Murtezani në Kiev nënshkroi Memorandum për përforcimin e bashkëpunim në eurointegrime me Ukrainën
Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, sot në Kiev mbajti takim me zëvendëskryeministren e Qeverisë së Ukrainës, përgjegjëse për Integrime Evropiane dhe Euroatlantike, ministre e Drejtësisë dhe kryenegociatore për anëtarësimin e Ukrainës në BE, Olga Stefanishina. Në fokus të takimit ishte nënshkrimi i Memorandumit për bashkëpunim mes Maqedonisë së Veriut dhe Ukrainës për çështjet lidhur […]
Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, sot në Kiev mbajti takim me zëvendëskryeministren e Qeverisë së Ukrainës, përgjegjëse për Integrime Evropiane dhe Euroatlantike, ministre e Drejtësisë dhe kryenegociatore për anëtarësimin e Ukrainës në BE, Olga Stefanishina. Në fokus të takimit ishte nënshkrimi i Memorandumit për bashkëpunim mes Maqedonisë së Veriut dhe Ukrainës për çështjet lidhur me integrimin në Bashkimin Evropian, për të cilin si nënshkrues të caktuar në emër të Qeverive të të dyja vendeve janë kryenegociatorët me BE-në, Murtezani dhe Stefanishina, transmeton Portalb.mk.
Në takim u potencua rëndësia e integrimit evropian si prioritet strategjik për të dyja vendet. Ministri Murtezani potencoi se procesi i zgjerimit duhet të mbetet i besueshëm dhe i bazuar në merita, që të sigurojë stabilitet dhe progres.
“Maqedonia e Veriut mbështet Ukrainën në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian ndërkaq kjo vizitë konfirmon aspiratën tonë të përbashkët drejt vlerave evropiane. Procesi i aderimit në Bashkimin Evropian nuk duhet të jetë përjashtim, por gjithëpërfshirës dhe i bazuar në merita, duke i mundësuar Ukrainës dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor shans ligjor për progres. “Uniteti dhe solidariteti mes popujve tanë janë kyçe për ndërtimin e Evropës së fuqishme dhe të unifikuar”, theksoi Murtezani.
Bashkëbiseduesit konstatuan se Memorandumi për mirëkuptim është hap domethënës në ndërtimin e bashkëpunimit më të ngushtë mes të dyja vendeve, me qëllim të shkëmbimit të njohurive dhe përvojave që do të kontribuojnë në arritjen më të suksesshme të qëllimeve të përbashkëta të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Në takim u rishikuan edhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit rajonal përmes projekteve dhe nismave të përbashkëta, posaçërisht në fushat ku përmes bashkëpunimit të ngushtë mund të përforcohen përpjekjet e të dyja vendeve për anëtarësim në Union. Murtezani dhe Stefanishina u dakorduan se qasja e unifikuar në zgjidhjen e sfidave të përbashkëta dhe shfrytëzimi i mundësive që i ofron procesi i integrimit në BE janë me vlerë vendimtare si për Ukrainën ashtu edhe për Maqedoninë e Veriut. Ata nënvizuan përkushtimin e ndërsjellë për veprime të koordinuara në avancimin e stabilitetit, rritjes dhe vlerave evropiane në rajon.