Në zhdukjen e Vanjës ishin humbur dy ditë në pistë dyshimi që nuk çoi askund
Gjatë gjykimit për vrasjen e dyfishtë brutale të 14-vjeçares Vanja Gjorçevska dhe pensionistit Pançe Zhezovski, dëshmoi edhe shefi i Njësisë për krime të dhunshme, Dejan Dimovski. Në dëshminë e tij, ai zbuloi se hetimi ndoqi disa teori të ndryshme, njëra prej të cilave bazohej në informacionin e dhënë nga prindërit e Vanjës, transmeton Portalb.mk. “Ne po […]
Gjatë gjykimit për vrasjen e dyfishtë brutale të 14-vjeçares Vanja Gjorçevska dhe pensionistit Pançe Zhezovski, dëshmoi edhe shefi i Njësisë për krime të dhunshme, Dejan Dimovski. Në dëshminë e tij, ai zbuloi se hetimi ndoqi disa teori të ndryshme, njëra prej të cilave bazohej në informacionin e dhënë nga prindërit e Vanjës, transmeton Portalb.mk.
“Ne po punonim në teori të ndryshme nga prindërit dhe njëra prej tyre ishte e lidhur me të dashurin e saj virtual nga Suedia”, tha Dimovski.
Sipas tij, Vanja ka komunikuar me një djalë në internet, ata kanë folur në anglisht dhe detajet që kanë zbuluar në profilin e tij kanë shqetësuar hetuesit.
“Ne kontrolluam profilin dhe vumë re se në faqen e tij kishte flamuj të lidhur me ISIS. Kjo e bëri rastin edhe më serioz dhe ne menjëherë përfshimë kolegë nga departamentet e tjera për të kontrolluar atë kërcënim të mundshëm”, shtoi ai.
U kryen kontrolle të gjera, duke përfshirë bashkëpunimin me autoritetet suedeze, si dhe kontrolle kufitare, por hetimi nuk rezultoi në gjetje konkrete.
“Fatkeqësisht, të gjitha kontrollet dolën negative dhe kjo gjurmë nuk çoi askund. Ne humbëm dy ditë duke punuar në këtë teori”, dëshmoi Dimovski, duke shpjeguar se policia është dashur të konfiskojë telefona dhe kompjuterë për analiza të hollësishme, e cila ka zgjatur disa ditë.
Kujtojmë se në gjykimin e 16 tetorit dëshmoi ndihmës kreu i SPB Shkupi. Ai fillimisht kontaktoi prindërit e vajzës, kur tashmë kishte indikacione se Vanja ishte rrëmbye. Ai tha se babai i Vanjës që në fillim ka këmbëngulur që Vanja është rrëmbyer dhe vrarë. Siç ka dëshmuar ndihmës shefi i SPB Shkup, Aleksandri nuk ka dhënë një arsye konkrete pse mendon kështu.
Gjykimi për këtë rasti filloi më 20 shtator. Të dyshuar për këtë rast janë edhe Velibor Manev, Vlatko Keshishov, Ljupço Palevski-Palço dhe Aleksandar Gjorçevski, E mitura Vanja Gjorçevska, e cila ishte raportuar e zhdukur më 27 nëntor, u gjet e vdekur në afërsi të Shkupit më 3 dhjetor, kur në afërsi të Velesit u gjet i vdekur edhe Pançe, me origjinë nga Velesi, i cili, nga ana tjetër, u raportua i zhdukur më 24 nëntor. I dyshuari kryesor për vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezovskit është Ljupço Palevski-Palço, i cili më 15 maj u ekstradua nga Turqia në vend, ku u gjet dhe u arrestua pas fletarrestit ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet maqedonase përmes Interpolit.