Projekti memorial “Shtegu i Pafundësisë” do të ndërtohet në Parkun e Vjetër në Koçan
Koçan, 9 shkurt – Shoqata “16 mars 2025 Koçan” ka marrë zyrtarisht vendim nga Komuna e Koçanit, me të cilin u lejohet përdorimi i një hapësire në Parkun e Vjetër…
Koçan, 9 shkurt – Shoqata “16 mars 2025 Koçan” ka marrë zyrtarisht vendim nga Komuna e Koçanit, me të cilin u lejohet përdorimi i një hapësire në Parkun e Vjetër për realizimin e projektit memorial “Shtegu i Pafundësisë”.
Kjo hapësirë është caktuar për të shënuar përhershëm viktimat e ngjarjes tragjike në diskotekën “Pulse”.
Lokacioni i caktuar për këtë monument zë një sipërfaqe prej 1,035 metrash katrorë dhe ndodhet midis rrugëve “Vëllezërit Stavrevi” dhe “Bulevardi i Revolucionit”.
Është parashikuar që memoriali të ketë një lartësi maksimale deri në tre metra, edhe pse më parë një objekt i tillë nuk ishte përfshirë në planet urbanistike.
Me vendimin e marrë, shoqata ka mundësi të fillojë aktivitetet për rregullimin e hapësirës pa nevojën e lejes klasike të ndërtimit.
Në periudhën e ardhshme do të punohet për mbledhjen e dokumentacionit të nevojshëm, si dhe për sigurimin e mjeteve financiare përmes donacioneve, mbështetjes nga kompani dhe ngjarjeve humanitare.
Anëtarët e Shoqatës “16 mars 2025 Koçan” theksojnë se qëllimi është që memoriali të ndërtohet sa më shpejt dhe të përbëjë një vend dinjitoz për përkujtimin e viktimave.
Në fazën fillestare do të dorëzohet kërkesa te Ministria e Kulturës për miratimin e zgjidhjes konceptuale, e frymëzuar nga simboli i pafundësisë.
Projekti parashikon shtegje të rregulluara, ndriçim ambienti, banka, një burim, statujë e Zojës së Shenjtë, si dhe pllaka guri me emrat e 63 viktimave.
Për realizimin e zgjidhjes konceptuale është parashikuar mbështetje financiare nga Qeveria në vlerë prej dy milion denarësh, ndërsa mjete shtesë për zbatimin e projektit do të sigurohen përmes aktiviteteve humanitare.
