RMV, kërkohet përgjegjësi për Hristovskin, Antikorrupsioni është vënë në lëvizje

LSDM-ja opozitare i bën thirrje ministrit të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovskit, që të paraqesë kallëzim penal kundër Bojan Hristovskit, drejtor i Agjencisë për Siguri Kombëtare (ASK), për veprën penale “Përdorimi i dokumentit me përmbajtje të pavërtetë”, nga neni 380 i Kodit Penal. Partia pret gjithashtu që Prokuroria Publike të kryejë hetim transparent që “do […]

tetor 28, 2024 - 22:02
 0  7
RMV, kërkohet përgjegjësi për Hristovskin, Antikorrupsioni është vënë në lëvizje
Drejtori i ri i Agjencisë për Siguri Kombëtare (ASK), Bojan Hristovski / Foto: Printscreen

LSDM-ja opozitare i bën thirrje ministrit të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovskit, që të paraqesë kallëzim penal kundër Bojan Hristovskit, drejtor i Agjencisë për Siguri Kombëtare (ASK), për veprën penale “Përdorimi i dokumentit me përmbajtje të pavërtetë”, nga neni 380 i Kodit Penal. Partia pret gjithashtu që Prokuroria Publike të kryejë hetim transparent që “do të përcaktojë saktë dhe paanshëm përgjegjësinë për skandalin”, transmeton Portalb.mk.

“Duhet të ketë përgjegjësi. Ky është një nga skandalet më të rënda që cenon sistemin e sigurisë në vendin tonë dhe duhet të zbardhet plotësisht”, tha zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska.

Thirrja vjen pasi Bojan Hristovski, sipas partisë, ka dorëzuar certifikatën TOEFL nga Plovdivi i Bullgarisë, ku nuk ka fare qendër testimi TOEFL.

“Hristovski nuk ka certifikatë të njohur ndërkombëtarisht për njohjen e gjuhës angleze, por ka përdorur dokument të falsifikuar. Është shkelje e ligjit dhe vepër penale që sjell përgjegjësi”, tha partia opozitare.

Portali bullgar “Faktor” këtë fundjavë ka raportuar se në adresat në Plovdiv nuk ka shkollë të tillë gjuhësore, ku drejtori i ri i ASK-së pretendon se ka marrë certifikatën TOEFL. Julia Co.LTD dikur ndodhej atje, por tani zyra është e mbyllur dhe punon online. Në një bisedë telefonike, personi që i është përgjigjur numrit të publikuar në broshurë ka thënë se kompania nuk lëshon certifikata TOEFL dhe nuk ofron trajnime për marrjen e një certifikate të tillë.

Më 16 tetor, kryeministri Hristijan Mickoski emëroi Hristovskin drejtor të ri të shërbimit të sigurisë ASK. Që atëherë, ka pasur një sërë dyshimesh nëse Hristovski i plotëson kushtet dhe dokumentet e nevojshme ligjore për të zënë këtë post të rëndësishëm. Një nga pyetjet e ngritura është nëse drejtori i ri i shërbimeve sekrete maqedonase mund të ketë paraqitur certifikatë false të gjuhës angleze.

Në një intervistë për “360 Gradë” më 24 tetor të këtij viti, Bojan Hristovski ka deklaruar se provimin e ka dhënë në Plovdiv sepse ishte mënyra më e shpejtë për të marrë një certifikatë të njohur ndërkombëtarisht për njohjen e gjuhës angleze sipas sistemit TOEFL iBT, sepse atje ishte një datë e hapur provimi.

Kryeministri Mickoski këtë fundjavë njoftoi se do të kërkojë përgjegjësi nga drejtori i Agjencisë për Siguri Kombëtare, Bojan Hristovski, vetëm nëse ndonjë institucion përkatës konstaton lëshime në emërimin e tij në këtë pozitë.

“I vetmi autoritet që duhet të përcaktojë nëse janë plotësuar ato kushte është Komisioni Kundër Korrupsionit, të cilit i bëj thirrje që të hetojë shpejt këtë rast. Le ta vendosë këtë çështje në korsinë e shpejtë si prioritet të parë. Jam i bindur se i plotëson kërkesat. A do të lejonim diçka e tillë të ndodhë?. Dokumenti është lëshuar që nga viti 2022, nëse ka ekzistuar apo jo ajo Agjenci në ndërkohë është një pyetje krejtësisht tjetër”, tha Mickoski të dielën (27 tetor).

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) hapi rast më 22 tetor pasi mori një ankesë anonime që kundërshtonte ligjshmërinë e emërimit të tij. Nga Prokuroria për DW thonë se do të presin zgjidhjen në Komisionin Kundër Korrupsionit, i cili aktualisht disponon të gjitha dokumentet lidhur me rastin.

“KSHPK ka prioritet në procedurë. Duke qenë se bëhet fjalë për zyrtarë, ata janë kompetent për të kontrolluar procedurën për emërimin e tij. Prokuroria do të veprojë sipas kompetencave ligjore menjëherë pas përfundimit të asaj procedure në Prokurori”, kanë thënë nga Prokuroria Publike.