Politika derdh lot krokodili për drejtësi!
Shkruan: Sefer TAHIRI Drejtësi ka në botën tjetër, në këtë botë ka ligje! Kjo është një thënie që korrespondon me të vërtetën në hemisferën civilizuese perëndimore, por jo me realitetin në Maqedoninë e Veriut. Sepse tek ne ka, por në fakt s’ka ligje! Humbja e jetës së Frosina Kullakovës, një e re, jeta e së […]
![Politika derdh lot krokodili për drejtësi!](https://lajmpress.org/wp-content/uploads/2025/02/seferssssss.jpg)
Shkruan: Sefer TAHIRI
Drejtësi ka në botën tjetër, në këtë botë ka ligje! Kjo është një thënie që korrespondon me të vërtetën në hemisferën civilizuese perëndimore, por jo me realitetin në Maqedoninë e Veriut. Sepse tek ne ka, por në fakt s’ka ligje!
Humbja e jetës së Frosina Kullakovës, një e re, jeta e së cilës u shua për shkak të pandëshkueshmërisë nga gjykatat nxori në sipërfaqe tërë llumin e madh që është grumbulluar nga sistemi, i cili vetëm drejtësi nuk prodhon.
Nxori në syprinë faktin që “të fortit” e bëjnë ligjin apo siç do të kishin thënë në Shqipëri “Ligjin e bën Maliqi”. Nxori mbi sistemin kënetor të drejtësisë faktin që ndarja e pushteteve në ligjdhënës, qeveritar dhe gjyqësor në vendin tonë është fiksion, nuk është fakt.
Keq, tepër keq. E drejta e jetës shpesh fatkeqësisht nuk garantohet nga institucionet, nga ata që nga paguhen nga buxheti për sigurinë tonë fizike. Ata e kanë lënë të lirë një person, i cili ka drejtuar veturën duke qenë i dehur dhe i droguar. Vetëm pse e ka pasur “shpinën e fortë”. Duke i lënë të lirë personat, që e luajnë rolin e “të fortit” në bulevardet e Shkupit, sistemi i shndërron rrugët e trafikut në të vdekjes.
Frosina sot, Almiri dje e shumë raste tjera përdëftuan edhe njëherë pafuqinë e qytetarëve, pafuqinë tonë karshi sistemit.
Kjo ngjarje natyrisht që është dhimbje e madhe për familjen Kullakov. Por për të gjithë ne dhimbje është keqpërdorimi politik i saj.
Politika në vend se të vendos rend të drejtësisë, ajo vetë kërkon drejtësi! Në vend se të krijonte mekanizma që sigurojnë shtet të së drejtës, ajo proteston për drejtësi.
Hipokrizi dhe vetëm hipokrizi.
Si nga pushteti, por edhe opozita! Pushteti i kaluar i LSDM-së dhe BDI-së, padyshim se në koordinim me VMRO-DPMNE-në ndikuan në zhbërjen e Prokurorisë Speciale, e drejtuar nga Katica Janeva, institucion ky që shihej si shpresë për drejtësi.
Politika shqiptare ndonëse nuk amnistohet, nuk ka pasur rol vendimmarrës mbi pushtetin e jurisprudencës ndër vite, edhe pse nominalisht nuk ka qenë pa pushtet.
BDI-ja ka pasur hiç më pak se 6 ministra të Drejtësisë.
Aktualisht VLEN-i nuk ka gjë në dorë në Ministrinë e Drejtësisë, sepse as ministri, zëvendësi apo sekretari shtetëror nuk janë shqiptarë.
Tani pak histori mbi dekonstruimin e derexhesë së gjyqësorit.
Shkojmë me radhë!
Lidhja Socialdemokrate e opozitës, e cila sot gjoja “lufton” për drejtësi është ajo që i vendosi mbrapshtë themelet e sistemit të ri shtetëror, duke vazhduar avazin e vjetër.
Është po ajo parti politike, e cila në 20 korrik të vitit 1995 miratoi Ligjin e Gjykatave, me të cilin “Kuvendi i Republikës i zgjedh dhe shkarkon gjykatësit, me propozim të Këshillit Gjyqësor Republikan”.
Pra, që në themelet e shtetit është shkelur parimi i ndarjes së pushteteve, pasi nuk është garantuar pavarësia normative dhe efektive e gjykatësve.
Kështu kemi pasur gjyqësor të kontrolluar politikisht nga socialdemokratët dhe kjo ka ndodhur deri në vitin 1998. Themi nga socialdemokratët pasi numri i gjykatësve shqiptarë në gjykatat themelore dhe të apelit ka qenë i vogël, meqë për themeloret kërkohej përvojë punë prej pesë viteve, ndërsa për gjykatat e apelit prej nëntë viteve. Ndikimi politik ishte i ngjashëm edhe ndaj sistemit të prokurorisë.
Edhe pas vitit 1998, kur në pushtet vjen VMRO-DPMNE-ja dhe Partia Demokratike Shqiptare, gjendja në gjyqësor ka qenë “status quo”, sepse instalimet e socialdemokratëve kanë vazhduar të ndajnë drejtësi.
