Paralajmërimet për destabilizim vetëm luftë politike mes dy partive, me dokumentin BDI-ja tenton të vijë në pushtet
Tensionet me VMRO-së dhe BDI-së sa vijnë e rriten. Dy partitë, akuzojnë njëra-tjetrën se po bëhen përpjekje për destabilizimin e vendit. Dokumenti i BDI-së për institucionalizimin e parimit “fituesi me fituesin”, konsiderohet i vonuar dhe kjo do të kërkonte ndryshimin e Marrëveshjes së Ohrit, vlerësojnë analistët për Portalb.mk. Sipas tyre, jo mund të jetë strategji […]
Tensionet me VMRO-së dhe BDI-së sa vijnë e rriten. Dy partitë, akuzojnë njëra-tjetrën se po bëhen përpjekje për destabilizimin e vendit. Dokumenti i BDI-së për institucionalizimin e parimit “fituesi me fituesin”, konsiderohet i vonuar dhe kjo do të kërkonte ndryshimin e Marrëveshjes së Ohrit, vlerësojnë analistët për Portalb.mk. Sipas tyre, jo mund të jetë strategji e BDI-së për të marrë rezultate të mira në zgjedhjet e ardhshme lokale ose se me një dokument i tillë po tentohet të shfrytëzohet për qëllime të klaneve politike për të ruajtur statusin ose për tu mbrojtur nga kundërshtarët politikë.
“Nuk besoj se ky dokument që del nga BDI do të ketë ndonjë ndikim në veprimtarinë e institucioneve në Maqedoni të Veriut, pasi nuk është obligues dhe po ky dokument vjen shumë vonë ose mund të quhet si dokument për të ardhur në pushtet e jo për institucione funksionale. Të gjithë do të donim të shohim një draft që me të vërtetë është marrë seriozisht nga një parti politike, por pasi BDI ka pasur kohë për më shumë se dy dekada, koha dhe forma tregon se dokumenti po tentohet të shfrytëzohet për qëllime të klaneve politike për të ruajtur statusin ose për tu mbrojtur nga kundërshtarët politikë”, thotë analisti Selim Ibraimi.
Lidhur me protestat e paralajmëruara, ai shton se, mund të keqpërdoren dhe qytetarë të pafajshëm mund të bien nën ndikimin e BDI-së.
“Duhet parë me kujdes se si BDI mendon të organizojë protesta. Mosdëgjueshmëria institucionale është tepër e vonuar, andaj në këtë kohë, protestat mund të bëhen pjesë e një trazire më të gjërë, duke u shfrytëzuar nga të tjerët. Andaj shqiptarët në MV duhet të kenë kujdes nga njoftimet e tilla, pasi nuk e dimë se si do të reagojnë po ashtu organet e shtetit. Të ndodhur në mes VLEN-it që pretendon drejtësi dhe BDI që thotë se po nënshtrohen shqiptarët, votuesit nuke dinë cillën anë të mbajnë. Është e dukshme që VMRO tenton të zhvillojë një luftë politike brenda qeverisë me prirje antishqiptare. Këtë VLEN nuk mund të mohojë. BDI mendoj se duhet të gjejë zgjidhje tjera për të ardhur në pushtet. Natyrisht dhe alarmuar botën për gjendjen në MV. Ndryshe nuk duken seriozë me metodat që kanë zgjedhur”, vlerëson Ibraimi.
Nga ana tjetër, njohësi i çështjeve politike në vend Petar Arsovski, thotë se institucionalizimi i rregullës ose paradigmës politike “fituesi me fituesin”, kërkon ndryshimin e Marrëveshjes së Ohrit, pasi në këtë marrëveshje, mbrojtja nga majorizimi është paraparë me mekanizmin e Badenterit dhe jo me principin “fitues me fitues”. Nëse këtë e zhvilloni në përfundimin logjik, shton ai, mund të çojë edhe në një parlament dy-dhomësh.
“Kështu që në këtë drejtim të gjitha idetë politike, janë krejt në rregull pasi pasi bëhet fjalë për demokraci. Secila parti politike ka të drejtë t’i promovojë idetë e veta politike, ashtu siç mendon se është më mirë”, thotë Arsovski.
Ai është në linjë të ngjashme me Selimin, se BDI-ja në këtë formë po tenton të vijë në pushtet, duke u përpjekur që në zgjedhjet e ardhshme lokale të marrë rezultate të mira dhe kështu t’i bëjë presion VMRO-së.
“Kur bëhet fjalë për njoftimet për destabilizim të mundshëm, unë mendoj se megjithatë për BDI-në, strategjia e parë politike do të jetë deri në zgjedhjet lokale 2025, të mbahen në burime të pastra politike. Domethënë, ata përpiqen që në Zgjedhjet lokale të marrin rezultat të mirë dhe me at t’i bëjnë presion shtesë VMRO-DPMNE-së t’i marrë ata në Qeveri në vend të VLEN-it. Nëse ajo strategji nuk ka sukses dhe do të kishin rezultat të keq në zgjedhjet lokale, atëherë e përjashtoj mundësinë e ndonjë eskalimi me protesta më serioze etj etj. Përndryshe protestat që BDI i paralajmëron deri atëherë, këto që i paralajmëron tani deri në shtator, janë plotësisht pjesë normale e demokracisë. Secili ka të drejtë të protestojë”, konsideron Arsovski.
