Pas azilit politik për Gruevskin, miku i VMRO-së Viktor Orban u prit me nderime të larta në Ohër

Vizita e kryeministrit Viktor Orban është e para në vend nga ndonjë përfaqësues i lartë ndërkombëtar, prej kur me qeverinë udhëheqë kryeministri Hristijan Mickoski. Lidhja, e Orbanit me Maqedoninë e Veriut është më tepër partiake sesa shtetërore, shkruan Alsat, transmeton Portalb.mk. Në fakt edhe partia e Orbanit edhe VMRO-DPMNE-ja bëjnë pjesë në grupin e Partisë […]

shtator 27, 2024 - 16:00
 0  6
Pas azilit politik për Gruevskin, miku i VMRO-së Viktor Orban u prit me nderime të larta në Ohër
Viktor Orban dhe Hristijan Mickoski. Foto: Qeveria e RMV-së

Vizita e kryeministrit Viktor Orban është e para në vend nga ndonjë përfaqësues i lartë ndërkombëtar, prej kur me qeverinë udhëheqë kryeministri Hristijan Mickoski. Lidhja, e Orbanit me Maqedoninë e Veriut është më tepër partiake sesa shtetërore, shkruan Alsat, transmeton Portalb.mk.

Në fakt edhe partia e Orbanit edhe VMRO-DPMNE-ja bëjnë pjesë në grupin e Partisë Popullore Evropiane, të cilat kanë pikëpamje ideologjike konservatore.

Për herë të fundit Orban e ka vizituar vendin në vitin 2013-të, kur në pushtet ishte VMRO-DPMNE-ja, asokohe e udhëhequr nga Nikolla Gruevski.

Me këtë rast, presidenti Gjorge Ivanov, i cilësuar si i dëgjueshëm i Gruevskit, e dekoroi me çmim “8 Shtatori” për “përpjekjet e tija të shumta për forcimin e marrëdhënieve miqësore”.

Relacionet Gruevski-Orban, kanë ndikuar edhe në politikat shtetërore të vendit. Për shembull, Orban, në vitin 2014-të u shpalli luftë organizatave civile, të cilat monitoronin proceset demokratike në Hungari, nën akuzën “për aktivitet politik të paguar”, e prapa të cilave sipas Orbanit qëndronte miliarderi amerikan Xhorxh Soros.

Tre vjet më vonë, të njëjtin aksion e kreu edhe Nikolla Gruevski, i cili akuzonte organizatat civile në vend se janë dorë e zgjatur e interesave të huaja dhe financohen nga miliarderi Xhorxh Soros, me qëllim që ta rrëzojnë nga pushteti.

Orbani dhe miku i tij Gruevski kanë pasur pikëpamje të njëjta edhe për çështjen e mediave. Në vitin 2010, Hungaria miratoi ligj të ashpër për mediat, me të cilin u kundërshtuan politikat evropiane, duke vendosur dhjetëra mijëra euro gjoba për mediat të cilat prekin “dinjitetin njerëzor” apo raportojnë në mënyrë të “pabalancuar”.

Pushteti i Gruevskit, filloi të kopjonte modelin e Orbanit dhe futi duart nëpër media, duke shpërndarë propagandë. Gjatë kësaj kohe u mbyll dhe televizioni A1, e cila kishte politikë editoriale kundër pushtetit.

Një vit pasi Gruevski ra nga pushteti, BIRN, raportoi se kompani hungareze të afërta me Orbanin, po investojnë në mediat e afërta me VMRO-DPMNE-në, duke përmendur televizionin “Alfa” dhe ueb-portalet “Republika” dhe “Kurir”.

Miqësia mes Gruevskit dhe Orbanit u dëshmua edhe në kohërat më të vështira. Orban e strehoi në Budapest si azilant politik Gruevskin, i cili u arratis nga vendi derisa kërkohej për t’u dërguar në burg.

Strehimi i Gruevskit u bë lajm i përmasave ndërkombëtare, duke e pasur parasysh karakterin e rastit që një ish-kryeministër i akuzuar dhe dënuar për korrupsion nga një shtet që pretendon të jetë evropian, është strehuar nga një shtet evropian. Rastësisht ose jo, edhe dy ish agjentët e Shërbimit Sekret, Goran Grujoski dhe Nikolla Boshkoski të cilët akuzoheshin për përgjimet e paligjshme, pasi u arratisën prej Maqedonisë u kapën në Greqi duke tentuar të ikin për në Hungari.

Gjatë kohës së qeverisjes së LSDM-së, Hungaria ka vazhduar ta mbështesë vendin në rrugën euro-atlantike, ndonëse marrëdhëniet diplomatike nuk kanë qenë të nivelit të mëparshëm. Orban, më shpesh takohej me përfaqësuesit e VMRO-së, asokohe opozitare se sa përfaqësuesit shtetëror.

Miqësia shtetërore u rizgjua vetëm pasi erdhi në pushtet VMRO-DPMNE-ja, e cila menjëherë theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik me shtetin mik hungarez – të cilin, e shpalli dhe shtet partner.

Si për fillim, Hungaria i ka aprovuar Maqedonisë një kredi me vlerë prej 500 milionë eurosh me normë interesi të ulët, të cilin, vendi ynë duhet t’ia paguaj në afat prej 15 vitesh. Veç kësaj, qeveria ka paralajmëruar se një operator telekomunikimi hungarez me emrin “4iG Grupacion” ka shprehur interes të futet në tregun e Maqedonisë së Veriut.

Paralajmërimit, i ka paraprirë një vizite të ministrit të Transportit Aleksandar Nikollovski në Budapest, në të cilën është takuar edhe me kryetarin e “4iG” Grupacion”. Sinjalet nga qeveria jonë janë pozitive, nën arsyetimin se përfshirja e operatorit hungarez do të ndikojë pozitivisht në rritjen e konkurrencës dhe uljen e çmimeve për shërbimet e telefonisë fikse dhe mobile.

Orban në planin ndërkombëtar është një ndër figurat më kundërthënëse të Evropës, i cili cilësohet si i afërt me presidentin rus Vladimir Putin dhe mbështet hapur kandidaturën e Donald Trumpit për president të SHBA-së.

Në vitin 2015-të, Orbanin, i cili nuk i dëgjonte rekomandimet e Komisionit Evropian, presidenti i KE-së, Zhan Klod Junker, me shaka e quajti diktator”.

Prej 1 korrikut të këtij viti, Hungaria udhëheqë me Presidencën e Këshillit të BE-së, ndërkaq Orban ka shkaktuar zemërim te liderët evropian me vizitat e tij në Rusi dhe Kinë, ku u takua me presidentët Vladimir Putin dhe Xi Jinping.