“Zbrazje e xhepave”: Deputetët e RMV-së i mbyllin sytë ndaj çmimeve marramendëse të pikëpagesave rrugore, faturat i paguajnë qytetarët
Xhepat e qytetarëve nuk janë në interesin e deputetëve të Maqedonisë së Veriut, këtë e tregon heshtja e tyre ndaj ankesave të qytetarëve për çmimet e larta të pikëpagesave rrugore në vend edhe pas hapjes së debatit në opinion, shkruan Portalb.mk. Çmimi i lartë i pikëpagesave më së shumti i prekë qytetarët që duhet të […]


Xhepat e qytetarëve nuk janë në interesin e deputetëve të Maqedonisë së Veriut, këtë e tregon heshtja e tyre ndaj ankesave të qytetarëve për çmimet e larta të pikëpagesave rrugore në vend edhe pas hapjes së debatit në opinion, shkruan Portalb.mk.
Çmimi i lartë i pikëpagesave më së shumti i prekë qytetarët që duhet të udhëtojnë çdo ditë pune.
Për shembull, qytetarët e Velesit për vajtje ardhje në Shkup, në periudhë vjetore, në pikëpagesa rrugore shpenzojnë 58 mijë denarë.
Kumanovarët shpenzojnë 52,800 denarë, që është më shumë se paga mesatare në vend, e cila në dhjetor të vitit të kaluar ishte 43.500 denarë.
Për çmimet e pikëpagesave qytetarët përmes mediave janë ankuar shpesh herë.
Nga ana tjetër, Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore e ka mbyllur vitin 2024 me të ardhura të realizuara mbi 66.5 milionë euro në bazë të mbledhjes së pagesave rrugore.
“Krahasuar me vitin 2023, është 270 milionë denarë ose mbi 4,32 milionë euro më shumë. Për sa i përket frekuencës totale të automjeteve për vitin 2024, janë 62,662,988 automjete të kaluara me 99,2% të tarifuara”, thonë nga Ndërmarrja Publike Rrugët Shtetërore.
Ata shtuan se për të reduktuar numrin e të ashtuquajturve jopagues, Ndërmarrja Publike Rrugët Shtetërore (NPRrSH-ja) organizoi 23 kontrolle veprimi në periudhën gusht-dhjetor 2024 së bashku me Inspektoratin Shtetëror të Transportit dhe me ndihmën e Ministrisë së Brendshme, me të cilat siç thonë “mund të përfundohet se kishim më shumë se një vit të suksesshëm”.
Partia “E majta” me nismë për uljen e çmimeve
Partia politike “E Majta” përmes një deklarate publike kërkoi nga shumica parlamentare që ta pranojë propozimin e tyre për uljen e çmimeve në pikëpagesat rrugore. Ata tregojnë se Maqedonia e Veriut ka ndër tarifat më të larta në rajon, por edhe më gjerë. Megjithatë, deri më tash vetëm nga VLEN janë deklaruar për zvogëlimin e çmimeve në pikëpagesat rrugore.
“Qytetarët e Maqedonisë janë viktima të grabitjeve të sponsorizuara nga shteti përmes tarifave jashtëzakonisht të shtrenjta, të cilat në asnjë mënyrë nuk përputhen me cilësinë katastrofike të rrugëve! Përderisa vendet evropiane si Bullgaria, Austria dhe Zvicra përdorin sistem vinjetash që lejon lëvizje të pakufizuar me një çmim të volitshëm, në Maqedoni çdo kilometër i kaluar është një goditje shtesë për xhepat e njerëzve”, thuhet në deklaratën e partisë “E Majta”.
Nga partia “E Majta, propozojnë ndryshime ligjore për uljen e çmimeve të tarifave deri më 50 përqind dhe rregullimin ligjor të çmimit dhe pagesës në pikëpagesat rrugore.
