Kasami: Do të kërkojmë nga kryeministri të rishqyrtojmë marrëveshjen si koalicion

Pas vendimit të Aleancës për Shqiptarët – fraksioni i Arben Taravarit, që në zgjedhje lokale të shkojë e pavarur nga koalicioni VLEN, me lista të veçanta për këshilltarë, është hapur çështja se si do funksionojë ASH në qeveri dhe, në përgjithësi, a do jetë pjesë e qeverisë bashkë me VLEN, shkruan Portalb.mk. “Sigurisht se në […]

Prill 17, 2025 - 17:00
 0  7
Kasami: Do të kërkojmë nga kryeministri të rishqyrtojmë marrëveshjen si koalicion
Bilall Kasami nga VLEN, foto nga Portalb.mk

Pas vendimit të Aleancës për Shqiptarët – fraksioni i Arben Taravarit, që në zgjedhje lokale të shkojë e pavarur nga koalicioni VLEN, me lista të veçanta për këshilltarë, është hapur çështja se si do funksionojë ASH në qeveri dhe, në përgjithësi, a do jetë pjesë e qeverisë bashkë me VLEN, shkruan Portalb.mk.

“Sigurisht se në rrethanat e reja të krijuara, ne do të kërkojmë nga kryeministri të rishqyrtojmë marrëveshjen si koalicion. Pjesa tjetër mbetet të diskutohet se si do vazhdojë mëtutje formati i qeverisë. Por, me siguri se si VLEN do kërkojmë të ulemi edhe një herë të bisedojmë për pozicionet tona në qeveri”, tha sot kryetari i Lëvizjes Besa, që është pjesë e koalicionit VLEN, Bilall Kasami. .

Koalicioni VLEN dje theksoi se Taravari, me vendimin për të shkuar me lista më vete në zgjedhjet lokale, u vetë-përjashtua nga koalicioni. Izet Mexhiti, kreu i LD-së, pjesë e koalicionit VLEN, tha se nuk ka ndodhur ndonjëherë në historinë e vendit që partitë brenda një koalicioni të shkojnë me lista këshilltarësh më vete. Kjo, shtoi ai, dëmton votën shqiptare, duke e ndarë tashmë tre tabore, në vend se në dy.

Nga ana tjetër, Arben Taravari në intervistën e tij të fundit për “Lajm” sqaroi kronologjikisht se si ka ardhur deri te garimi në zgjedhjet lokale me lista të veçanta.

“Nuk është se e kemi braktisur [VLEN-in], ideja e daljes me lista të veçanta nuk është prej tash. Me 23 qershor të 2024 u formua Qeveria aktuale dhe mbas dy-tre javësh, ne si kryetar të VLEN-it kemi pasur një takim dhe kemi biseduar a fuzionohemi tash apo si është ideja. Ideja e të gjithve ishte, bile insistim ka qenë që më mirë është të shkojmë si katër parti. Po në atë mbledhje unë u kam thënë se nëse vazhdojmë si katër parti, duhet të dalim me lista të veçanta në zgjedhjet lokale. Këtë ide e kam pasur vazhdimisht, deri para dy-tre javësh kur deputetët insistuan të bëjmë kompromis. U thash në rregull bëni kompromis dhe nëse pranohet, por nuk pati sukses”, tha Taravari.

Kujtojmë se, Taravari në një intervistë për 360 Gradë të transmetuar më 31 mars, ka bërë kritikë publike për funksionimin e partive shqiptare në Qeveri. Ai tha se, koalicioni ka shumë mangësi dhe mospërputhjet e koalicionit shihen nga 100 kilometra larg, se po punojmë shumë ngadalë.

Koalicionin VLEN e përbëjnë Lidhja Demokratike, Alternativa, Lëvizja BESA, ASH e udhëhequr nga Arben Taravari, dhe Lëvizja Vetëvendosje. VLEN është partner koalicioni i VMRO-DPMNE dhe ZNAM, me të cilët qeverisin me pushtetin aktual. VLEN-i ishte bashkuar për ta rrëzuar qeverisjen mbi dy dekadëshe të BDI-së. Mosmarrëveshjet në VLEN kanë të bëjnë me zgjedhjet lokale, përkatësisht rreth ndarjes së komunave.