Prokuroria ngriti aktakuza për një tjetër uzurpim parkingu në Çair, gjithashtu afër Poliklinkës Bit Pazar
Prokuroria Themelore Publike Shkup ka ngritur aktakuzë kundër një personi fizik dhe një personi juridik për veprën penale – Uzurpim i patundshmërisë nga neni 225 i Kodit Penal. Në rastin konkret, bëhet fjalë për uzurpim të tokës nga 11 parcela kadastrale në pronësi të shtetit, që ndodhen pranë tregut të luleve në afërsi të Shtëpisë […]
Prokuroria Themelore Publike Shkup ka ngritur aktakuzë kundër një personi fizik dhe një personi juridik për veprën penale – Uzurpim i patundshmërisë nga neni 225 i Kodit Penal. Në rastin konkret, bëhet fjalë për uzurpim të tokës nga 11 parcela kadastrale në pronësi të shtetit, që ndodhen pranë tregut të luleve në afërsi të Shtëpisë Shëndetësore Shkup – Poliklinika Bitpazar, dhe e cila sipas Planit të Detajuar Urbanistik “Sahat Kulla” në Komunën e Çairit, ishte paraparë për ndërtimin e një garazhi me kate dhe ishte planifikuar të shitej me ankand publik, transmeton Portalb.mk.
Mirëpo, nga 24 gusht 2023, i pandehuri e ka përdorur tokën si vend parkimi të improvizuar.
“Ai ngriti një rampë parkimi dhe pikë grumbullimi, punësoi një punonjës për të kryer pagesat për përdorimin e hapësirës së parkimit dhe u lëshonte përdoruesve fatura në emër dhe në kurriz të personit juridik, duke kufizuar dhe kontrolluar hyrjen dhe daljen në tokë. Prokurori publik ka sugjeruar që ndaj të pandehurit të caktohet masa e sigurimit ndalim për kryerjen e aktiviteteve të punës lidhur me veprën penale, përkatësisht ndalim për shfrytëzimin e tokës”, thonë nga Prokuroria.
Prokuroria Themelore Publike Shkup, duke vepruar pas ankesave për parkingjet ilegale në Komunën e Çairit, dje ka ngritur kallëzim kundër një personi tjetër fizik dhe juridik, i cili po ashtu ka uzurpuar tokën për atë qëllim për një kohë të gjatë në afërsi të Poliklinikës Bitpazar.
Kujtojmë se kanë kaluar mbi 13 muaj prej kur Policia ka dorëzuar padi penale kundër dy personave në lidhje me uzurpimin e pronës shtetërore dhe transformimin e të njëjtit në parking privat me pagesë, por Prokuroria vetëm dje ka ndërmarrë masa konkrete. Parkingu ilegal ka funksionuar për mbi një vit në kushte normale, sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
Me një sërë shkrimesh, Portalb.mk ka dëshmuar se toka mbrapa Poliklinikës “Bit Pazar” është shtetërore dhe e njëjta në mënyrë të paligjshme po shfrytëzohet si parking me pagesë. Nga ana tjetër, institucionet hedhin fajin te njëra-tjetra për përgjegjësinë se kush duhet të veprojë, megjithëse toka ndodhet në Komunën e Çairit dhe sipas decentralizimit, kompetenca i takon Komunës së Çairit.
Më shumë për rastin në fjalë mund të gjeni në linqet e mëposhtme:
- 24/02/2024: Katër muaj Prokuroria nuk vepron për parkingun e uzurpuar mbrapa Poliklinikës Bit Pazar
- 20/11/2023 : “Qeverisje ndryshe”, Shtëpia e Shëndetit e ndriçoi me drita parkingun e uzurpuar te Poliklinika “Bit Pazar”
- 31/10/2023: Pas hulumtimit të Portalb, Policia dorëzoi padi penale për uzurpatorët e parkingut mbrapa Poliklinikës “Bit Pazar”
- 06/06/2023: Parkingu i uzurpuar mbrapa Poliklinikës “Bit Pazar”, Prokuroria: Do të veprojmë nëse nuk veprojnë institucionet tjera kompetente
- 03/06/2023: Parkingu i Poliklinikës “Bit Pazar” i uzurpuar, Komuna e Çairit lejon paratë e qytetarëve ilegalisht të hyjnë në xhepa privat