PRESIDENTJA QË MUND T’I BËJË BASHKË VV-NË DHE PDK-NË
Rron Gjinovci Përtej kokëfortësisë së VV-së dhe blanko-së së PDK-së VV-ja duhet të lëshojë pe, të heqë dorë nga kandidatët ekzistues. PDK duhet të heqë dorë nga ideja që t’i jepet fuqia bllanko, pra që ata në diskrecion të plotë të vijnë me dy kandidatë. Të dyja palët duhet të heqin dorë nga pozicionet e […]
Rron Gjinovci
Përtej kokëfortësisë së VV-së dhe blanko-së së PDK-së
VV-ja duhet të lëshojë pe, të heqë dorë nga kandidatët ekzistues. PDK duhet të heqë dorë nga ideja që t’i jepet fuqia bllanko, pra që ata në diskrecion të plotë të vijnë me dy kandidatë. Të dyja palët duhet të heqin dorë nga pozicionet e tyre fillestare. Nëse njëra palë insiston që emri duhet të jetë medoemos njëri prej atyre që tashmë janë në tavolinë, ndërsa pala tjetër insiston që duhet t’i jepet e drejta të sjellë kë të dojë, atëherë nuk kemi negociatë, por vetëm dy këmbëngulje që përplasen me njëra-tjetrën dhe e mbajnë vendin në vendnumëro. Çfarë kuptimi ka të flitet për përgjegjësi shtetërore, nëse askush nuk pranon të lëvizë asnjë centimetër nga pozicioni i vet? Çfarë kuptimi ka të thuhet se Kosova ka nevojë për unitet institucional, nëse secila palë hyn në proces jo për të gjetur zgjidhje, por për të imponuar vullnetin e vet?
Si (nuk) duhet të jetë Presidenti?
Presidenti nuk duhet të jetë trofe i njërës palë dhe as mekanizëm komoditeti për tjetrën.
Nuk na duhet edhe një figurë që e sheh presidencën si trampolinë për projektin e vet të ardhshëm politik. Këtë e kemi parë, e kemi provuar, dhe e dimë sa shtrenjtë i kushton vendit kur posti më i lartë i shtetit përdoret si investim për karrierë personale.
Kosovës sot i duhet një figurë me reputacion përgjithësisht pozitiv, dikush që kur përmendet emri i tij apo i saj nuk e ndan menjëherë shoqërinë në tifozeri politike. I duhet një person pa ambicie afatgjata politike, pra jo dikush që sot hyn në presidencë me mendjen te zgjedhjet e nesërme, te partia e pasnesërme apo te pazaret e mandatit tjetër.
I duhet një njeri me formim intelektual, me kulturë, me dije, me peshë në paraqitje publike dhe me aftësi për ta përfaqësuar shtetin me dinjitet. Nuk kemi nevojë për një zë të lartë, kemi nevojë për një figurë të respektueshme. Nuk kemi nevojë për një figurë që prodhon krizë sa herë hap gojën, kemi nevojë për dikë që me seriozitetin e vet e ul temperaturën politike.
Dhe po, do të ishte mirë që ky person të ketë edhe përvojë institucionale ose politike, sepse presidenca nuk është ndërmarrje personale, por funksion shtetëror që kërkon njohje të institucioneve, të raporteve politike dhe të përgjegjësive kushtetuese.
Presidenti duhet të jetë edhe dikush i pjekur mirë emocionalisht, që e kupton rolin e presidentit dhe që ka karrierë, ka jetë të vetën dhe është i përmbushur. Sepse vetëm një person i tillë mund t’i kryejë si duhet funksionet e Presidentit të Kosovës.
Përndryshe, presidentët po joshen nga ideja se janë aktorë kryesorë të politikës, duke harruar se ky funksion, sipas Kushtetutës, nuk është projektuar për ta udhëhequr politikën e vendit. Ajo fuqi i është dhënë qeverisë së Republikës. Presidenti nuk është kryeministër me tjetër zyrë, as udhëheqës i përditshëm i betejave politike.
Presidenti duhet ta kuptojë kufirin e funksionit të vet, peshën e tij simbolike dhe detyrën për të përfaqësuar unitetin e shtetit. Pikërisht për këtë arsye, Kosovës i duhet një president që nuk e përdor postin për t’u rritur politikisht, por dikush që është tashmë i formuar, i qetë, i përmbushur dhe i aftë ta mbajë zyrën me masë, me dinjitet dhe me vetëdije të plotë për kufijtë e saj.
Kush është presidenti që i plotëson të gjitha këto kushte?
Justina Shiroka-Pula. Ish-ministre në një nga qeveritë e Hashim Thaçit, ish-deputete e PDK-së, profesore e Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës dhe sot kryetare e Akademisë së Shkencave. Është nga ato figura që e bashkojnë përvojën institucionale me peshën intelektuale. Vjen nga një brez i rrallë grash shqiptare që doktoruan të parat në Jugosllavi, ndërtuan karrierë të mirëfilltë akademike, dhe mbetet një prej profesorëve të paktë të gjeneratës së saj që e justifikon titullin akademik dhe karrierën akademike me punë shkencore.
VV-ja zor se mund të ketë ndonjë rezervë të fortë ndaj saj, sepse nuk është figurë konfliktuale dhe njihet më shumë për korrektësi, kulturë institucionale dhe energji bashkëpunuese. PDK-ja, në anën tjetër, do ta restauronte reputacionin e saj dhe për herë të parë do të na ofronte stabilitet në një institucion. Pra, është një emër që nuk e poshtëron asnjërën palë, por u jep të dyjave një rrugëdalje dinjitoze. Dhe pikërisht për këtë arsye është propozim serioz: sepse nuk vjen si kandidaturë e egos politike, por si premtim për restaurimin e institucionit që në dy mandatet e fundit ka vuajtur nga egot dhe ambiciet politike të bartësve të tij.