Ministri Murtezani nënshkroi kërkesën për para-financim: 52 milionë euro do të vijnë nga BE

Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, pas autorizimit të djeshëm në seancën e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, sot nënshkroi kërkesën për para-financim prej 7% në kuadër të Agjendës Reformuese të vendit. Me dërgimin e kësaj kërkese në vlerë prej 52,5 milionë euro, Maqedonia e Veriut bëhet vendi i parë në rajon që […]

Nëntor 13, 2024 - 18:00
 0  5
Ministri Murtezani nënshkroi kërkesën për para-financim: 52 milionë euro do të vijnë nga BE
Komisioni Evropian, foto nga Portalb.mk

Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, pas autorizimit të djeshëm në seancën e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, sot nënshkroi kërkesën për para-financim prej 7% në kuadër të Agjendës Reformuese të vendit. Me dërgimin e kësaj kërkese në vlerë prej 52,5 milionë euro, Maqedonia e Veriut bëhet vendi i parë në rajon që ndërmerr të gjithë hapat e nevojshëm për para-financim në kuadër të mekanizmit të ri financiar evropian, transmeton Portalb.mk.

“Bashkimi Evropian siguron shtatë përqind nga mjetet e përgjithshme nga Plani i rritjes të Komisionit Evropian për të gjithë partnerët nga Ballkani Perëndimor, pas miratimit të Agjendave të tyre reformuese, duke ju siguruar mjete si para-financim. Ky program financiar, me vlerë prej gjashtë miliardë eurosh, i përfshin vitet 2024-2027 dhe ka për qëllim të dyfishojë rritjen ekonomike të rajonit në dhjetë vitet e ardhshme”, njoftojnë nga Ministria për Çështje Evropiane.

Agjenda e reformës e Maqedonisë së Veriut u miratua më 23 tetor 2024 nga Komisioni Evropian, e njëjta është e orientuar drejt adresimit të sfidave thelbësore që pengojnë konvergjencën socio-ekonomike të vendit me Bashkimin Evropian (BE). Nga e njëjta, varet edhe lëshimi i parave, fonde të BE-së, për vendin tonë.

Ndryshe, Ministria për Çështje Evropiane po zhvillohen një platformë online, e cila do të sigurojë transparencë të plotë në implementimin e Agjendës Reformuese. Kjo platformë do të mundësojë qasje të drejtpërdrejtë të qytetarëve dhe grupeve të interesit në informacionet për reformat, datat e ekzekutimit dhe projektet përkatëse. Lista dhe hapat e implementimit do të jenë të disponueshëm në mënyrë të vazhdueshme për publikun. Edhe pse nuk është përcaktuar ende një datë e saktë, Murtezani siguron se puna për ndërtimin e platformës është në proces dhe ajo do të jetë e gatshme sa më shpejt të jetë e mundur.

Plani për Rritje për Ballkanin Perëndimor prej 6 miliardë eurosh u miratua nga Komisioni Evropian me 8 nëntor 2023. Ai bazohet në katër shtylla: forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së; forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal; përshpejtimi i reformave fundamentale dhe rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat.

Në prill dhe maj 2024, Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së ranë dakord që vendet e Ballkanit Perëndimor të marrin 6 miliardë euro nga Brukseli, dy miliard do të jenë para pa kthim, ndërsa tjerat në formë të kredive.

750 milionë euro janë të destinuara për Maqedoninë e Veriut, kurse kësti i parë do të jetë shtatë përqind, përkatësisht 52.5 milionë euro.