Prezantohet platforma që do të pasqyrojë shpenzimet e qeverisë, Rama: Do të rrisë shkallën e përgjegjësisë së institucioneve
Shqipëria tashmë do të ketë një platformë ku do të pasqyrohen në kohë reale të gjitha shpenzimet e qeverisë dhe institucioneve vendore, si dhe ku çdo qytetar apo gazetar do të ketë mundësinë të marrë informacionin e kërkuar për çdo institucion. Në prezantimin e platformës “Transparent Albania”, Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se kjo […]
Shqipëria tashmë do të ketë një platformë ku do të pasqyrohen në kohë reale të gjitha shpenzimet e qeverisë dhe institucioneve vendore, si dhe ku çdo qytetar apo gazetar do të ketë mundësinë të marrë informacionin e kërkuar për çdo institucion.
Në prezantimin e platformës “Transparent Albania”, Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se kjo platformë lidhet me ecurinë drejt BE-së dhe aspiratën Shqipëria 2030.
“Sot kemi ardhur për të ndarë me publikun një tjetër hap të rëndësishëm në rrugën drejt Shqipërisë 2030 dhe një hap që lidhet me angazhimet e marra nga Shqipëria në kuadrin e planit të ri të rritjes së BE. Bëhet fjalë për një platformë të re, për një urë të re lidhëse mes qeverisë dhe qytetarëve për të garantuar një shpejtësi shumë më të madhe dhe një gjerësi shumë më të madhe në marrëdhënien e qytetarit me informacionin nga aktiviteti i përditshëm i qeverisë. Është një platformë e cila padiskutim shkon në përputhje me ambicien tonë për ta bërë Shqipërinë një vend të denjë europian në aspektin e standardeve të një shteti europian të së drejtës dhe është një mundësi e re për të krijuar një bazë shumë më të gjerë informacioni në kohë reale edhe për të gjithë punonjësit e informacionit. Për të gjitha mediat. Besoj që është një platformë e cila ka edhe vlerë të vetën të veçantë kur fluksi i të pavërtetave, gjysmë të vërtetave, fluksi i dizinformimit të qëllimshëm apo paqëllimshëm dhe shpejtësia e shpërndarjes së informacioneve të paverifikuara vetëm rriten. Është një fenomen global nga i cili ne nuk bëjmë asnjë dallim. Kjo është një platformë që do t’u mundësojë të gjithë të ndjekin në kohë reale shpenzimet e qeverisë shqiptare, që do të thotë të dinë në kohë reale se sa të ardhura shpenzohen dhe për çfarë shpenzohen. Është një platformë që do të rrisë edhe shkallën e përgjegjësisë së vetë institucioneve vendore dhe pushteti ekzekutiv sepse përballja dhe ekspozimi do të jetë shumë i lartë, që do të thotë edhe nevoja për të performuar në kohë reale shumë më mirë do të jetë e vetëvetijshme”.
Rama theksoi se administrata duhet të mësohet tashmë me kthimin e përgjigjeve ndaj kërkesave në një kohë sa më të shpejtë.
“Tjetra që është risi dhe sfidë është përditësimi i saj në kohë reale. Duke marrë parasysh volumin e informacionit që duhet përditësuar dhe që edhe pse janë bërë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim prapë administrata nuk e ka instiktin e shpejtësisë në këtë aspekt, kjo do të jetë një sfidë e vërtetë, por me siguri që hap pas hapi ne do t’ja dalim që ta kthejmë përditësimin e çdo informacioni në një rutinë”.
Në këtë platformë, qytetari apo gazetari që do të adresojë një kërkesë për informim, do të ketë mundësi që të ndjekë në kohë reale ecurinë e përpunimit për kthimin e përgjigjet nga institucioni.
“Tjetra që është risi e rëndësishme e platformës është interaktiviteti. Nëse deri sot një qytetar apo një përfaqësues i medias i drejtohet një institucioni dhe nuk merr përgjigje në kohë, pastaj i drejtohet komisionerit, komisioneri i drejtohet institucionit, në 70% të rasteve përgjigjia jepet në sekondë. Që do të thotë bëhet fjalë për vonesa tërësisht të palidhura me asnjë qëllim,, por të lidhura me nënvlerësimin apo me mungesën e këtij zakoni të administratës që të përgjigjet në kohë reale, në afat. Ndërkohë që 30% tjetër i mospërgjigjes është pak më kompleks. Me platformën, çdonjëri do të mund të ndjekë vetë në kohë reale statusin e kërkesës. Platforma ka një mekanizëm që sinjalizon institucionin se kjo kërkesë është duke shkuar drejt djegies së afatit. Kështu vendos përpara përgjegjësisë këdo në atë institucion që është zyra apo personi që duhet të përgjigjet, por nga ana tjetër i jep institucionit pasqyrën e performancës në raport me këtë detyrim parësor dhe elementar të ekzekutivit ndaj qytetarit. Kështu ky element i transparencës do të ndihmojë në rritjen e shkallës së përgjegjësisë dhe ndjenjës së detyrimit për t’u përgjigjur”, theksoi kreu i qeverisë.