“Është koha që mazhoranca VMRO- DPMNE/ ZNAM/ VLEN të veprojnë në interes të qytetarëve dhe ta pranojnë këtë propozim! Mjaft me grabitjen e organizuar – populli paguan dhe nuk merr asgjë!”, thonë nga “E Majta”.
“Një banor i Gostivarit paguan 1.000 denarë pagesa rrugore për gjithësejt 460 kilometra, në të dy drejtimet e autostradës deri në kufirin RMV -Greqi, ose 2.57 denarë për një kilometër që Maqedoninë e bën vendin me pagesa më të shtrenjta rrugore në Ballkanin Perëndimor,” thonë nga partia.
Sipas tyre, në Serbi, në autostradën prej 600 kilometrave nga Presheva deri në kufirin hungarez, pagesat rrugore kushtojnë 48 euro në dy drejtimet – ose 2.37 denarë për kilometër.
Nga koalicioni VLEN, për Portalb.mk kanë konfirmuar se janë të gatshëm të mbështesin çdo masë që ka të bëjë me lehtësimin financiar të qytetarëve.
“Koalicioni VLEN gjithmonë do të mbështesë masa që lehtësojnë drejtpërdrejt barrën financiare të qytetarëve, veçanërisht nëse janë të drejta dhe të menduara mirë. Por le të jemi realistë – fokusi ynë është te politikat konkrete që ndikojnë realisht në standardin e jetesës dhe infrastrukturën, jo vetëm te propozimet që tingëllojnë mirë në letër. Natyrisht, nëse diçka është me të vërtetë në dobi të qytetarëve, do ta shqyrtojmë me seriozitet”, tha për Portalb.mk zëdhënësi i VLEN, Driton Sulejmani.
Nga VMRO- DPMNE, ZNAM, LSDM dhe BDI nuk janë deklaruar rreth propozimit të partisë “E Majta”.
Pse nuk u intereson partive politike ulja e çmimeve të pikëpagesave rrugore?
Pagat e funksionarëve dhe deputetëve në veçanti nuk janë mesatare, por shumë larg mesatares. Praktika tregon se rregullimi i pagave të zyrtarëve, i cili duhet të zvogëlojë diferencat me të ardhurat e qytetarëve të tjerë, është një premtim që përsëritet vazhdimisht, por pagat e zyrtarëve janë vazhdimisht në rritje, pavarësisht një sërë ndryshimesh në ligjet për pagat e personave të zgjedhur dhe të emëruar.
Në analizën e fundit të gazetës Koha shkruan se në Maqedoninë e Veriut deputetët kanë pagën bazë prej 121.600 denarë, ose 2 mijë euro. Nëse ata janë pjesë e komisioneve parlamentare, përftimet rriten dhe kalojnë 2100 euro. Për më tepër, nëse merret paga prej së paku 2000 euro e një deputeti, kjo është për tre deri katër herë më shumë se një pjesë e madhe e pagave në vend prej 500 deri 600 euro, por edhe gjashtë herë më shumë se paga aktuale minimale.
Ndryshe, Ndërmarrja e Rrugëve Shtetërore në muajin maj 2024 raportoi se në vitin 2020 nga mjetet e grumbulluara në bazë të taksave rrugore janë realizuar të ardhura totale në vlerë prej 34 milionë euro, në vitin 2021 mbi 46 milionë euro, në vitin 2022 shuma është mbi 53 milionë euro, ndërsa viti 2023 u përmbyll me 62 milionë euro.
- LEXO: Kumanovarët detyrohen të kalojnë nëpër rrugë të shkatërruar për t’i ikur pikë-pagesës për në Shkup e cila është e shtrenjtë
- LEXO: Për 16 milionë denarë është rritur qarkullimi te pagesat rrugore, Mickoski deklaroi që vjet këto nuk ishin futur në arkën e shtetit
- LEXO: RMV, shumë rekorde prej 62 milionë eurosh janë arkëtuar këtë vit nga pikëpagesat rrugore (Infografik)