Lidhur me atë nëse kjo mund të jetë një lojë politike midis dy partive, Arsovski thotë se teatro të tilla politike kemi parë edhe më përpara dhe nuk përjashtohet si mundësi, por për momentin tensionet dhe fushata negative midis VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së është aq e fuqishme sa vlerëson se megjithatë këtë herë bëhet fjalë për lëvizje të pavarura dhe jo të dakorduara midis dy partive.
Për paralajmërimet e BDI-së, Portalb.mk kërkoi qëndrimin e Delegacionit të BE-së në Shkup dhe Ambasadës amerikane. Nga kjo e fundit deri në momentin e publikimit nuk kemi marr ndonjë përgjigje, ndërsa nga Delegacioni i BE-së nuk dëshironin të komentonin situatën.
“Delegacioni i BE-së ndjek diskutimet dhe zhvillimet përkatëse politike në vend, por nuk komentojmë diskutimet e brendshme politike”, thuhet në përgjigje.
Kryeministri Hristijan Mickoski dhe kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti prej disa ditësh po akuzohen ndërmjet veti se po planifikojnë trazira në Maqedoninë e Veriut. Pas paralajmërimeve të kryeministrit Mickoski se zyrtarët e ish-qeverisë po përpiqen të provokojnë një konflikt ndëretnik, Ahmeti në takim me ambasadorin David Geer u ankua se Qeveria po krijon skenare për destabilizim të vendit a për të fajësuar të tjerë.
“Ahmeti gjithashtu foli për paralajmërimet tendencioze të Kryeministrit Mickovski për destabilizim duke shfaqur shqetësim për inskenime të qëllimshme qeveritare për fajësim të të tjerëve me qëllim të defokusimit të opinionit nga dështimet e qeverisë. ”, thuhej në njoftimin e BDI-së pas takimit të Ahmetit me ambasadorin Geer.
Ndërkohë, kryeministri Hristijan Mickoski tha se zyrtarët e ish-qeverisë po përpiqen të provokojnë një konflikt ndëretnik. Ai sërish nuk përmendi emra, por pretendon se “po bëhet nga elementë që kanë në dispozicion miliona para”
“Një pjesë e tyre janë zyrtarë të lartë të qeverive të mëparshme, të cilët po përpiqen të mobilizojnë njerëzit në terren, kryesisht për të manipuluar, ndërsa ajo që më shqetëson veçanërisht, ata po përpiqen të provokojnë konflikt etnik, domethënë të destabilizojnë harmoninë ndëretnike në Maqedonia. Kjo është ajo që më shqetëson më shumë sepse ata e kuptojnë se nuk mund t’i mobilizojnë njerëzit në asnjë mënyrë tjetër, e vetmja mënyrë është të provokojnë këtë lloj konflikti – ne nuk do ta lejojmë këtë. I bëj thirrje publikut, mediave, qytetarëve që të përmbahen nga çdo provokim. Herët a vonë, autorët e provokimeve të tilla do të përgjigjen, por ju lutemi të jeni të durueshëm”, tha Mickoski.
Pretendimet e kryeministrit janë në të njëjtën linjë me ato të zëvendëskryeministrit të parë nga radhët e koalicionit “VLEN”, Izet Mexhiti, i cili disa ditë më parë tha se një numër i vogël i njerëzve me para të zeza dëshirojnë destabilizimin e vendit për të shpëtuar lëkurën e tyre, por tregoi se nuk besonte se do të kishte një gjë të tillë.
Me rastin e shënimit të përvjetorit të 23-të të nënshkrimit të Marrëveshjes Paqësore të Ohrit, BDI-ja publikoi përmbledhje të shkurtër të propozim-platformës politike për mbrojtjen e legjitimitetit. Në këtë dokument ata pretendojnë zbatimin e masave, që “synojnë të arrijnë një rezultat konkret, siç është konsolidimi i një praktike ose i të drejte zakonore, në ligj ose prezantimi i një mase të re ligjore, veprimi politik i nivelit të lartë ka të bëjë edhe me strategjitë politike që mund të adoptohen për të promovuar narrativa gjithëpërfshirëse”.
“Drejtësia dhe barazia nuk mund të arrihen nëse grupi që duhet të përfaqësohet nën parimin e proporcionalitetit, në fakt është i privuar nga përfaqësimi, sepse përfaqësuesit që do të kishin mbrojtur më mirë interesat e tyre janë përjashtuar nga vendimmarrja ekzekutive”, thuhet në dokument.
Mickoski ka kohë që përmend mundësinë e destabilizimit, duke e lidhur me aktivitetet e planifikuara nga BDI për në vjeshtë. Me të njëjtën tezë publikisht doli edhe ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski, por as ai nuk dha më shumë detaje.
Bashkimi Demokratik për Integrim ka njoftuar se nga shtatori se do të dalë në terren, pasi drafti i Pol Uilliamsit, i cili u angazhua nga BDI për të gjetur një zgjidhje për respektimin e legjitimitetit, u shqyrtua dje në Kryesinë Qendrore në Reçicë të Vogël. Këtë e tha për TV21, nënkryetari i partisë, Arbër Ademi.
Zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare në RMV u mbajtën me 8 maj 2024 së bashku me zgjedhjet e shtata presidenciale. Sipas rezultateve të 8 majit, VMRO-DPMNE fitoi 58 deputetë, Fronti Evropian 18, LSDM 18, VLEN 14, E Majta 6 dhe ZNAM 6.