Një biznesmen nga Tetova për 10 vjet i ka shmangur taksat prej rreth 262 mijë euro, Policia Financiare ngriti kallëzim penal
Drejtoria e Policisë Financiare ka bërë kallëzim penal kundër një biznesmeni nga Tetova, i cili dyshohet se me mashtrim në kohëzgjatje 10 vjeçare ka shmangur tatim në shumë prej 16.085.644 denarë, përkatësisht rreth 262.000 euro. Kallëzimi penal është dorëzuar në Prokurorinë Themelore Publike Tetovë, ndërsa është ngritur kundër personit B.F, pronar dhe menaxher i katër […]


Drejtoria e Policisë Financiare ka bërë kallëzim penal kundër një biznesmeni nga Tetova, i cili dyshohet se me mashtrim në kohëzgjatje 10 vjeçare ka shmangur tatim në shumë prej 16.085.644 denarë, përkatësisht rreth 262.000 euro. Kallëzimi penal është dorëzuar në Prokurorinë Themelore Publike Tetovë, ndërsa është ngritur kundër personit B.F, pronar dhe menaxher i katër kompanive vendore “Bibaj Group DOOEL Export-Import” Tetovë, “Bibaj DOOEL”, “Pro Tire DOOEL” dhe “Raen DOOEL”, transmeton Portalb.mk.
Sipas Policisë Financiare, i dyshuari veprën penale e ka kryer në periudhën nga viti 2013 deri në vitin 2023, kur siç thuhet në njoftim:
“Ai ka kryer një sërë veprimesh të ngjashme të kundërligjshme me qëllim uljen e bazës tatimore për llogaritjen dhe pagesën e tatimit mbi fitimin, duke kryer veprën penale të evazionit fiskal”.
Ndryshe, sipas njoftimit, i dyshuari i është shmangur në mënyrë identike detyrimeve ndaj shteteve, duke përdorur të njëjtën skemë në të gjitha rastet për të cilat ka njoftuar sot Drejtoria e Policisë Financiare. Dallimi i vetëm ishte në shumat për të cilat ai shmangte pagimin e tatimit.
Siç thuhet nga Policia Financiare, biznesmeni i dyshuar e ka kryer veprën duke transferuar para nga njëra kompani te vetja si person fizik apo te një kompani tjetër pronar dhe menaxher i së cilës është vetë ai.
Këto mjete, pra para, duke qenë se nuk janë kthyer brenda afateve ligjore, nuk i ka regjistruar në bilanc tatimor si shpenzime të panjohura për pjesë tatimore, pra nuk ka raportuar, nuk ka llogaritur dhe nuk ka paguar tatimin mbi fitimin në masën 10 përqind.
Gjithashtu, sipas Policisë Financiare, ai nuk ka shlyer pretendimet e pashlyera, të padeklaruara dhe të vjetruara nga blerësit në vend dhe pretendimet e bazuara në kredi më të vjetra se tre vjet.
“Kështu për shumën prej 46.740.281 denarë nuk ka llogaritur, raportuar dhe paguar tatim në fitim me normë tatimore prej 10 përqind në vlerë prej 4.674.028 denarë, si dhe kreditë e marra nga personi i tretë juridik Kompania për prodhim, transport, tregti dhe shërbime “Bibaj DOOEL” në shumën totale të eksportit 30.865.886 denarë, të cilat janë pranuar para vitit 2020. Nuk i ka kthyer dhe nuk i ka shlyer, duke vepruar në kundërshtim me nenin 363 të Ligjit për marrëdhënie detyruese , sipas të cilit janë të vjetruara dhe duhet t’i fshihen dhe të ardhurat pas përfundimit të vitit të tretë, pra nuk i ka rritur të ardhurat në llogarinë fitim-humbje dhe ka treguar bazë tatimore më të ulët në llogarinë përfundimtare të dorëzuar dhe tepricën tatimore për tatimin mbi fitimin në shumë prej 30.865.886 denarë. Në këtë shumë nuk është llogaritur dhe paguar tatimi në fitim me normë tatimore prej 10 përqind në vlerë prej 3.086.588 denarë. Me veprimet e mësipërme, i pandehuri i parë B. F. në favor të personit juridik të dytë të paraqitur Shoqëria për prodhim, transport, tregti dhe shërbime ‘Bibaj Group DOOEL Export-Import’ Tetovë, nuk ka raportuar, nuk ka llogaritur dhe nuk ka paguar tatim në fitim me shkallë tatimore prej 10 përqind në vlerë të përgjithshme prej 8.130.479 denarë”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Policisë Financiare.
Këtë evazion i dyshuari e ka bërë gjatë viteve 2022 dhe 2023 dhe duke përdorur të njëjtën skemë nuk ka shlyer detyrimet tatimore në periudhën 2013-2018, as me kompanitë “Bibaj” dhe “Bibaj Group”.
Sipas Policisë Financiare, gjatë vitit 2023, i dyshuari për llogari të kompanisë “Pro Tire” nuk ka shlyer dhe fshirë detyrimet e vjetruara në bazë të faturave të marra nga “Bibaj Group” të kryera dhe evidentuara para vitit 2020, për të treguar një bazë tatimore më të ulët.
Siç raporton Policia Financiare, rasti me kompaninë “Raen” ka qenë identik, me dallimin e vetëm në shumat që nuk janë regjistruar për të shmangur taksën.
“Me veprimet e lartpërmendura të kundërligjshme, B.F. me qëllim të uljes së detyrimit tatimor për përcaktimin e tatimit në fitim për të shmangur pagesën e tatimit në periudhën nga viti 2013 deri në vitin 2023, nuk ka raportuar, nuk ka llogaritur dhe nuk ka paguar tatim në fitim me shkallë tatimore prej 10 përqind në vlerë të përgjithshme prej 16.085.644 denarë”, thuhet në njoftimin e Policisë Financiare.