LSDM për votimin në OKB: Qeveria vetëm me një lëvizje bëri dëm të dyfishtë ndaj partneriteteve strategjike me BE-në dhe SHBA-në

Votimi i djeshëm i delegacionit të Maqedonisë së Veriut në Kombet e Bashkuara pas rezolutës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga njëra anë dhe asaj të dorëzuar nga Ukraina dhe të sponsorizuar nga Bashkimi Evropian nga ana tjetër, u vlerësua sot nga Lidhja Social Demokrat (LSDM) e opozitës si skandaloz, duke thënë se vendime […]

shkurt 25, 2025 - 19:00
 0  5
LSDM për votimin në OKB: Qeveria vetëm me një lëvizje bëri dëm të dyfishtë ndaj partneriteteve strategjike me BE-në dhe SHBA-në
Foto: Selia e LSDM-së

Votimi i djeshëm i delegacionit të Maqedonisë së Veriut në Kombet e Bashkuara pas rezolutës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga njëra anë dhe asaj të dorëzuar nga Ukraina dhe të sponsorizuar nga Bashkimi Evropian nga ana tjetër, u vlerësua sot nga Lidhja Social Demokrat (LSDM) e opozitës si skandaloz, duke thënë se vendime të tilla tregojnë amatorizëm të plotë në drejtimin e politikës së jashtme të vendit, transmeton Portalb.mk.

Partia opozitare kujton se vendi votoi “abstenim” për rezolutën e Ukrainës dhe BE-së, e cila dënon agresionin e Moskës dhe se, përveç Hungarisë, ishte i vetmi vend evropian që nuk e mbështeti këtë dokument.

Gjithashtu, Maqedonia e Veriut votoi me abstenim edhe për deklaratën për Ukrainën të dorëzuar nga SHBA-të, edhe pse ishte bashkë-sponsor i saj me vendim të autoriteteve në vend.

Lidhja Socialdemokrate thotë se vetëm me një lëvizje Qeveria i ka bërë dëm të dyfishtë partneriteteve strategjike me BE-në dhe SHBA-në.

“Qëndrimi i LSDM-së në lidhje me luftën në Ukrainë është i qartë, i vendosur dhe në linjë me BE-në – Rusia është agresore dhe ka kryer një pushtim të pajustifikuar dhe të paprovokuar të Ukrainës, e cila është një shtet sovran dhe i pavarur. Ky qëndrim është parimor dhe i pandryshuar. LSDM mbetet e përkushtuar ndaj parimeve të mbështetjes së pavarësisë dhe integritetit territorial të Ukrainës, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe qëndrimet e përbashkëta të Bashkimit Evropian”, thuhet në deklaratën e LSDM-së.

Sipas partisë, partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është thelbësor dhe duhet të ndërtohet dhe forcohet vazhdimisht, por në të njëjtën kohë diplomacia maqedonase duhet të mbetet e fokusuar në interesin tonë kyç shtetëror – integrimin evropian. Partneriteti me SHBA-në, shtohet, duhet të shërbejë për përshpejtimin dhe përfundimin me sukses të procesit të integrimit evropian.

Nga ana tjetër, kryeministri aktual Hristijan Mickoski, sipas LSDM-së, udhëheq politikën ndërkombëtare pa koordinim dhe konsultim më të gjerë për çështje të rëndësishme dhe bën gabime të mëdha.

“Është e papranueshme që vendimet që kanë rëndësi strategjike për të ardhmen e vendit të merren me nxitim dhe arbitraritet. Vendimet për pozicionin ndërkombëtar të shtetit duhet të merren në mënyrë transparente, me koordinim të të gjitha institucioneve përkatëse dhe në përputhje me partnerët tanë strategjikë”, thonë nga partia opozitare.

Nga atje insistojnë në një politikë të jashtme të qartë, konsistente dhe të harmonizuar, e cila do të respektojë dhe forcojë partneritetet tona ndërkombëtare, dhe në të njëjtën kohë do ta çojë vendin drejt qëllimit parësor strategjik – anëtarësimit në Bashkimin Evropian, thekson LSDM, ndërsa për nesër kanë paralajmëruar konferencë për media në të cilën lideri i partisë, Venko Filipçe, do të shpallë në detaje qëndrimet e partisë për këto çështje.

Ndaj akuzave të LSDM-së ka reaguar VMRO-DPMNE në pushtet, nga ku thonë se delegacioni i Maqedonisë ka votuar në përputhje me SHBA-në, dhe kritikat e opozitës për politikën e jashtme të Qeverisë nuk janë gjë tjetër veçse “xhelozi dhe dëshpërim për rejtingun e vet politik”.

“LSD është paraqitur në mënyrë të rreme si parti properëndimore, por në fakt është parti komunistësh. LSDM në mënyrë të rrejshme u paraqit si mik i SHBA-së, dhe përdori ndjenjën properëndimore të popullit, këtë e shohin tani qytetarët dhe partnerët tanë strategjikë. Qeveria e VMRO-DPMNE-së është e përkushtuar fuqishëm për forcimin e partneritetit transatlantik, LSDM-së i pëlqen apo jo, kështu do të vazhdojë”, thuhet në reagimin e VMRO-së.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (OKB), dje në përvjetorin e tretë të luftës ruso-ukrainase, miratoi rezolutën e përgatitur nga Kievi, e cila u nënshkrua nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) dhe e cila bën thirrje për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe dënon agresionin rus kundër vendit.

Nga ana tjetër, rezoluta e paraqitur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), e cila kërkon përfundimin e luftës, por pa përmendur shprehimisht agresionin rus, u miratua, por mori mbështetjen e më pak vendeve anëtare të organizatës botërore, pasi teksti i propozuar më parë u modifikua, pas amendamenteve të paraqitura nga disa vende.

Kryeministri Hristijan Mickoski dje, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, informoi se Maqedonia është bashkësponsor i projekt-rezolutës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për Ukrainën, pa dhënë më shumë detaje.

Kryeministri nuk dha shpjegim konkret se përse vendi vendosi të mbështesë atë amerikane dhe jo propozim-rezolutën që është dorëzuar njëkohësisht nga Bashkimi Evropian dhe Ukraina. Në lidhje me këtë çështje, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme bëri një njoftim paditën e djeshme, nga ku u tha se vendimet për të mbështetur rezolutat në OKB janë marrë në bazë të një hulumtimi dhe analize të plotë të lëvizjeve aktuale të politikës së jashtme globale, qëndrimeve të vendosura të aktorëve me ndikim ndërkombëtar, përkushtimit të vendit për forcimin e paqes, sigurisë dhe prosperitetit, krijimit të një pozicioni të fortë të partneritetit në botë.