RMV, katër persona nga Gostivari dhe Struga nën hetim për veprën “organizatë terroriste”

Pas një hetimi disa mujor nga prokurori publik i Prokurorisë Themelore Publike për Parandalimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe Qendra Hetuese, si dhe nga hetuesit e Laboratorit të Forenzikës Digjitale, dje është kryer aksion në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme në rajonin e Strugës dhe Gostivarit. Janë ndaluar tre persona nga […]

dhjetor 16, 2024 - 20:00
 0  4
RMV, katër persona nga Gostivari dhe Struga nën hetim për veprën “organizatë terroriste”
Policia e RMV-së, Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Pas një hetimi disa mujor nga prokurori publik i Prokurorisë Themelore Publike për Parandalimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe Qendra Hetuese, si dhe nga hetuesit e Laboratorit të Forenzikës Digjitale, dje është kryer aksion në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme në rajonin e Strugës dhe Gostivarit. Janë ndaluar tre persona nga Gostivari dhe një nga Struga, për të cilët ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer veprën e Organizatës terroriste nga neni 394-a i Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.

“Sipas përmbajtjes së dispozitivit të Urdhrit për zhvillimin e procedurës hetimore, i dyshuari i parë, njëzet e një vjeçar banues në Gostivar, në fillim të këtij viti ka krijuar dhe koordinuar në mënyrë aktive një organizatë terroriste, ku përfshihen të dyshuarit tjerë dhe persona të tjerë të paidentifikuar nga vendi dhe jashtë vendit. Organizata, e bazuar në matricën ideologjike të organizatës së famshme terroriste ISIS, synonte të kryente një akt terrorist kundër objektivave civile –  objekteve publike. I dyshuari kryesor, në fillim të vitit 2024, formoi disa grupe në rrjetin social Telegram ku shprehu gatishmërinë dhe synimin e plotë për të kryer një sulm terrorist, si dhe nxitjen e individëve të tjerë për të kryer sulme terroriste në Evropë. Në grupe, ai ndau materiale propaganduese të ISIS-it të blera dhe ripërpunuara paraprakisht, duke rekrutuar anëtarë të rinj, duke bërë përpjekje për të blerë armë zjarri, si dhe duke ndarë udhëzime për prodhimin e pajisjeve shpërthyese të improvizuara që më pas do të përdoreshin për të kryer sulme terroriste”, thonë nga Prokuroria.

Duke pasur parasysh veprën penale për të cilën ngarkohen, rrethanat, si dhe faktin se janë plotësuar kushtet për caktimin e masës së paraburgimit, prokurori publik i gjykatësit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale Shkup sot propozoi që të dyshuarve t’ju caktohet paraburgim për një periudhë prej 30 ditësh.

Ndryshe, ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski, dje njoftoi se janë kryer bastisje në disa lokacione dhe se personat e përfshirë kanë qenë pjesë e organizatave terroriste, të cilët në bashkëpunim me persona jashtë vendit janë monitoruar nga organet kompetente të sigurisë për një kohë të gjatë dhe se për to është vepruar në koordinim me miqtë ndërkombëtarë të vendit.

“Kemi mjaft prova në drejtim të dyshimit të bazuar se këta persona kanë vepruar me qëllim të organizimit të ngjarjeve të padëshiruara në të ardhmen që mund të kërcënojnë sigurinë e Maqedonisë dhe të vendeve tjera. Qëllimi i tyre ishte të indoktrinonin njerëz të tjerë nga Ballkani, të cilët mund të vepronin në përputhje me qëllimet e tyre”, tha Toshkovski.