Ne e dërguam në opozitë partinë e krimit, tha Albi Qamili në 10 vjetorin e Lëvizjes BESA ‼

Në shënimin e 10 vjetorit të Lëvizjes BESA, në emër të rinisë së kësaj partie ka folur, Albi Qamili. Gjatë fjalës së tij, ai falënderoi të rinjtë për kontributin 10 vjeçar në Lëvizjen BESA duke thënë se falë angazhimit të tyre i erdhi fundi pushtetit 20-vjeçar të krimit, korrupsionit dhe përndjekjes. Më poshtë mund ta […]

Nëntor 24, 2024 - 21:00
 0  6
Ne e dërguam në opozitë partinë e krimit, tha Albi Qamili në 10 vjetorin e Lëvizjes BESA ‼

Në shënimin e 10 vjetorit të Lëvizjes BESA, në emër të rinisë së kësaj partie ka folur, Albi Qamili.

Gjatë fjalës së tij, ai falënderoi të rinjtë për kontributin 10 vjeçar në Lëvizjen BESA duke thënë se falë angazhimit të tyre i erdhi fundi pushtetit 20-vjeçar të krimit, korrupsionit dhe përndjekjes.

Më poshtë mund ta lexoni të plotë fjalimin e Albi Qamilit.

I nderuar Kryetar i Lëvizjes Besa, Prof. Bilall Kasami,
Të nderuar ministra e zv/ministra,
Të nderuar bashkëpartiakë,
Të nderuar pjesëmarrës dhe mysafirë,
E dashura RINI!

Rinia është fryma që e mban gjallë këtë komb, është drita e këtij vendi. Rinia është energji, është vizion dhe është përkushtim, është zemra që rreh fort për ëndrrat e saj, është guximi për të thënë “PO, UNË MUNDEM” kur të tjerët dyshojnë…,është shpresa që nuk shuhet kurrë, ndoshta edhe në momentet më të vështira.

Sot, në këtë ditë të veçantë, festojmë dekadën e parë të Lëvizjes Besa. Lëvizja Besa, që prej themelimit të saj, është njohur si një lëvizje që buron nga rinia dhe që ka pasur rininë si mbështetje të madhe. Që nga ajo ditë, rinia ka qenë promotor i Lëvizjes. Forumi Rinor i Lëvizjes Besa nuk ka qenë vetëm një organ brendapartiak pasiv, por ka qenë një shkollë angazhimi dhe një hapësirë ku të rinjtë kanë mundur t’i shprehin idetë e tyre.

Gjatë këtyre 10 viteve, kemi dëshmuar se çfarë mund të arrijë rinia kur udhëhiqet nga ideale të pastra dhe dëshira për të kontribuar në të mirën e vendit dhe për krijimin e një të ardhmeje më të ndritshme.

Fort mirë e dini se sa shumë sfida kishim para vetes…, sa shumë na shtypën dhe sa shumë na përçmuan, por ne luftuam, rezistuam, duruam dhe në fund ia dolëm…Ia dolëm sepse asnjëherë nuk u dorëzuam, qëndruam fort dhe të pa lëkundur.

Sot, dua të falënderoj të gjithë ata që kanë qenë pjesë e këtij rrugëtimi. Çdo anëtar të Forumit Rinor, të cilët, edhe përkundër sulmeve, fyerjeve, kërcënimeve dhe arrestimeve që u janë bërë nga pushteti gjatë këtyre viteve, kanë qëndruar, kanë qëndruar stoikë dhe të palëkundur në idealet e tyre.

Angazhimi juaj na bën të ndjehemi krenar për atë që kemi realizuar. Na bën të shohim se të rinjtë dinë ta ngrejnë zërin për kauza të drejta dhe të krijojnë nisma që sjellin ndryshim. Falë angazhimit tuaj, i erdhi fundi pushtetit 20-vjeçar të krimit, korrupsionit dhe përndjekjes.

Kur e ardhmja duket e pasigurt, mbajeni mend: NDRYSHIMI fillon nga brenda jush. Në zemrat tuaja ndodhet një forcë e jashtëzakonshme që askush nuk mund t’jua marrë. Është dashuria për vendin tuaj, për familjet tuaja, për njerëzit që ju rrethojnë. Është besimi se ky vend ka potencialin të bëhet më i mirë, më i drejtë, më i denjë për ju dhe për ata që do të vijnë pas nesh.
Mos kini frikë nga dështimi…Në çdo rënie, gjendet një mësim. Në çdo sfidë, një mundësi për të rritur veten. Dhe në çdo ëndërr, një thirrje për të luftuar për të ardhmen. Të qëndrojmë të bashkuar, sepse kur jemi së bashku, asgjë nuk është e pamundur.

E ardhmja nuk është diçka që thjesht ndodh. E ardhmja ndërtohet. Dhe ju, ne, jemi arkitektët e saj. Ndaj, mos ndalojmë së ëndërruari. Mos ndalojmë së luftuari. Dhe mos ndalojmë së dashuruari këtë tokë që është shtëpia jonë e përbashkët.

Kjo ditë, përpos që është rikujtim i së kaluarës, është edhe thirrje për të ardhmen. Le të jemi zëri i guximshëm i brezit tonë. Gëzuar 10-vjetorin dhe qoftë ky fillim i një kapitulli të ri suksesi për Forumin Rinor të Lëvizjes. Të vazhdojmë këtë rrugëtim së bashku, ku rinia të ketë zërin dhe ndikimin që e meriton.

Mirë u takofshim në përvjetore të tjera!
Ju faleminderit dhe dalshim faqebardhë!