Minçev thotë se nuk ka grupe pune për Ligjin për përfaqësim të drejtë, Snopçe e demanton: Ministri madje është përfaqësues i ZNAM-it

Ekzistojnë dy mundësi që pjesa e përfaqësimit të drejtë të implementohet në ligje. E para është në projektligjin për nëpunësit administrativë, projektligji për të punësuarit në sektorin publik dhe projektligji për zhvillimin profesional dhe aftësimin e nëpunësve administrativë që janë në shqyrtim, dhe i dyti është që të shkohet me një zgjidhje të veçantë ligjore […]

tetor 28, 2024 - 22:01
 0  5
Minçev thotë se nuk ka grupe pune për Ligjin për përfaqësim të drejtë, Snopçe e demanton: Ministri madje është përfaqësues i ZNAM-it
Ministri i Administratës Publike Goran Minçev. Foto: Ministria e Administratës

Ekzistojnë dy mundësi që pjesa e përfaqësimit të drejtë të implementohet në ligje. E para është në projektligjin për nëpunësit administrativë, projektligji për të punësuarit në sektorin publik dhe projektligji për zhvillimin profesional dhe aftësimin e nëpunësve administrativë që janë në shqyrtim, dhe i dyti është që të shkohet me një zgjidhje të veçantë ligjore e cila do të shqyrtohet në Kuvend, tha ministri i Administratës Publike Goran Minçev. Ai madje nuk është në dijeni se janë formuar grupe pune për ligjin për përfaqësim të drejtë, nga ana tjetër Snopçe thotë se Minçev është madje anëtar i grupit punues, raporton Portalb.mk.

Deklarata e ministrit vjen pasi koalicioni “VLEN”, partner i VMRO-DPMNE-së në Qeveri, njoftoi se është duke hartuar një ligj për përfaqësim të drejtë pasi Gjykata Kushtetuese hoqi përdorimin e të ashtuquajturit “balancues”, mjet nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit, përmes së cilës është bërë punësimi i bashkësive etnike.

Minçev tha se ende nuk e ka parë draft versionin e koalicionit “VLEN”.

“Jo, ende nuk është formuar grupi i punës, por jam i sigurt se Qeveria ka kapacitet dhe mundësi politike për të arritur një zgjidhje serioze, sistematike dhe cilësore. Nuk ka nevojë për nxitim. Duhet të kemi durim sepse kemi pasur edhe situata kur nga viti 2001 deri në vitin 2015 nuk ka pasur “balancues”, por është zbatuar kategoria kushtetuese, përfaqësimi i drejtë i bashkësive etnike. Pra, duhet të vijmë deri te një zgjidhje serioze që të mos gjendemi më në këtë situatë, e ajo është që Gjykata Kushtetuese të shfuqizojë disa nene apo dispozita nga zgjidhja e mundshme ligjore”, tha Minçev.

Nga ana tjetër deputeti i VLEN-it, Halil Snopçe demanton ministrin, duke thënë se tashmë ekzistojnë grupet e punës për ligji në fjalë, ku madje ministri është përfaqësues i ZNAM-it.

“Dëshiroj të demantoj ministrin nëse ka thënë një gjë të tillë, nuk e kam dëgjuar – grup i tillë i punës ekziston dhe përbëhet nga përfaqësues të koalicionit VLEN, VMRO-DPMNE-së dhe ZNAM. Përfaqësues i ZNAM-it është vet ministri, z. Minçev dhe deri më tani ai grup pune ka mbajtur dy takime”, potencoi Halil Snopçe nga koalicioni VLEN.

Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash vendosi për shfuqizimin e instrumentit Balancues, i cili deri tani ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore. Pas këtij vendimi, për punësimet në administratën publike nuk do të mbahet llogari për përkatësinë etnike.

Lënda për shfuqizimin e tij u hap pas një iniciative të dorëzuar nga përbërja e vjetër e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) më 11 janar 2024, sepse me të bëhen abuzime gjatë punësimit.

Vendimi për shfuqizimin balancuesit i përplasi partitë politike në vendFronti Evropian e quajt këtë vendim të motivuar politikisht dhe në kundërshtim me Marrëveshjen e Ohrit. Koalicioni VLEN nga ana tjetër tha se këtë instrument do ta zëvendësojnë me një Ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat.
Nga Delegacioni i BE-së në Shkup thanë se e presin zëvendësimin e “Balancuesit” duke e theksuar rëndësinë e zbatimit të vazhdueshëm të Marrëveshjes së Ohrit.