Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani u pengua në Aeroportin e Shkupit, është tentuar t’i merret telefoni

Pas një incidenti me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit me kontrollin kufitar, opozita në vend kërkon zbardhjen e plotë të ngjarjeve. Zyra e Osmanit akuzoi autoritetet e Maqedonisë për shkelje të praktikës ndërkombëtare dhe të Konventës së Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, duke thënë se më 1 gusht, një anëtar i […]

gusht 2, 2024 - 17:30
 0  6
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani u pengua në Aeroportin e Shkupit, është tentuar t’i merret telefoni
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Foto: Erkin Keçi - Anadolu Agency

Pas një incidenti me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit me kontrollin kufitar, opozita në vend kërkon zbardhjen e plotë të ngjarjeve. Zyra e Osmanit akuzoi autoritetet e Maqedonisë për shkelje të praktikës ndërkombëtare dhe të Konventës së Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, duke thënë se më 1 gusht, një anëtar i ekipit të sigurisë në Aeroportin e Shkupit (TAV) ka tentuar t’ia marrë telefonin personal presidenties së Kosovës. Nga MPB-ja e Maqedonisë njoftuan se janë duke marrë masa për rastin, transmeton Portalb.mk.

Në një deklaratë me shkrim, LSDM-ja opozitare pyet nëse po fshihet versioni i vërtetë i asaj që ka ndodhur dhe për cilat arsye, sepse në publik janë shfaqur tri versione të skandalit diplomatik.

“A është e vërtetë se një person nga sigurimi i (Kryetarit të Kuvendit Afrim Gashi) ka kërcënuar me armë zjarri punonjës të TAV-it dhe cili ishte roli i tij? A do ta hetojë dhe raportojë me detaje Ministria e Punëve të Brendshme apo do të përpiqet ta fshehë rastin?”.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme nga radhët e BDI-së, Bujar Osmani, ka dënuar, siç tha ai, veprimin e papranueshëm dhe skandaloz në aeroportin e Shkupit ndaj presidentit të Kosovës.

“Ky incident tregon qartë paaftësinë dhe papërgjegjshmërinë e përfaqësuesve të paligjshëm shqiptarë në qeveri. Duhet përgjegjësi të menjëhershme nga uzurpuesit e përfaqsimit shqiptarë në Qeveri dhe mbajtjen në llogari të atyre që janë përgjegjës për këtë situatë të turpshme”, ka shkruar ish-ministri Osmani në profilin e tij zyrtar në Facebook.

Paraprakisht, më 1 gusht, këshilltari për media i presidente Osmani tha se sigurimi në aeroportin e Shkupit, në kundërshtim me praktikat ndërkombëtare, ka tentuar t’ia marrë telefonin dhe çantën personale Osmanit, por edhe se sigurimi i aeroportit e ka shtyrë fizikisht. Për incidentit Osmani ka njoftuar kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, pas së cilës kanë ndërhyrë pjesëtarët e sigurimit të tij.

Kompania TAV Maqedoni ka reaguar duke thënë se kanë bërë kontroll standard të sigurisë dhe se si operator aeroporti kanë detyrim ligjor që të bëjnë kontroll të sigurisë të të gjithë pasagjerëve, bagazheve dhe mallrave në fluturimet nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit dhe nga Aeroporti Shën Apostol Pavle Ohër, duke përfshirë pasagjerët që udhëtojnë nëpër sallonin VIP.

Pas incidentit, nga kabineti i Gashit kanë njoftuar shkurt se pjesëtarët e sigurimit të tij, të cilët janë punonjës të MPB-së, kanë ndërhyrë për të qetësuar situatën dhe për të ndihmuar kolegët e tyre që të zbatojnë procedurat e sigurisë gjatë vizitës së personave VIP.

“Menjëherë është njoftuar Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Penale dhe Standarde Profesionale dhe po merren masa për zbardhjen e rastit në koordinim me Prokurorinë Publike për NKOK, pas së cilës do të dorëzohen parashtresat përkatëse”, thuhet në njoftimin e MPB-së së Maqedonisë së Veriut.