Opozita kosovare po nxit tensione të rrezikshme !!
Shkruan: Naser SELMANI Po bëhen gati tre muaj nga zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë dhe vendi ende nuk ka arritur të konstituojë Kuvendin – institucioni që përfaqëson vullnetin politik të qytetarëve të saj. Kjo bllokadë nuk ka tjetër shpjegim përveç refuzimit të opozitës për të pranuar rezultatin zgjedhor. Në vend të respektimit të vullnetit të […]

Shkruan: Naser SELMANI
Po bëhen gati tre muaj nga zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë dhe vendi ende nuk ka arritur të konstituojë Kuvendin – institucioni që përfaqëson vullnetin politik të qytetarëve të saj. Kjo bllokadë nuk ka tjetër shpjegim përveç refuzimit të opozitës për të pranuar rezultatin zgjedhor. Në vend të respektimit të vullnetit të sovranit, partitë opozitare po përpiqen me metoda të fshehta e jodemokratike të pengojnë formimin e institucioneve të reja.
Përmes një qëndrimi që ngjan më shumë me kokëfortësinë e një fëmije sesa me maturinë që u takon përfaqësuesve politikë, opozita kosovare po dërgon një mesazh zhgënjyes për qytetarët shqiptarë të Kosovës. Ajo nuk ndalet vetëm në refuzimin e verifikimit të mandateve të deputetëve të zgjedhur, por shkon më tej – duke sfiduar drejtpërdrejt vullnetin politik të qytetarëve, të shprehur në mënyrë të lirë dhe demokratike në zgjedhje.
Nëse deputetët e këtyre partive e njohin dhe e respektojnë sistemin demokratik të shtetit të Kosovës, detyra e tyre është e qartë: me përulësi dhe përgjegjësi duhet të votojnë për verifikimin e mandateve. Sovrani e ka dhënë fjalën e tij. Çdo tentativë për ta kontestuar këtë është jo vetëm e pabazë, por edhe antikushtetuese. Nëse dikush është penduar që ka shpallur Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik, atëherë duhet ta thotë hapur – jo të minojë shtetin nga brenda.
Më shqetësues është fakti se përmes një sjelljeje të papërgjegjshme dhe antishtetërore, partitë PDK, LDK dhe AAK po luajnë me zjarrin e destabilizimit. Retorika që nxit përplasje qytetare dëmton rëndë interesat e shtetit të Kosovës dhe, në mënyrë indirekte, legjitimon narrativën agresive të Serbisë, e cila vazhdon të mohojë pavarësinë e Kosovës.
Asnjë forcë politike, pavarësisht historisë apo emrave të mëdhenj që ka brenda saj – madje as figura të shquara të luftës si Ramush Haradinaj – nuk ka të drejtë morale apo politike të luajë me fatin e Kosovës. Ky është mohimi më i madh i asaj për të cilën thuhet se kanë luftuar: për një Kosovë të lirë, demokratike dhe me institucione funksionale.
Veçanërisht problematike është gjuha e përdorur nga kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili deklaron se ai ka krijuar Ushtrinë e Kosovës. Një deklaratë e tillë, përveçse e pasaktë, është thellësisht antikushtetuese. Ushtritë nuk i krijojnë individët, por institucionet. Roli i Haradinajt si kryeministër në miratimin e ligjeve për Forcën e Sigurisë së Kosovës ka qenë i rëndësishëm, por ai ishte vetëm duke përmbushur detyrimet e tij institucionale. Të shndërrosh një detyrë shtetërore në pronë personale është shprehje e një mentaliteti të rrezikshëm.
Haradinaj dikur deklaronte se qytetarët e Kosovës duhet të qëndrojnë “në rresht” – domethënë në rend, ligj dhe shtet. Atëherë lind pyetja: pse sot, për interesa të ngushta politike, dëshiron të dalë nga ai rresht? Në emër të kujt?
Qytetarët e Kosovës, sot si dikur, janë për rend, për shtet dhe për respektimin e institucioneve. Ata që zgjedhin të shkojnë kundër këtij vullneti, e njollosin vetveten dhe dëmtojnë vetë shtetin që pretendojnë se e kanë ndërtuar.
Edhe më e papranueshme është gjuha e urrejtjes që Haradinaj ka përdorur kundër fituesit të zgjedhjeve, Albin Kurtit. Ta akuzosh atë si agjent të Serbisë, vetëm sepse të ka mënjanuar nga skena politike, është jo vetëm shpifje, por edhe tregues i një paaftësie për të bërë opozitë të denjë. Nëse Kurti vërtet do të ishte një agjent i rrezikshëm, siç pretendohet, opozita duhet ta kishte demaskuar gjatë fushatës, jo tani që ka humbur.
Haradinaj dhe bashkëpunëtorët e tij e dinë shumë mirë se as Kurti nuk është agjent, dhe as shqiptarët nuk janë naivë. Por duket se e kanë të vështirë të pranojnë se ka ardhur koha për të hapur rrugën. Brezat e rinj kanë të drejtën të ndërtojnë opozitën e re, larg retorikës së vjetër dhe politikës së bazuar në frikë dhe kërcënime.
Kosova nuk është pronë private e askujt. Nuk është plaçkë për pazare politike dhe nuk mund të sakrifikohet për ambiciet e sëmura të individëve të zhgënjyer. Koha e heronjve të vetëshpallur ka mbaruar. Tani është koha e shtetit dhe e qytetarit.