Pesë kandidatë në garën për kryetar të LSDM-së
Në garë për kryetar të LSDM-së kanë hyrë pesë kandidatë: Slavjanka Petrovska, Venko Filipçe, Jovan Despotovski, Zllatko Ristovski, të cilëve sot në mëngjes iu bashkua edhe Aleksandar Baidevski. Do të mund të votojnë të gjithë anëtarët e regjistruar. Kryetari i ri do të bëhet i ditur pas votimit më 30 qershor, transmeton Portalb.mk. Aleksandar Bajdevski […]
Në garë për kryetar të LSDM-së kanë hyrë pesë kandidatë: Slavjanka Petrovska, Venko Filipçe, Jovan Despotovski, Zllatko Ristovski, të cilëve sot në mëngjes iu bashkua edhe Aleksandar Baidevski. Do të mund të votojnë të gjithë anëtarët e regjistruar. Kryetari i ri do të bëhet i ditur pas votimit më 30 qershor, transmeton Portalb.mk.
Aleksandar Bajdevski është kandidati i pestë për kryetar të LSDM-së. Në 7 vitet e fundit ka qenë zëvendësministër për shoqërinë informatike dhe administratë, ndërsa më parë ka punuar edhe 6 vite në departamentin e çështjeve financiare të së njëjtës ministri.
Dje kanë paraqitur kandidaturat edhe figura të tjera të njohura partiake.
Ish-ministrja e Mbrojtjes, deputetja Sllavjanka Petrovska paralajmëron debate brenda partisë dhe LSDM-në si parti të fortë opozitare.
Ish-ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe premton disponueshmëri dhe ndryshime pozitive, rezultatet e të cilave shpejt do të bëhen të dukshme.
Drejtori i Drejtorisë për Zona Zhvillimore Industriale Teknologjike, Jovan Despotovski, ofron program që bashkon dhe nuk favorizon, siç bën Qeveria në hije.
Ish-nënkryetari i partisë, tash deputeti Fatmir Bytyqi, ka bërë të ditur në rrjetet sociale se nuk do të kandidojë, edhe pse shumë e prisnin. Ai bëri të ditur se mbetet në LSDM dhe se do të veprojnë “ndoshta si fraksion, ndoshta si grup, por pa kompromis me vlerat themelore socialdemokrate”.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të shqyrtojë të gjitha nominimet dhe do të shpallë se për kë mund të votojë anëtarësia më 30 qershor. Derisa rrjedh afati për regjistrimin e votuesve, të dielën partia do të mbajë kongresin e llogaridhënies për rezultatet e dobëta të zgjedhjeve.
Zgjedhjet e brendshme partiake në LSDM janë caktuar për 30 qershor dhe pasojnë pas dorëheqjes së kryetarit Dimitar Kovaçevski, i cili së bashku me kryesinë e partisë dha dorëheqje pas disfatës në zgjedhjet e dyfishta.
Në zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare në RMV që u mbajtën me 8 maj 2024 së bashku me zgjedhjet e shtata presidenciale, LSDM fitoi vetëm 18 mandate deputetësh. Ky rezultat u vlerësua si një humbje e thellë e LSDM-së, parti e udhëhequr në dy vitet e fundit nga ish-kryeministri Dimitar Kovaçevski.