Pas marrjes së statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian në vitin 2005, filluan reformat. Në 10 maj të vitit 2006, pak muaj para se të bie nga pushteti, LSDM-ja dhe BDI-ja miratuan Ligjin për Këshillin Gjyqësor, me të cilin Kuvendi më nuk ishte institucioni që zgjedh dhe shkarkon gjykatësit.
Kjo iu la në kompetencë Këshillit, si organ normativisht i pavarur shtetëror. Përbëhej nga 15 anëtarë, ndërsa për të mos e lënë të pavarur u parashikua që anëtar i tij të jetë edhe ministri i Drejtësisë.
Anëtarët tjerë ishin kryetari i Gjykatës Supreme, tetë anëtarë të zgjedhur nga gjykatësit, tre nga Kuvendi dhe dy që propozohen nga presidenti i shtetit.
Për herë të parë fillon respektimi i parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në Këshill, por edhe gjykata.
Edhe pas ndryshimeve ligjore, kontrolli politik nuk u ndal. Jo, që s’u ndal, por u shtua. Si ndaj gjykatave, ashtu edhe ndaj Prokurorisë Publike.
Pas ardhjes së VMRO-DPMNE-së në pushtet, në krye me Nikolla Gruevskin u formatua “gjyqësori Swarovski” përkatësisht zgjedhja e gjykatësve duke dhënë dhurata të shtrenjta. Gjykatës, prodhim i laboratorëve politike.
Në vend se me drejtësi, kanë gjykuar me porosi nga shtabi politik i VMRO- DPMNE-së. Ironia e fatit të jetë e madhe, zyrtarët e kësaj partie, përfshirë edhe ish shefin e kësaj partie, Gruevski u akuzuan nga prokuroria ose u dënuan për vepra të rënda kriminale.
Qeveria e re e Zoran Zaevit në vitin 2017 erdhi me parullën “Nuk ka drejtësi, nuk ka paqe ” dhe me plot shpresë se do të bëjë reforma të shpejta.
U formua Këshilli i ekspertëve për reformat në gjyqësor, por nuk funksionoi. U formua këshill i ri, i cili drejtohej nga vetë kryeministri.
Zaevi, krahas që ishte shef i qeverisë dhe kryetar i LSDM-së, u bë edhe kryetar i Këshillit të reformave në gjyqësor, dhe njëherësh ishte edhe kryetar i Këshillit për reformimin e administratës. Kjo do të thotë se nuk i dilte koha as sipas formulës 24/ 7, si truk marketingu i pararendësit të tij Gruevski.
Nuk ka ilustrim më të mirë që evidenton se gjyqësori është në këtë stad, se sa fakti që në Këshillin Gjyqësor të Shtetit kanë qenë të ulur njerëz të cilët nuk kanë as edhe një ditë përvojë pune si gjykatës.
Edhe kërkesa e kryeministrit për dorëheqjen e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor është e pamjaftueshme, pasi prapavija e saj mund të jetë zëvendësimi me kuadro tjerë “të dëgjueshëm”.
Por reformimi i gjyqësorit, si edhe i çdo sektori tjetër përveç anës politike, ka edhe anën tjetër të medaljes. Zaevi ka pohuar se kemi gjykatës që i kanë dërguar porosi sms, në të cilat pa fije turpi kanë ofruar shërbimet e tyre!
A drejtësi është dënimi me burg i vjedhësit e qebapëve në Veles, ndërsa në koordinim me politikën i lë të lirë kriminelët e “mëdhenj”! Kjo shpie edhe tek dyshimet e shqiptarëve lidhur me rastet Sopoti, i cili u pa se ishte gjykuar padrejtësisht, procesi “Monstra”, rasti i Harun Aliut, i Agim Behlulit e i Rexhail Qerimit nga Kumanova, e shumë e shumë të tjerëve. Prandaj proceset e montuara politike duhet të marrin fund!
Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu iu tha gjykatësve të deklarohen se si i kanë blerë orët e dorës që kushtojnë mbi 10 mijë euro dhe nëse kanë marrë mito duhet të largohen nga profesioni.
Këtu tek ne si gjithkund në Ballkan pjesa më e madhe e gjykatësve janë njerëz të pasur dhe si duket në uljen e korrupsionit nuk ka ndikuar as rritja e madhe e pagave mujore, përfshirë edhe atë prej 78 për qind. Vetingu apo justifikimi i pasurisë së çdo zyrtari të shtetit, përfshirë edhe të drejtësisë është një zgjidhje.
Derisa kjo nuk ndodh dhe gjykatat nuk bëhen të drejta, qytetarëve iu mbetet të luten që të mos kenë punë me organet e (pa) drejtësisë.
Platoni thoshte “Drejtësia në jetën e sjelljes së shtetit është e mundur, vetëm pasi ajo së pari të banojë në zemrat dhe shpirtrat e qytetarëve.”