Prokuroria do të hetojë dokumentet nga procedurat e Këshillit Gjyqësor për rastin “Target-Fortesa”
Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka filluar mbledhjen e dokumenteve në kuadër të rastit të formuar pasi ish-zëvendëskryeministri i parë dhe zyrtar i BDI-së, Artan Grubi dhe gjyqtari në Gjykatën e Apelit Enver Bexheti u futën në listën e zezë amerikane për shkak të përfshirjes në korrupsion të konsiderueshëm. Konkretisht, siç njoftoi sot Prokuroria Publike […]
Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka filluar mbledhjen e dokumenteve në kuadër të rastit të formuar pasi ish-zëvendëskryeministri i parë dhe zyrtar i BDI-së, Artan Grubi dhe gjyqtari në Gjykatën e Apelit Enver Bexheti u futën në listën e zezë amerikane për shkak të përfshirjes në korrupsion të konsiderueshëm. Konkretisht, siç njoftoi sot Prokuroria Publike Republikane, një hetues nga Qendra Hetuese e Prokurorisë Publike në Shkup ka marrë nga Këshilli Gjyqësor të gjitha dokumentet lidhur me procedurën në rastin “Target-Fortesa”, transmeton Portalb.mk.
“Duke vepruar sipas rastit të formuar pas emërimit të dy personave në të ashtuquajturit ‘lista e zezë’ e SHBA-së, Prokuroria Themelore Publike Shkup është duke ndërmarrë veprime në kuadër të të cilave një hetues nga qendra hetimore e Prokurorisë ka kërkuar dhe marrë nga Këshilli Gjyqësor të gjitha dokumentet lidhur me procedurat për përcaktimin e përgjegjësisë së gjyqtarëve që kanë vepruar në rastin e njohur në opinion si “Target-Fortesa”, njoftoi Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë.
Ata shtuan se po kryhen veprime të tjera për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Përkatësisht, prokurori publik republikan, Ljupço Kocevski, të mërkurën në një brifing me gazetarë, ku morën pjesë prokurorë nga të gjitha prokuroritë publike në vend, informoi se ka ngritur lëndë kundër ish zëvendëskryeministrit të parë Artan Gubi dhe gjyqtarit Enver Bexheti.
Rasti, siç tha Kocevski, është formuar të martën, një ditë pasi Departamenti Amerikan i Shtetit shpalli “përditësimin” e fundit të listës amerikane dhe i është dorëzuar prokurorisë kompetente për mbledhjen e provave.
I pyetur nëse ryshfetdhënësi do të hetohet edhe në rastin e Grubit dhe gjyqtarit Bexheti, në brifing thuhet se do të hetohen të gjitha aspektet.
“Kush është ryshfetdhënësi, kush është marrës i ryshfetit, të gjitha këto do të hetohen. Procedura është e hapur”, u tha në brifing.
Ish-zëvendëskryeministri i parë nga BDI, Artan Grubi dhe gjyqtari Enver Bexheti janë futur në “listën e zezë” për pranim të ryshfetit për vjetërsimin e rastit “Target-Fortesa” kundër të pandehurit Sasho Mijalkov.
Për mbajtjen e paarsyeshme të lëndës, ndaj gjyqtarit është zhvilluar një procedurë disiplinore në Këshillin Gjyqësor, pas së cilës ai është dënuar vetëm me gjobë për gjashtë muaj me 20 për qind të pagës.
Ambasadorja e SHBA-së në vend, Angela Ageler, në një konferencë për media të martën tha se ka dëshmi për ndikimin e Grubit dhe Bexhetit dhe ajo pret që institucionet maqedonase të marrin masa.
Këtë vit në listën e zezë amerikane u shtuan: ish prokurorja Katica Janeva dhe kryetari i Karposhit, Stevço Jakimovski. Vitin e kaluar, SHBA zgjeroi “listën e zezë”, duke futur në të: kryetarin e Komunës së Strugës, Ramis Merko , ish- zëvendëskryeministri Koço Angjushev, biznesmeni Orce Kamçev dhe familja e tij, për shkak të përfshirjes së tyre në korrupsion të profilit të lartë si dhe kompania “Cytrox“. Në “listën e zezë” amerikane janë edhe ish-drejtori i policisë sekrete, Sasho Mijalkov, dhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski, kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, ish deputeti Xhevat Ademi, ish ministri i punëve të brendshme, Lube Boshkovski dhe të tjerë.