Parku i Qytetit në Kumanovë i lënë përgjysmë dhe erësirë: Mungojnë ulëset dhe këndi i lojërave, komuna pa plan konkret
Restaurimi i Parkut të Qytetit në Kumanovë është lënë në gjysmë ndonëse hapsira ka marrë pamje të re pas punimeve që u kryen aty së fundmi. Megjithatë, kanë mbetur ende punë për tu bërë. Disa nga shqetësimet kryesore të banorëve janë mungesa e ndriçimit publik, mungesa e ulëseve dhe këndi i lojërave për fëmijët. Komuna […]
Restaurimi i Parkut të Qytetit në Kumanovë është lënë në gjysmë ndonëse hapsira ka marrë pamje të re pas punimeve që u kryen aty së fundmi. Megjithatë, kanë mbetur ende punë për tu bërë. Disa nga shqetësimet kryesore të banorëve janë mungesa e ndriçimit publik, mungesa e ulëseve dhe këndi i lojërave për fëmijët. Komuna e Kumanovës nuk ka plan konkret për zgjidhjen e këtyre problemeve, shkruan Portalb.mk.
Përveç problemeve infrastrukturore, qytetarët ankohen edhe për mosmirmbajtje të parkut.
Jeton Ismaili, banor i Kumanovës për Portalb.mk, thotë se kërkesat e qytetarëve duhet të merren më seriozisht dhe parku të rregullohet. Ai tha se shpeshherë kur del të ecë në park, nuk ka mundësi ku të ulët për të pushuar.
“Përveç mungesës së ulëseve, mungesa e ndriçimit është problem tjetër i parkut të qytetit, ku tani gjatë stinës së verës, nuk do të jenë kushtet e duhura për të vizituar parkun edhe gjatë natës, sidomos me fëmijë, pasi gjatë natës për shkak mungesës së ndriçimi, parku bëhet edhe një strehë e qenve endacak”, tha Ismaili.
Këshilltari komunal nga radhët e AKI-së, Huzeir Mustafa, për Portalb.mk, tha se gjatë intervenimit të fundit në parkun e qytetit nuk u fut sistemi i ujitjes nga nëntoka dhe hapësira e gjelbër nuk mirëmbahet vazhdimisht, derisa në bazë të projektit është paraparë të vendoset këndi i lojërave, ulëse smart dhe fitnes qendër.
Por, siç tha ai, të gjithë këto nuk janë vendosur ende dhe për momentin në Parkun e Qytetit ka vetëm asfalt, shteg për biçikleta me tartan dhe fusha e basketbollit.
“Parku ka marr pamje të re por është lënë gjysmak dhe punët tjera që janë paraparë me projekt janë lënë në harresë. Këndi i lojërave që është për momentin aty, është një investim privat i një mërgimtari tonë dhe për më shumë se 10 vite autoritetet lokale nuk e kanë parë të arsyeshme të rinovojnë këndin e lojërave. Arsyetimet e kryetarit të Komunës janë se të tjerët do të vazhdohen kur Komuna do të ketë mjete. Ndërkohë sa u përket smart-ulëseve, kryetari gjatë seancës ka thënë se nuk do të dërgohen në Parkun e qytetit, pasi disa të tjera që janë dërguar janë demoluar, kjo është tragjedi në vete, por nuk duhet të jetë arsyeje për të mos e mirëmbajtur në vazhdimësi parkun”, tha Mustafa.
Ai shtoi se brenda parkut nuk ke vend ku të ulesh dhe qytetarët që dalin për të pushuar ulen në hapësirat e gjelbra. Ndërsa theksoi se për këtë vit në buxhetin e Komunës nuk është paraparë asgjë të punohet aty, me shpresë se në buxhetet e ardhshme do të përfshihet mirëmbajtja e vazhdueshme e parkut.
Nga ana tjetër, nga Komuna e Kumanovës për Portalb.mk, deklaruan se do të merren masa për ndriçimin, por nëse krijohen kushte për burime financiare në Buxhetin e Komunës.
“Sa u përket pajisjeve tjera brenda parkut, nuk është paraparë rindërtimi i tyre. Ata po prishen vazhdimisht, ku në një periudhë të shkurtër kohore janë prishur 12-13 stola, dhe këndi i lojërave të fëmijëve është gjithashtu i ekspozuar ndaj shkatërrimit nga qytetarët e pakujdesshëm”, thanë nga Komuna e Kumanovës.
Derisa autoritetet lokale presin që të ketë buxhet të mjaftueshëm për të intervenuar në parkun e qytetit, qytetarët vazhdojnë të shëtisin në terr dhe të mos kenë mundësi të ulen gjatë ecjeve apo aktiviteteve tjera në park.