Në Tetovë u hap Qendra Informuese për turistët
Pas shumë zvarritjeve, sot në qendër të Tetovës u hap Qendra Informuese për turistët, e cila do të ofrojë informata të ndryshme për qytetin, shkruan Portalb.mk. Fillimisht qendra do të jetë e hapur nga ora 08:00 deri në ora18:00, ndërsa më pas do shqyrtohen mundësitë që orari edhe të zgjatet. “Tetova përfundimisht futet në hartën […]


Pas shumë zvarritjeve, sot në qendër të Tetovës u hap Qendra Informuese për turistët, e cila do të ofrojë informata të ndryshme për qytetin, shkruan Portalb.mk.
Fillimisht qendra do të jetë e hapur nga ora 08:00 deri në ora18:00, ndërsa më pas do shqyrtohen mundësitë që orari edhe të zgjatet.
“Tetova përfundimisht futet në hartën e qyteteve evropiane ku turistët që vizitojnë Tetovën do të mund të marrin informata për të gjitha pikat turistike në qytet, por edhe në zonën përreth, në Malin Sharr dhe në Qendrën Turistike Kodra e Diellit”, tha kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Në këtë qendër materiale promovuese, informata për kapacitetet hotelierike dhe restorantet, ndërsa do të mund të promovohen edhe produktet artizanale, piktura, fotografi me motive të Tetovës dhe të tjera.
Në prill të vitit 2024 nga komuna e Tetovës patën deklaruar se kjo info qendër do të hapej shumë shpejtë, por e njëjta ndodhi një vit më vonë.
Hapja e kësaj info qendre ishte edhe premtim parazgjedhor i Kasamit.
Në programin zgjedhor ‘Me ka krejt për Tetovën’ 2021-2025 të kryetarit të Tetovës Bilall Kasamit, mes tjerash përmendet edhe themelimi i qendrës informuese për turistët.
Te pjesa e turizmit, konkretisht në faqe 15 të programit thuhet:
“Themelimi i qendrës informuese për turistët, tabela informuese me hartën e qytetit si dhe aplikacion me hartën turistike të Tetovës”.
Kujtojmë që instalimi për qendrën informuese turistike në qendër të Tetovës u vendos në tetor 2023, e njëjta paraprakisht ishte e vendosur në vitin 2020 te Parku i Gruas dhe nuk shërbeu për këtë qëllim, por si market.