhe efekte ekonomike, gjegjësisht mund të nxisë besimin ekonomik dhe investimet e huaja”, thotë profesori Mileski.
Nga ana tjetër duhen përmendur edhe pasojat e mundshme negative të nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje.
“Si efekte negative të marrëveshjes me Frontex-in mund të veçohen këto: roli mbresëlënës i Maqedonisë si “zonë tampon” që do të shërbejë për mbajtjen e emigrantëve para hyrjes në BE. Kjo situatë mund të shkaktojë presion ndaj infrastrukturës kritike të Maqedonisë”, paralajmëron Mileski.
Ai thekson se edhe pse marrëveshja është mbi bazë vullnetare dhe nënkupton bashkëpunim me autoritetet lokale, ka edhe këndvështrime që tregojnë se prania e Frontex-it mund të konsiderohet rrezik për sovranitetin e vendit, sepse në territorin e tij veprojnë forca të huaja.
“Në atë kontekst ekziston edhe rreziku që ka të bëjë me përdorimin e tepruar të forcës apo injorimin e të drejtave të emigrantëve, gjë që do të shkaktonte kritika ndërkombëtare ndaj Maqedonisë. Në përgjithësi mbështetja nga Frontex-i është e mirëseardhur, por nëse shteti bëhet shumë i varur nga ajo mbështetje, ekziston rreziku i minimizimit të investimeve në përforcimin e pavarur të kapaciteteve vetanake”, thotë ai.
Shifrat në uebfaqen zyrtare të Frontex-it tregojnë se në dhjetëmujorin e parë të vitit 2024 është shënuar një rënie prej 43% në numrin e kalimeve ilegale të kufijve të BE-së. Evidente është rënia, madje për 80%, e migracionit ilegal përmes rutës së Ballkanit Perëndimor.
“Këto konstatime tregojnë dhe konfirmojnë se situata është relativisht stabile. Por nëse vjen deri në përkeqësimin e situatës, sipas marrëveshjes me “Frontex”-in, ekziston mundësia që të intervenohet duke e rritur numrin e anëtarëve që do të patrullojnë përgjatë kufijve të Maqedonisë”, sqaron Mileski.
Sipas profesorit Tërpe Stojanovski nga Fakulteti i Sigurisë pranë Universitetit të Manastirit “Sh. Kliment Ohridski”, nëse në vendin tonë përsëri ndodhin valë migrimi si ato në vitin 2015, Frontex-i do të luajë një rol kyç.
“Frontex-i është i pranishëm pikërisht për ta parandaluar migrimin ilegal dhe përshkallëzimin e mundshëm në kufij. Në rast se ndodhin valë të tilla, prania e Frontex-it në masë të madhe do të ndihmojë që fillimisht të njihen realisht ato rreziqe, të merret informacion nga terreni dhe sigurisht që strategjia e Frontex-it është që ta ndihmojë vendin tonë të kontribuojë për një zbatim më të mirë të asaj strategjie e cila është globale dhe nëse ajo strategji është e suksesshme kjo do të nënkuptojë sukses edhe për vendin tonë”, thotë profesori Stojanovski.
Ai sqaron se Frontex-i ndihmon shumë në kontrollin dhe menaxhimin e flukseve të migrimit dhe se asnjë vend nuk mund ta parandalojë plotësisht migrimin sepse ky nuk është qëllimi.
“Frontex-i ka një qasje strategjike dhe unike që fillon që nga kufiri midis Turqisë dhe vendeve anëtare të BE-së si Bullgaria dhe Greqia. Informacioni dhe ekspertiza e tyre është e dobishme edhe për policinë tonë kufitare. Frontex-i e përmirëson ndjeshëm performancën e çdo vendi, përfshirë këtu edhe vendin tonë, kur kemi të bëjmë me migracionin ilegal”, shton ai.
Prania e Frontex-it i parandaloi përpjekjet për kalim ilegal
Alokimi i anëtarëve të Frontex-it në vendin tonë është një mbështetje e rëndësishme për Ministrinë e Punëve të Brendshme të Maqedonisë (MPB).
“Kjo marrëveshje nënkupton mbikëqyrje të zgjeruar të kufirit shtetëror, sidomos në kontekstin e sfidave më të gjera rajonale që kanë të bëjnë me krizën e migrantëve dhe lëvizjet e përziera ilegale të migracionit në përgjithësi. Kuptohet se kontrolli i shtuar dhe ndalimi i lëvizjeve migrative ilegale është një interes i përbashkët për Republikën e Maqedonisë së Veriut, por edhe për BE-në, në kuadër të së cilit është themeluar dhe funksionon Frontex-i”, thanë nga MPB-ja.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme në periudhën janar-shtator të vitit 2024 janë parandaluar 4.294 tentativa për kalim ilegal, për dallim nga viti 2023 kur ky numër ka qenë 10.949, që do të thotë se ka një rënie prej 60.8%.
