Ministri Orhan Murtezani prezantoi Agjendën reformuese, përmes saj RMV do të ketë qasje në ndihmën financiare të BE-së

Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, mëngjesin e sotëm zhvilloi takim tematik pune me gazetarët, në të cilin prezantoi Agjendën Reformuese të Maqedonisë së Veriut, e cila dje u miratua edhe zyrtarisht nga Komisioni Evropian. Kjo ngjarje ishte një mundësi për të informuar mediat mbi aspektet kryesore të Agjendës, e cila fokusohet në zbatimin e […]

tetor 25, 2024 - 15:01
 0  5
Ministri Orhan Murtezani prezantoi Agjendën reformuese, përmes saj RMV do të ketë qasje në ndihmën financiare të BE-së
Orhan Murtezani. Foto: Ministria e Çështjeve Evropiane

Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, mëngjesin e sotëm zhvilloi takim tematik pune me gazetarët, në të cilin prezantoi Agjendën Reformuese të Maqedonisë së Veriut, e cila dje u miratua edhe zyrtarisht nga Komisioni Evropian. Kjo ngjarje ishte një mundësi për të informuar mediat mbi aspektet kryesore të Agjendës, e cila fokusohet në zbatimin e reformave thelbësore socio-ekonomike dhe fundamentale gjatë periudhës 2024-2027, në përputhje me Planin për Rritje të Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor, transmeton Portalb.mk.

Ministri Murtezani prezantoi elementet kryesore të Agjendës Reformuese, duke përfshirë bazën ligjore, strukturën e reformave dhe indikatorët për monitorimin e tyre. Theks i veçantë u vu mbi hapat dhe kushtet për pagesë sipas Instrumentit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor, i cili parashikon pagesa bazuar në përmbushjen e mjaftueshme të hapave reformuese. Përmes kësaj Agjende, vendi do të ketë qasje në ndihmën financiare të Bashkimit Evropian, duke mundësuar integrim ekonomik të rëndësishëm dhe harmonizim me standardet evropiane.

Murtezani theksoi se bashkëpunimi me Komisionin Evropian vazhdon përmes monitorimit të vazhdueshëm të progresit dhe përmbushjes së reformave të dakorduara, me fokus të veçantë në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, zhvillimin e ekonomisë së tregut dhe përforcimin e institucioneve.

Agjenda Reformuese u miratua edhe zyrtarisht nga Komisioni Evropian me 23 tetor, miratim i cili i hap rrugën shfrytëzimit të Fondit për Reforma dhe Rritje të Bashkimit Evropian, fond ku janë planifikuar 6 miliardë euro për shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Kjo agjendë reformuese, e cila përfshin reformat thelbësore për integrimin e vendit në BE, konsiderohet një dokument kyç që do të përcaktojë drejtimin e politikave për të ardhmen. Sipas informacioneve të mëparshme, BE kishte kërkuar përmirësime në disa fusha kyçe, veçanërisht në lidhje me sundimin e ligjit, drejtësinë dhe reformat ekonomike, të cilat janë kritere të rëndësishme për avancimin e procesit të integrimit.

Plani për Rritje për Ballkanin Perëndimor prej 6 miliardë eurosh u miratua nga Komisioni Evropian me 8 nëntor 2023. Ai bazohet në katër shtylla: forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së; forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal; përshpejtimi i reformave fundamentale dhe rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat.

Në prill dhe maj të këtij viti, Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së ranë dakord që vendet e Ballkanit Perëndimor të marrin 6 miliardë euro nga Brukseli, dy miliard do të jenë para pa kthim, ndërsa tjerat në formë të kredive. 750 milionë euro janë të destinuara për Maqedoninë e Veriut, kurse kësti i parë do të jetë shtatë përqind, përkatësisht 52.5 milionë euro.