Për herë të katërt u anulua seanca për zjarrin në spitalin modular të Tetovës ku u dogjën 14 persona 

Për të katërtën herë me radhë u anulua seanca për rigjykimin e rastit të zjarrit në spitalin modular të Tetovës ku u dogjën 14 persona. Shkak për këtë shtyrje u bë pushimi mjekësor i gjykatësit, shkruan Portalb.mk.  Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 18 mars në orën 10:00. “Fatkeqësisht përfundimi i procesit gjyqësor […]

Jan 15, 2025 - 14:00
 0  4
Për herë të katërt u anulua seanca për zjarrin në spitalin modular të Tetovës ku u dogjën 14 persona 
Seanca për zjarrin në spitalin modular të Tetovës (15 janar 2025). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Për të katërtën herë me radhë u anulua seanca për rigjykimin e rastit të zjarrit në spitalin modular të Tetovës ku u dogjën 14 persona. Shkak për këtë shtyrje u bë pushimi mjekësor i gjykatësit, shkruan Portalb.mk. 

Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 18 mars në orën 10:00.

“Fatkeqësisht përfundimi i procesit gjyqësor po vonohet, dëshira ime është që sa më parë të kemi përfundimin e tij, që drejtësia të jep fjalën e fundit. Nga drejtësia presim që ky gjyq t’i merr parasysh rekomandimet dhe vendimet e gjyqit më të lartë”, tha njëri nga të akuzuarit për këtë rast, ishdrejtori mjekësor i Spitalit të Tetovës Florin Besimi.

Rasti do të rigjykohet pasi Gjykata e Apelit të Gostivarit e ka kthyer lëndën në Gjykatën Themelore në Tetovë.

5 nëntor 2024 seanca u shty për shkak të mungesës së gjyqtarit Jordan Vellkovski. 

25 shtator 2024 seanca nuk u mbajt për shkak të mungesës së avokatit të njërit prej të akuzuarve. 

26 qershor 2024 seanca u shty për shkak të mungesës së përfaqësuesve të Spitalit Klinik të Tetovës. 

Pse erdhi deri te rigjykimi?

Pas gjykimit të parë në Gjykatën e Tetovës i cili përfundoi në qershor 2023, ku në bankën e të akuzuarve ishin ish drejtori mjekësor i Spitalit të Tetovës dhe ish drejtori ekonomik, mjeku përgjegjës për qendrën e Kovidit dhe Spitali i Tetovës, Gjykata e Apelit në Gostivar në maj 2024 vendosi që ta kthejë nga fillimi procedurën ndaj drejtorëve, pasi aktgjykimi i parë ka qenë i paqartë.

Prokuroria ka kërkuar që drejtorëve tu jepen dënime më të ashpra, ndërsa aktgjykimi lirues për mjekun të anulohet dhe lënda të kthehet në rigjykim.

Në rigjykim kthehet një pjesë e lëndës kundër dy ish drejtorëve të spitalit të Tetovës. Ndërsa aktgjykimin lirues për mjekun Boban Vuçevski e konfirmoi edhe Gjykata e Apelit në Gostivar.

Nga Gjykata e Apelit në aktgjykim kanë theksuar se Gjykata e Tetovës “nuk ka vepruar me kujdesin e duhur që të mund t’i vërtetojë me siguri të gjitha faktet juridike relevante”.

“Aktgjykimi është i paqartë, i pakuptueshëm dhe i papërshtatshëm për shqyrtim”, thuhet në atkgjykimin e Apelit.

Gjykimi i parë, jo për shkaqet e zjarrit

Në lidhje me zjarrin në modular pati një proces të gjatë gjyqësor me disa seanca, megjithatë askush nuk u thirr në përgjegjësi për shkaqet e zjarrit, por për vepra të tjera penale.

Me 1 vit e 6 muaj burg me kusht u dënuan ish drejtori mjekësor i Spitalit të Tetovës dhe ish drejtori ekonomik, kjo domethënë se ata nuk do të burgosen nëse për 3 vjet nuk kryejnë vepër të re penale. Mjeku përgjegjës për qendrën e Kovidit u lirua nga akuza. Ndërkaq, Spitali i Tetovës mori dënim prej 1 milion denarësh.

Drejtorët u dënuan në shkallën e parë sepse në spitalin modular nuk ka pasur aparate për fikjen e zjarrit, ndërsa mjeku u lirua nga përgjegjësia sepse në spitalin për Kovid-19 kishte futur njerëz nga jashtë.

Prokuroria ngriti aktakuzë për shkak se nuk ka pasur aparate për shuarjen e zjarrit, por jo edhe për shkaqet e zjarrit.

Për mos thirrjen në përgjegjësi për shkaqet e zjarrit, Portalb.mk ka raportuar vazhdimisht.

Asgjë të re nga Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion

Ende nuk ka vendim nga Prokuroria Publike për hetimin e dytë i cili zhvillohet për zjarrin në spitalin modular, pavarësisht se ka kaluar më shumë se një vjet që kur në gusht 2023 deklaruan se Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit është duke zhvilluar hetim tjetër për këtë tragjedi. Ky rast sipas Prokurorisë është në fazën e para marrjes së vendimit. Ndërkaq nga Prokuroria në dhjetor 2024 njoftuan se ende nuk kanë arritur të sigurojnë dokumentacionin shtesë.

Dokumentari i IRL-së, nxori në pah “të palarat”

Dokumentari “Vrasje në Tetovë”, të cilin IRL e publikoi në gusht 2023 tregon për një sërë lëshimesh gjatë ndërtimit të spitalit modular që sollën deri tek shpërthimi i zjarrit, edhe pse autoritetet u përpoqën ta përshkruajnë atë si një aksident të shkaktuar nga një lidhje e shkurtër e kabllos vazhduese.

Lëshime u konstatuan edhe në specifikimin teknik, në ndërtim, por edhe më pas në hetim. Në vend se si ndërtim, spitali është evidentuar si pajisje urbane, për të cilën nuk ka nevojë të respektohet ligji për ndërtim.

Shumë protesta për drejtësi

Në lidhje me mos sjelljen e drejtësisë për zjarrin e modularit dhe pas dokumentarit të IRL-së, familjarët dhe qytetarët kanë organizuar disa protesta.

Në protesta u kërkua të hapet procesi gjyqësor për shkaqet e zjarrit, rishqyrtim dhe shqyrtim të vendimeve nga hetimi paraprak në Gjykatën e Tetovës.

Familjarët e viktimave janë shprehur se nëse rasti përfundon këtu, do të shkojnë edhe në Gjykatën e Strazburgut apo e njohur ndryshe si Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Çfarë ndodhi?

Me 8 shtator 2021 në spitalin modular të Tetovës ku trajtoheshin pacientët me Kovid-19 ra një Zjarri i tmerrshëm dhe që mori me vete 14 jetë të pacientëve, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht.