Nesër në Shkup do të vjen Ursula von der Leyen, do të ketë kufizime në komunikacion

Në kuadër të vizitave në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të vizitojë nesër edhe Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk. “Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, do të nisë një udhëtim katërditor në Ballkanin Perëndimor, ku do të takohet me liderët e Shqipërisë, Maqedonisë së […]

tetor 23, 2024 - 21:00
 0  6
Nesër në Shkup do të vjen Ursula von der Leyen, do të ketë kufizime në komunikacion
Ursula von der Leyen, foto: Portalb.mk

Në kuadër të vizitave në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të vizitojë nesër edhe Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk.

“Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, do të nisë një udhëtim katërditor në Ballkanin Perëndimor, ku do të takohet me liderët e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Bosnjë-Hercegovinës, Serbisë, Kosovës dhe Malit të Zi. Ky do të jetë rasti për të diskutuar progresin e partnerëve tanë të Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt BE-së, si dhe planin e rritjes prej 6 miliardë eurosh të BE-së”, njoftuan nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shkup.

Ajo në Shkup do të pritet në ora 13:00 nga presidentja Gordana Siljanovska – Davkovka dhe kryeministrin Hristijan Mickoski, me të cilin do të ketë edhe konferencë për shtyp në hapësirat e Qeverisë. Ai do të pret presidenten von der Leyen prej orës 11:20.

“Vizita e këtij viti në Ballkanin Perëndimor vjen në një kohë kur zgjerimi është në krye të agjendës së BE-së, gjë e cila është konfirmuar nga presidentja von der Leyen në disa raste, duke përfshirë së fundmi në Samitin e Procesit të Berlinit dhe në Forumin Strategjik të Bled-it”, sqaruan nga Delegacioni.

“SPB Shkup i informon qytetarët e Shkupit se më datën 24.10.2024 (e enjte) me rastin e vizitës së kryetares së Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, Njësiti për Siguri në Komunikacionin Rrugor pranë SPB Shkup do të ndërmerr masa për regjim të posaçëm të trafikut nëpër rrugët në rajonin më të gjerë të qytetit të Shkupit”, njoftoi Policia e Maqedonisë së Veriut.

Presidentja von der Leyen do të vjen në Shkup prej Tiranës, ndërsa pas Shkupit do të niset për në Sarajevë.

Ndryshe, Komisioni Evropian sot (23 tetor) edhe zyrtarisht ka miratuar Agjendën Reformuese, miratim i cili i hap rrugën shfrytëzimit të Fondit për Reforma dhe Rritje të Bashkimit Evropian, fond ku janë planifikuar 6 miliardë euro për shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Plani për Rritje për Ballkanin Perëndimor prej 6 miliardë eurosh u miratua nga Komisioni Evropian me 8 nëntor 2023. Ai bazohet në katër shtylla: forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së; forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal; përshpejtimi i reformave fundamentale dhe rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat.

Në prill dhe maj të këtij viti, Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së ranë dakord që vendet e Ballkanit Perëndimor të marrin 6 miliardë euro nga Brukseli, dy miliard do të jenë para pa kthim, ndërsa tjerat në formë të kredive. 750 milionë euro janë të destinuara për Maqedoninë e Veriut, kurse kësti i parë do të jetë shtatë përqind, përkatësisht 52.5 milionë euro.