Po planifikonin vr*asjen e një personi – u caktohet një muaj paraburgim pesë të arrestuarve në Pejë
Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve D.R., F.Q., SH.K., D.M. dhe R.B., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”


Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve D.R., F.Q., SH.K., D.M. dhe R.B., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” lidhur me veprën penale “veprimet përgatitore për vrasje të rëndë”.
Sipas njoftimit, gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës të Kosovës të datës 22.02.2025, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve D.R., F.Q., SH.K., D.M. dhe R.B., ashtu që të njëjtëve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, për secilin.
Gjykata po ashtu vlerësoj se nëse të pandehurit lihen në liri, të njëjtit mund të ndikojnë në prova, po ashtu mund të ndikojnë edhe në dëshmitarë si dhe mund të përsërisin veprat e njëjta penale ose mund të kryejnë sërish vepra tjera penale në rrethana të njëjta ose më të rënda.
“Gjykata konsideron se pesha e veprave penale është e natyrës së rëndë dhe rrezikshmëria shoqërore e tyre është tejet e lartë andaj caktimi i masës së paraburgimit është masë e domosdoshme në këtë rast penal dhe se çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale, pengimin e rrjedhës normale të kësaj procedure penale si dhe pengimin e përsëritjes së veprave penale”, thuhet tutje në njoftim.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.