Ministri Filkov konsideron se duhet “rifreskim” në Komisionin për falje në RMV
Konsideroj se ndoshta është koha për një “rifreskim” në Komisionin për falje, tha sot ministri i Drejtësisë Igor Filkov, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në kuadër të vendimit të fundit për faljen e të dënuarve nga presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, e cila këto ditë shkaktoi një valë reagimesh në opinionin politik dhe publikut të gjerë, […]
Konsideroj se ndoshta është koha për një “rifreskim” në Komisionin për falje, tha sot ministri i Drejtësisë Igor Filkov, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në kuadër të vendimit të fundit për faljen e të dënuarve nga presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, e cila këto ditë shkaktoi një valë reagimesh në opinionin politik dhe publikut të gjerë, transmeton Portalb.mk.
I pyetur për qëndrimin e tij lidhur me vendimet e fundit për falje, dhe në kuadër të departamentit që ai drejton, Filkov thotë se Ministria e Drejtësisë nuk fal, por vetëm rekomandon uljen e dënimit të të dënuarit nga një në gjashtë muaj dhe më pas shkon te presidenti i shtetit, pra te Komisioni i faljes.
“Ne kemi një anëtar dhe për të qenë i qartë, ai nuk ka të drejtë vote. Për shkak të të gjitha ngjarjeve në 24 orët e fundit, dua të përmend një gjë shumë të rëndësishme – Instituti i faljes është një gjë shumë e rëndësishme në vend. Nuk duhet të lejojmë që të bëhemi objekt i lojërave dhe zënkave ditore politike, ndërsa neve kjo na ndodh”, tha ministri i Drejtësisë, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.
I pyetur nëse si ministri do të kërkojë anulimin e vendimit për falje, Filkov thotë:
“Nuk mund ta kërkoj. Aty është neni 11 që është shumë i qartë dhe që thotë se kush çfarë mund të bëjë. Ajo që unë mendoj si ministër i Drejtësisë është se ndoshta ka ardhur koha për një rifreskim në Komisionin për falje”.
Kujtojmë se presidentja e vendit, Gordana Siljanovska-Davkova dje pasdite ka thirrur në takim gjashtë anëtarët e Komisionit për Falje, i cili vjen pas reagimeve që shkaktuan në opinion disa prej emrave që ishin në listën e të falurve në me rastin e festës 23 Tetori – Ditës së Luftës Revolucionare Maqedonase.
Takimi vjen edhe pas arrestimit të djeshëm të Akif Ravmanoskit, njërit prej personave të falur nga Siljanovska-Davkova, për të cilin mediat raportojnë se është një nga liderët e grupit kriminal “Baron”.
Dje, dy ditë pas shpalljes së vendimit për faljen e tij në “Gazetën Zyrtare”, duke dalë nga burgu “Idrizovë”, ai ishte sërish i dyshuar për një vepër tjetër të kryer dhjetë ditë më parë, përkatësisht përfshirjen në një incident të armatosur në lagjen Çair.