Nga MPB-ja sqarojnë se spektri i aktiviteteve me të cilat anëtarët e Frontex-it ofrojnë mbështetje për pjesëtarët e policisë sonë kufitare është i gjerë, që përfshin aktivitete si: kryerja e patrullimeve të përbashkëta për mbikëqyrje të kufijve, mbështetje në zbatimin e kontrolleve në pikat kufitare, mbështetje në procedurat e regjistrimit dhe profilizimit të migrantëve, shkëmbimi i të dhënave statistikore dhe monitorimi i flukseve aktuale të migracionit në kontekstin rajonal, zbatimi i trajnimeve të ndryshme për nevojat e punonjësve të policisë dhe mbështetje nëpërmjet mjeteve moderne teknike për kontroll dhe mbikëqyrje të kufijve.
Bashkëpunimi i MPB-së me Frontex-in është i një rëndësie jashtëzakonisht pozitive për pjesëtarët e policisë kufitare.
“Bashkëpunimi i ndërsjellë do të thotë që të dyja palët të kenë mundësi të ndajnë dhe shkëmbejnë njohuri dhe aftësi, punë reciproke në terren me stafin e Frontex-it dhe kështu të informohen vazhdimisht, të njihen me njëri-tjetrin dhe t’i zbatojnë praktikat më të mira dhe më moderne të punës në fushën e punës policore kufitare”, sqarojnë nga MPB-ja.
Puna intensive e përbashkët u tregua efikase
Kënaqësia është e tejet madhe edhe nga vetë Agjencia Frontex, nga ku për Eurothink thonë se bashkëpunimi me Maqedoninë e Veriut është i jashtëzakonshëm.
“Që nga nënshkrimi i Marrëveshjes për statusin e Frontex-it përpjekjet tona të përbashkëta kanë treguar se sa mund ta përmirësojë menaxhimin dhe sigurinë e kufirit një bashkëpunim efektiv. Oficerët e Frontex-it punojnë krah për krah me autoritetet lokale duke shkëmbyer njohuri, aftësi dhe praktika më të mira. Ky partneritet e thekson angazhimin tonë të përbashkët për ruajtjen e sigurisë së kufijve dhe të mirëmenaxhimit duke respektuar të drejtat themelore. Prania jonë e ka përforcuar sigurinë kufitare të vendit”, thanë nga Frontex-i.
Nëpërmjet punës së përbashkët është përforcuar mbikëqyrja dhe është rritur kapaciteti për zbulimin e hershëm, që do të thotë një luftë efektive ndaj krimit ndërkufitar.
“Për përmirësime të mëtejshme e inkurajojmë Maqedoninë e Veriut që të vazhdojë të investojë në teknologjitë moderne dhe ndërtimin e kapaciteteve për rojet kufitare, të dyja fushat ku Frontex-i mbetet një partner i gatshëm dhe mbështetës. Maqedonia e Veriut është proaktive dhe e zellshme në përpjekjet e saj për t’i luftuar rrjetet e kontrabandimit. Në bashkëpunim të ngushtë me Frontex-in dhe vendet fqinje është bërë një përparim i rëndësishëm në ndërprerjen e këtyre rrjeteve. Vigjilenca e vazhdueshme dhe bashkëpunimi rajonal janë çelësi për ruajtjen dhe avancimin e këtyre arritjeve”, sqarojnë nga atje.
Për momentin Frontex-i po vendos një ekip të dedikuar prej mbi 100 oficerësh në Maqedoninë e Veriut të pajisur me mjetet dhe burimet më të reja për t’i mbështetur operacionet e përbashkëta.
“E përderisa numri specifik ndryshon në varësi të nevojave operacionale, ekipet tona janë të shkallëzueshme. Nëse situata përgjatë rutës ballkanike ndryshon Frontex-i ka kapacitet për t’u përshtatur duke rritur stafin dhe burimet e tij për t’u përballur shpejt dhe në mënyrë efektive me sfidat e reja”, shtojnë nga Agjencia.
Misioni i Frontex-it shtrihet përtej sigurimit të kufijve të vendit. Këtu bëhet fjalë për nxitje të bashkëpunimit, ruajtje të dinjitetit njerëzor dhe sigurim që kufijtë e përbashkët të mbeten të sigurt, të hapur dhe të mirëmenaxhuar.
- LEXO: Maqedonia e Veriut i bashkohet Rrjetit evropian të migracionit në Bashkimin Evropian
- LEXO: RMV, duhen më shumë burime dhe sistem menaxhimi për lëvizjet e parregullta të migrantëve ilegal (Infografik)
- LEXO: FRONTEX: 31% më pak migrantë të parregullt në Ballkanin Perëndimor në vitin 2023
- LEXO: Bie 64% migrimi parregullt në Ballkanin Perëndimor