Antikorrupsioni nisi procedurë kundër Kostadinovska-Stojçevska, konstatoi se përdori paratë e shtetit për qëllime private në Britani

Ish-ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçevska ka shfrytëzuar mjetet zyrtare për qëllime private gjatë udhëtimit të saj zyrtar në Britaninë e Madhe në periudhën prej 24 deri më 27 tetor të vitit të kaluar. Kështu ka thënë Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), pasi hapi rast pas zërave të ngritur në gusht të këtij viti, […]

Nëntor 8, 2024 - 17:00
 0  5
Antikorrupsioni nisi procedurë kundër Kostadinovska-Stojçevska, konstatoi se përdori paratë e shtetit për qëllime private në Britani
Foto: Bisera Kostadinovska Stojçevska (profili në Facebook)

Ish-ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçevska ka shfrytëzuar mjetet zyrtare për qëllime private gjatë udhëtimit të saj zyrtar në Britaninë e Madhe në periudhën prej 24 deri më 27 tetor të vitit të kaluar. Kështu ka thënë Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), pasi hapi rast pas zërave të ngritur në gusht të këtij viti, transmeton Portalb.mk.

Temën e seancës së sotme të KSHPK-së e prezantoi anëtari Zoran Bogoevski, i cili sqaroi se pas shqyrtimit të dokumenteve që Komisioni i ka kërkuar nga Ministria e Kulturës për udhëtimin konkret zyrtar, u konstatuan pretendimet se ministrja e atëhershme i ka shpenzuar mjetet buxhetore për qëllime private.

Rrjedhimisht, siç tha Bogoevski, Komisioni Kundër Korrupsionit do të iniciojë procedurë tek organet kompetente.

“Me rastin e 30-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Mbretërisë së Bashkuar, ministrja e Kulturës nga data 24 deri më 27 tetor 2023 zhvilloi vizitë dypalëshe në Mbretërinë e Bashkuar. Për udhëtimin jashtë vendit është marrë vendim sipas të cilit shpenzimet i bartë Ministria e Kulturës në shumën 1300 paund britanike, nga të cilat 292 paund i njihen shpenzime për përfaqësim dhe 600 paund për akomodim. Nga 292 funte, 280 janë shpenzime për të cilat KSHPK-ja konsideron se nuk mund të cilësohen si shpenzime për përfaqësim”, tha anëtari i Antikorrupsionit, Zoran Bogoevski, në seancën e sotme të Komisionit.

Gjithashtu, siç theksoi ai, me kartelën zyrtare të Ministrisë së Kulturës janë mbuluar edhe shpenzimet prej 528 paundësh, nga të cilat 485 paund janë shpenzime që KSHPK-ja konsideron se nuk mund të cilësohen si shpenzime të bëra për qëllime të udhëtimit zyrtar.

Komisioni kundër korrupsionit hapi rastin pas zërave të ngritur në gusht të këtij viti pasi VMRO-DPMNE në pushtet publikoi një sërë akuzash se ish-ministrja e kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçevska nga radhët e LSDM-së ka shpenzuar mjete buxhetore për qëllime private në udhëtime pune.

Pas akuzave të tilla, Kostadinovska-Stojçevska tha se e vërteta është se një pjesë e shpenzimeve të paraqitura nga VMRO-DPMNE i referohen nevojës për sigurimin e kushteve elementare për funksionimin normal të udhëtimit të punës, gjatë të cilit tha se kompania ajrore ia ka humbur bagazhin.

Ish-ministrja më pas tha se do të mbajë përgjegjësi nëse konstatohet ndonjë parregullsi, në të kundërtën paralajmëroi padi kundër VMRO-DPMNE-së.