Projektit të objektit të ri të Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës që ndërtohet 10 vite e fundit, do të duhet t’i bëhet revizion

Projektit të objektit të ri të Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës i cili premtohet për 13 vite, ndërsa ka filluar të ndërtohet në 10 vitet e fundit, do të duhet t’i bëhet revizion, pasi i njëjti ka tejkaluar afatet dhe financat. Kështu u shpreh kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami në pyetjen e Portalb.mk. […]

Korrik 28, 2024 - 15:30
 0  5
Projektit të objektit të ri të Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës që ndërtohet 10 vite e fundit, do të duhet t’i bëhet revizion
Objekti i ri i Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Projektit të objektit të ri të Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës i cili premtohet për 13 vite, ndërsa ka filluar të ndërtohet në 10 vitet e fundit, do të duhet t’i bëhet revizion, pasi i njëjti ka tejkaluar afatet dhe financat. Kështu u shpreh kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami në pyetjen e Portalb.mk. Ai tha se pas shqyrtimit do të vendoset se si do të vazhdojë më  tutje ky projekt. Në anën tjetër, nga Teatri i Tetovës thonë se stafi udhëheqës së bashku me artistët nuk janë  konsultuar fare rreth objektit të ri të teatrit. 

Momentalisht ende nuk ka ndonjë ndryshim të afatit për lëshimin në funksion të objektit të ri të Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës, që kur njoftoi ish-ministrtja e Kulturës, Bisera Kostadinovska Stojçevska se i njëjti, më së voni do të përfundojë deri në vitin 2027, që nënkuton se qytetarët do duhet të presin edhe tri vite të tjera deri kur ky institucion pritet të hapë dyert.

“Tani dinamika ka ndryshuar, shpresoj që më së voni deri në vitin 2027, dhashtë Zoti, do të mund të përfundojmë diçka më herët, se teatri do të jetë tashmë aty, se biblioteka më në fund do të vendoset atje”, tha në janar 2023, ish ministrja Kostadinovska Stojçevska.

Kreu i Komunës së Tetovës Bilall Kasami për Portalb.mk tha se objekti do të duhet të kalojë nëpër një ri-evidentim.

“Si në shumë projekte të tjera, edhe te ky objekt do të duhet një ri-evidentim, sepse projekti është tejkaluar edhe në aspektin kohor si dhe në aspektin financiar. Pas revizionit do të shihet se si do të vazhdojë më tutje ky projekt. Urojmë që të mos ketë shkelje të cilat pastaj do të prolongonin edhe punët që do të bëhen aty. Besojmë që nëse gjithçka është në rregull, punët do të realizohen në një afat sa më të shkurtër kohor”, tha Kasami.

Portalb.mk kontaktoi Teatrin e Tetovës për të marrë informacione shtesë nëse ka ndonjë ndryshim në dinamikën e punimeve. Nga atje na njoftuan se me tenderin per teatrin e ri, udheheq Pallati i Kulturës. nga atje gjithashtu potencuan faktin se Teatri i Tetovës dhe artistët nuk janë aspakt të konsultuar dhe nuk konsultohen rreth objektit te teatrit, të cilët siç thonë ata të parët sëbashku me qytetarët duhet ta gëzojnë.

Objekti i ri i Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Objekti i ri i Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Kujtojmë se objekti i ri i Teatrit të Tetovës premtohet për 13 vite, ndërsa ka filluar të ndërtohet në 10 vitet e fundit dhe sipas parashikimeve ende nuk dihet nëse do të realizohen duke pasur parasysh faktin që shpesh ka zvarritje të punëve. Nëse vërtetë realizohet siç thuhet, ky objekt thellësisht i rëndësishëm për kulturën tetovare, do të ketë dyert hapur 17 vite pas premtimit të dhënë.

Teatri i Tetovës dhe Biblioteka funksionojnë në hapësira të Pallatit të Kulturës, të cilat nuk është se ju ofrojnë kushtet më të mira të punës. Për këtë aktorët dhe punonjësit tjerë për vite me radhë shprehin pakënaqësitë e tyre e shpesh edhe dëshpërim pasi punimet për këtë objekt zvarriten për vite me radhë, ndërsa mungesa e një objekti për ta ndikon në punën dhe kufizimin e aktiviteteve të tyre.

Ndërtimi i Objektit të Teatrit dhe Bilbiotekës ishte premtuar që më 6 tetor të vitit 2010, kur ministrja e atëhershme e Kulturës, Elizabeta Kançeska-Milevska e prezantoi zgjidhjen ideore për pamjen e teatrit multifunksional, që duhet të ofrojë teatër, kinema dhe bibliotekë. Gurë-themeli për ndërtimin e këtij objekti u hodh më 28 nëntor të vitit 2014. Punimet janë zhvilluar shumë ngadalë dhe me shumë probleme të cilat Portalb i ka dokumentuar ndër vite.