Në MPB-në e RMV-së deri tani nuk ka kallëzime penale për aplikacionin “Konti”
Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut deri më tani nuk ka marrë raportime në lidhje me aplikacionin “Konti”, për të cilin thuhet se është një mashtrim në të cilin qytetarët kanë investuar disa mijëra euro që nuk u janë kthyer, raporton Portalb.mk. Këtë sot e bëri të ditur ministri i Brendshëm Pançe […]
Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut deri më tani nuk ka marrë raportime në lidhje me aplikacionin “Konti”, për të cilin thuhet se është një mashtrim në të cilin qytetarët kanë investuar disa mijëra euro që nuk u janë kthyer, raporton Portalb.mk.
Këtë sot e bëri të ditur ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski. Ai theksoi se kushdo që është mashtruar dhe ka qenë viktimë e kësaj ngjarje të mundshme kriminale duhet të kontaktojë Ministrinë e Brendshme në mënyrë që rasti të hetohet plotësisht.
“Sipas informacioneve të mëngjesit të sotëm, zyrtarisht nuk është bërë kallëzim penal, por shpreh shqetësimin e madh për këtë lloj krimi potencial financiar investues piramidal që nuk e di sa herë po ndodh në vend. Unë u informova nga shërbimet se një aplikacion shumë i ngjashëm mashtrimi u gjet edhe në vitin 2022″, tha Toshkovski.
Ai apeloi që qytetarët t’i kushtojnë vëmendje të veçantë investimeve të tilla dhe të konsultohen me ekspertë të fushës.
“Platformë argëtuese që e integron produksionin e filmit, ndërveprimin social dhe përvojën fantastike. Koncepti është “shiko që të fitosh para”, me atë që anëtarët fitojnë para duke shikuar promovime filmash, trailera dhe kështu e ndryshojnë mënyrën tradicionale të promovimit të filmave.”
Ky shpjegim për atë se çfarë është aplikacioni dhe si funksionon do ju dalë në telefonin tuaj nëse e kërkoni aplikacionin Konti (Conti). Por e vërteta është se paratë vijnë nga anëtarët e rinj dhe përfundojnë tek ata që janë në krye të piramidës, pra që janë inkuadruar më herët në këtë “skemë”.
Pas përdorimit të këtij aplikacioni dikush del më i pasur, ndërsa dikush për qindra apo edhe mijëra euro më i varfër.
Аplikacioni “Konti” (i cili nuk është i vetmi i këtij lloji në vendin tonë) ka pothuajse një vit që funksionon.
Në fillim të vitit 2022 Portalb.mk shkroi për skemën piramidale “Big Commerce”, kur mijëra qytetarë u mashtruan, ndërsa të tjerë fituan shuma të mëdha. “Big Commerce” operoi në një mënyrë shumë të ngjashme si “Konti”, duke përdorur aplikacionin kontrovers “Binance”.