Nata e Kadrit, Sali Berisha uron mes besimtarëve në Kavajë: 26 marsi u bë gjithashtu simbol i qëndresës për liri
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka marrë pjesë mbrëmjen e sotme në iftarin e shtruar për besimtarët myslimanë për Natën e Kadrit nga kryetari i Bashkisë Kavajë, Fisnik Qosja. Kreu i opozitës ishte i shoqëruar nga Fisnik Qosja, Myslim Murrizi dhe Hysen Kadiu. Gjatë fjalës së tij para qytetarëve, Berisha ka bërë urimin e […]

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka marrë pjesë mbrëmjen e sotme në iftarin e shtruar për besimtarët myslimanë për Natën e Kadrit nga kryetari i Bashkisë Kavajë, Fisnik Qosja.
Kreu i opozitës ishte i shoqëruar nga Fisnik Qosja, Myslim Murrizi dhe Hysen Kadiu.
Gjatë fjalës së tij para qytetarëve, Berisha ka bërë urimin e tij për këtë natë të shenjtë.
Gjithashtu, kryedemokrati u shpreh se sot Kavaja përkujton edhe 26 marsin e vitit 1990, kur qytetarët e saj u ngritën kundër diktaturës duke regjistruar kështu revoltën e parë kundër komunizmit.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Së pari duhet të përulem me nderim shumë të madh para jush, para qytetarëve të Kavajës, banorëve të këtij qyteti dhe rrethi, në këtë natë të shenjtë siç është Nata e Kadrit, nata e fatit dhe nga zemra uroj secilin prej jush dhe i lutem Zotit të madh që të pranojë agjërimin dhe sakrificën tuaj dhe për një fat të bardhë për të gjithë ne, për të gjithë qytetarët e Kavajës.
Por sonte ne kemi dhe një natë tjetër, natë në të cilën nderojmë së bashku trimërinë epike të burrave dhe grave të këtij qyteti, që në një betejë të paparë gjer atëherë në histori, u përballën me një diktaturë mizore.
Në të vërtetë tundën themelet e saj dhe nga ajo ditë Kavaja u bë qytet i lirë.
Kavaja ishte në këtë pozicion, por diktatura e dinte se e kishte humbur përgjithmonë.
Në këtë kuadër, ne përulemi me nderimin më të madh para heroizmit, para veprës, trimërisë dhe guximit të burrave dhe djemve të Kavajës, grupeve antikomuniste të këtij qyteti, që në fakt u bënë simbol i qëndresës së shqiptarëve për liri dhe dinjitet.
Prandaj me këtë rast, nderimin më të madh për qytetarët liridashës të këtij qyteti.
Për ta mbyllur, midis besimit të palëkundur tek Zoti, virtyteve më të arrira të shpirtit tuaj, ekziston një lidhje e pandashme.
Nuk ka forcë më të madhe për njeriun se besimi i tij tek Zoti dhe te shërbimet ndaj tij.
Ndaj dhe njëherë u uroj këtë natë.