Përdhosja e flamurit shqiptar në Maqedoninë e Veriut, u paralajmërua dënim për policin që e gjuajti flamurin shqiptar

Zëvendësministri për punë të brendshme në Maqedoninë e Veriut, Astrit Iseni, ka paralajmëruar sanksionimin e policit i cili e përdhosi flamurin shqiptar në Kumanovë, transmeton Portalb.mk. “Do të ketë një procedurë disiplinore kundër punonjësit të MPB-së që hodhi flamurin Shqiptar. Çdo punonjës i MPB-së ka detyrimin të respektojë ligjet dhe simbolet e të gjitha bashkësive […]

Nëntor 30, 2024 - 13:00
 0  3
Përdhosja e flamurit shqiptar në Maqedoninë e Veriut, u paralajmërua dënim për policin që e gjuajti flamurin shqiptar
Flamujt e Maqedonisë Veriut dhe Shqipërisë, shqiptar, maqedonas, flamur, flamuj, RMV, Albania, shqiperi

Zëvendësministri për punë të brendshme në Maqedoninë e Veriut, Astrit Iseni, ka paralajmëruar sanksionimin e policit i cili e përdhosi flamurin shqiptar në Kumanovë, transmeton Portalb.mk.

“Do të ketë një procedurë disiplinore kundër punonjësit të MPB-së që hodhi flamurin Shqiptar. Çdo punonjës i MPB-së ka detyrimin të respektojë ligjet dhe simbolet e të gjitha bashkësive etnike në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Mosrespektimi i këtyre detyrimeve do të sanksionohet pa përjashtim”, deklaroi Iseni.

Ai paralajmëroi që institucionet janë garancë për respektimin e tolerancës dhe të drejtave të të gjithë komuniteteve në Maqedoninë e Veriut, duke shtuar që dënon çdo përdhosje të flamurit maqedonas, shqiptare apo të ndonjë etnie tjetër.

“Sipas nenit 319 të Kodit Penal, kushdo që me dashje nxit përçarje, intolerancë ose urrejtje përmes fyerjes ose shkatërrimit të simboleve kombëtare ose fetare, do të mbajë përgjegjësi penale. Nuk do të lejoj që një sjellje e tillë, sidomos kur vjen nga një punonjës i Ministrisë së Punëve të Brendshme, të mbetet e pandëshkuar”, deklaroi Iseni.

Në rrjetet sociale u publikuan edhe pamje se si në Prilep është shkelur flamuri shqiptar nga disa të rinj me flamuj maqedonas.

Ndryshe, Gjykata Themelore Penale Shkup më 29 nëntor, duke vepruar sipas propozimit të Prokurorisë Publike, tre qytetarëve ua ka caktuar masën e paraburgimit prej 8 ditësh, për nxitje të tensioneve ndëretnike.

Paraprakisht, tetë persona u arrestuan për shkelje në disa baza, me rastin e të festës së Ditës së Flamurit Shqiptar. Të arrestuarit, thotë ministri, ishin të rinj të moshës 18, 19, 20 dhe 21 vjeç dhe njëri prej tyre është i mitur.