Në Universitetin e Tetovës filloi afati i parë i regjistrimit të studentëve të rinj

Në Universitetin e Tetovës sot ka filluar afati i parë i regjistrimit të studentëve të rinj për vitin akademik 2026/2027. Procesi i aplikimit do të jetë aktiv deri në fund të kësaj jave, ndërsa maturantët do të kenë mundësi të zgjedhin prog...

gusht 24, 2026 - 18:30
Në Universitetin e Tetovës filloi afati i parë i regjistrimit të studentëve të rinj

Në Universitetin e Tetovës sot ka filluar afati i parë i regjistrimit të studentëve të rinj për vitin akademik 2026/2027. Procesi i aplikimit do të jetë aktiv deri në fund të kësaj jave, ndërsa maturantët do të kenë mundësi të zgjedhin programet studimore, të cilat ofrohen në 13 fakultetet e Universitetit.

Me këtë rast, Rektori i Universitetit të Tetovës theksoi se regjistrimet e këtij viti fillojnë pas përfundimit të suksesshëm të një procesi të rëndësishëm për institucionin – riakreditimit të programeve studimore dhe njësive akademike. “Risia e këtij viti akademik është se regjistrimet fillojnë pas përfundimit me sukses të procesit të riakreditimit të të gjitha programeve studimore dhe të gjitha njësive akademike. Në kuadër të këtij procesi kemi pasur ndryshime të theksuara në shumicën e programeve studimore, ndërsa kemi edhe disa programe të reja”, deklaroi Rektori Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti.

Në kuadër të ofertës së re akademike, Fakulteti Ekonomik do të ofrojë programet Kontroll Financiar; Dogana dhe Shpedicion, ndërsa Fakulteti i Shkencave të Zbatuara do të pasurohet me programet Infrastrukturë Rrugore dhe Dizajn i Interierit. Për vitin akademik 2026/2027, Universiteti i Tetovës ka në dispozicion gjithsej 3164 vende, të shpërndara në programet studimore të 13 fakulteteve. “Presim që maturantët t’i përgjigjen pozitivisht thirrjes për aplikim, përkatësisht ta zgjedhin Universitetin e Tetovës, për faktin se Universiteti ynë tashmë ka një traditë të theksuar në arsimin e lartë dhe është njëri prej universiteteve që synon në vazhdimësi ngritjen e cilësisë”, theksoi Rektori Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti.

Ai nënvizoi se një ndër synimet kryesore të Universitetit mbetet përshtatja e programeve studimore me nevojat bashkëkohore dhe krijimi i mundësive që të diplomuarit të jenë sa më konkurrues në tregun e punës. “Universiteti në vazhdimësi synon ngritjen e cilësisë dhe kërkon që tregu i punës t’i absorbojë studentët tanë. Besoj se janë disa indikatorë të theksuar që u bëjnë me dije maturantëve se Universiteti i Tetovës është përzgjedhja e tyre e duhur”, u shpreh ndër të tjera Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti.

Universiteti i Tetovës u bën thirrje maturantëve që, brenda afatit të paraparë (24–28.8.2026), të aplikojnë në programet studimore që përputhen me interesimet dhe synimet e tyre profesionale, duke u bërë pjesë e gjeneratës së re të studentëve të UT-së.(INA)


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.