Prokuroria e Shkupit ngriti procedurë kundër pjesëmarrësve në përleshjen e fundit me armë në Çair

Në lidhje me incidentin e armatosur të ndodhur më 14 tetor në bulevardin “Hristijan Todorovski Karposh” në Çair, pas kallëzimit penal nga MPB kundër tre personave, Prokuroria Themelore Publike Shkup ka ngritur procedurë penale kundër tyre për veprën penale – Pjesëmarrja në përleshje nga neni 132 paragrafi 1 i Kodit Penal, transmeton Portalb.mk. “Prej tyre, […]

tetor 16, 2024 - 16:01
 0  7
Prokuroria e Shkupit ngriti procedurë kundër pjesëmarrësve në përleshjen e fundit me armë në Çair
Prokuroria Themelore Publike Shkup, foto: Suad Bajrami/Portalb.mk

Në lidhje me incidentin e armatosur të ndodhur më 14 tetor në bulevardin “Hristijan Todorovski Karposh” në Çair, pas kallëzimit penal nga MPB kundër tre personave, Prokuroria Themelore Publike Shkup ka ngritur procedurë penale kundër tyre për veprën penale – Pjesëmarrja në përleshje nga neni 132 paragrafi 1 i Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.

“Prej tyre, për dy prokurori publik kompetent ka dorëzuar propozim për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore Penale Shkup, ndërsa një i dyshuar aktualisht është në arrati dhe nuk është në dispozicion të organeve të rendit. Për një person tjetër, pjesëmarrësi i katërt në ngjarje, për të cilin ka konstatime paraprake se me akt të dhunës së armatosur ka shkaktuar lëndim të rëndë trupor – plagosje me armë zjarri viktimës, po zhvillohet procedura për mbledhjen e provave. Ai i dyshuar aktualisht është duke vuajtur dënimin me burgim për një vepër tjetër në INP “Idrizovë”, thonë nga Prokuroria.

Rati në fjalë ndodhi më 14 tetor, ndërsa dhjetë ditë para kësaj date pati një tjetër të shtënë dhe sulm të armatosur në Çair.

Rivaliteti mes grupeve kriminale fillon prej vitit 2010, kur “kronika e zezë” fillon të mbushet me incidente, vrasje dhe gjuajtje bombash mes klaneve të ndara.

Përleshjet janë ashpërsuar kur në nëntor të vitit 2013-të është vrarë 46-vjeçari Xhelal Ajeti në çajtoren e tij “Te Xhela” në Hasanbeg. Sulmi ndaj tij është i ngjashëm me të 6 marsit. Vrasësi, i maskuar dhe me armë ka hyrë në çajtore dhe e ka vrarë Ajetin me 30 plumba. Ajeti asokohe ishte i fajdexhi i njohur dhe figurë me ndikim në nëntokën e drogës.

Paraprakisht, në vitin 2005, si pasojë e plagës së marrë nga arma e zjarrit ka vdekur vëllai i tij, Nexhmedin, ndërkaq në shtator të vitit 2018-të është vrarë edhe vëllai i tij Naim Bellanoca duke lëvizur në një automjet në rrugën “Ruzveltova” të Shkupit.

Kjo në nëntokën është llogaritur se grupi “Bellanoca” e ka humbur primatin e tregut të narkotikëve. Por, në vitin 2019-të ka vijuar përleshje e re, kur pesë persona të maskuar kanë dalë nga një automjet dhe kanë gjuajtur drejt restorantit në hotelin “Aleksandar Pallas, ku kanë qëndruar rivalët e “Bellanocës”.

Gjatë sulmit në Aleksandar Pallas, një polic i cili ka qenë me rroba civile dhe ka qenë duke qëndruar me grupin në tavolinë, ka parandaluar që sulmi të jetë fatal. Ai ka nxjerrë pistoletën zyrtare dhe ka gjuajtur në drejtim të sulmuesve. Rasti nuk u zbardh.

Sulmuesit janë larguar me xhip “Tuareg” i cili ka pasur targa të vjedhura, ndërkaq Policia e ka gjetur automjetin të djegur në periferi të Shkupit. Kjo përplasje, llogaritej se ishte për tregun e kokainës.

Në grupin e sulmuar, përveç Jeton Krivanjevës, ishte edhe Kamer Idrizi, i cili u vra në maj të vitit 2021, në një atentat duke lëvizur me makinë. Një vjet më vonë dy sulmues të armatosur me pushka automatike kanë hyrë në një çajtore në rrugën “Braka Rexhepagiq” në afërsi të Shkollës Fillore “Imri Elezi” të Çairit të Shkupit dhe e kanë vrarë Jonuz Idrizin, vëllaun e Kamerit.