Pas shumë zvarritjeve u formua grupi i përbashkët i punës për rrugën Tetovë – Prizren

Pas shumë zvarritjeve është formuar grupi i përbashkët i punës midis Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës për rrugën Tetovë – Prizren, shkruan Portalb.mk.  Nga Maqedonia e Veriut anëtarët e grupit të punës janë: Kaltrina Zekolli Shaqiri – zëvendësministre e Transportit, Magdalena Çurliov – këshilltare e ministrit të Transportit, Ragip Doçi – këshilltar i ministrit të […]

Prill 23, 2025 - 20:00
 0  4
Pas shumë zvarritjeve u formua grupi i përbashkët i punës për rrugën Tetovë – Prizren
Inspektimi i punëve në Kosovë për rrugën Prizren - Tetovë. Foto: Ministria e Transportit dhe Lidhjeve (RMV)

Pas shumë zvarritjeve është formuar grupi i përbashkët i punës midis Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës për rrugën Tetovë – Prizren, shkruan Portalb.mk

Nga Maqedonia e Veriut anëtarët e grupit të punës janë: Kaltrina Zekolli Shaqiri – zëvendësministre e Transportit, Magdalena Çurliov – këshilltare e ministrit të Transportit, Ragip Doçi – këshilltar i ministrit të Mjedisit, Aleksandar Stojanov – këshilltar në Ndërmarrjen për Rrugë Shtetërore dhe Arsim Qoku – udhëheqës i sektorit për Investime me fonde nga IFI dhe BE-ja në Ndërmarrjen Publike për Rrugë Shtetërore. 

“Jam plotësisht i bindur se nëpërmjet zbatimit të kësaj Marrëveshjeje të rëndësishme strategjike për të dyja vendet tona, dhe nëpërmjet dialogut të qëndrueshëm dhe bashkëpunimit strategjik, ne mund të kontribuojmë së bashku në modernizimin e mëtejshëm dhe rritjen e efikasitetit të rrjeteve tona të transportit. Duke vepruar kështu, ne do të krijojmë përfitime të ndërsjella për vendet tona dhe do të forcojmë lidhjen dhe prosperitetin rajonal”, thuhet në letrën e dërguar më 14 prill 2025 nga ministri i Transportit i RMV-së, Aleksandar Nikolloski derjtuar ministrit të Mjedisit të Kosovës, Liburn Aliut 

Ndërsa nga Kosova anëtarët e grupit të punës janë: Rexhë Osmani, Rekrije Hadri, Ganimete Salihu, Arianit Sadiiku dhe Aferdita Shkoreti.

“Pala kosovare është e gatshme dhe e hapur për bashkëpunim, andaj kemi kënaqësinë të merrni pjesë në takimet në të cilat do të thellohej akoma më tepër bashkëpunimi ynë drejt arritjes së rezultateve konkrete, duke ndjekur gjithmonë hapat e Marrëveshjes të nënshkruar nga të dy palët”, thuhet në letrën e dërguar më 22 tetor 2024 nga ministri i Mjedisit të Kosovës, Liburn Aliu drejtuar ministrit të Transportit të RMV-së, Aleksandar Nikolloskit. 

Në fazën e ardhshme, siç informoi zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri, pritet koordinim i ngushtë teknik dhe institucional për të kaluar në projektim e më pas në zbatim. 

“Po ashtu, buxheti për fazën e projektimit të tunelit – pjesë kyçe e kësaj rruge – tashmë është i ndarë në buxhetin vjetor të Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke garantuar stabilitetin financiar dhe angazhimin institucional për realizimin e plotë të projektit”, informoi Zekolli Shaqiri. 

Më 23 janar 2025 zëvendësdrejtori i Rrugëve Shtetërore Nazim Taipi përmes një njoftimi tha se “Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore ka përfshirë në programin e vitit 2025 Rrugën Tetovë – Prizren (fillimi i procedurave për projektin). 

Kujtojmë që më 9 janar 2025 edhe kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami tha se në vitin 2025 do të shpallet tenderi për projektimin e tunelit. 

Në Kosovë me 13 gusht 2024 filluan punimet për rrugën Prizren – Tetovë. Paraprakisht me 2 gusht 2024 Kosova nënshkroi kontratat për realizimin e punimeve për këtë projekt. Ndërsa më 23 maj 2024 në Kuvendin e Republikës së Kosovës u miratua propozimi për ratifikimin e marrëveshjes për bashkëfinancimin e punimeve në rrugën Tetovë – Prizren.

Sipas marrëveshjes së nënshkruar në Shkup në janar 2024 , vetëm për finalizimin e dokumenteve për projektimin e tunelit që do ta lidh këtë rrugë do të duhen një vjet e gjysmë, që do të thotë deri në mes të vitit 2026.

18 muaj është afati për kompletimin e dokumentacionit të projektit për ndërtimin e tunelit për rrugën Tetovë – Prizren, ndërkaq financimi i ndërtimit të tunelit do të bëhet në vlerë proporcionale, sipas gjatësisë së tunelit në territorin e secilës anë. Kjo mes tjerash është e përfshirë në marrëveshjen mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren, të cilën Portalb.mk e publikoi ekskluzivisht.

Aktualisht prej Tetovës në Prizren, rruga është 109 kilometra, ndërkaq me rrugën e re parashikohet të shkurtohet për 69 kilometra, gjegjësisht kjo rrugë do të jetë e gjatë 40.6 kilometra.

Kjo rrugë në të kaluarën është premtuar në shumë cikle zgjedhore në RMV, por pa realizim deri më tani.