Prokuroria Publike dhe Policia e RMV-së shtrëngojnë masat për sigurinë në trafik
Prokuroria Themelore Publike (PPO) Shkup ka nxjerrë udhëzime specifike për veprime më efikase në situatat kur rrezikohet siguria në komunikacion dhe ka bazë për ndjekje penale të kryesve, transmeton Portalb.mk. Nga Prokuroria theksuan se në takimin koordinues me Policinë e Shkupit kanë kërkuar veprim të detyrueshëm të menjëhershëm kur gjatë një aksidenti trafiku konstatohet se […]


Prokuroria Themelore Publike (PPO) Shkup ka nxjerrë udhëzime specifike për veprime më efikase në situatat kur rrezikohet siguria në komunikacion dhe ka bazë për ndjekje penale të kryesve, transmeton Portalb.mk.
Nga Prokuroria theksuan se në takimin koordinues me Policinë e Shkupit kanë kërkuar veprim të detyrueshëm të menjëhershëm kur gjatë një aksidenti trafiku konstatohet se shoferi nuk ka patentë shofer, ka vozitur në semafor të kuq, ka vozitur me shpejtësi të madhe, ka qenë në gjendje të dehur, ka lëvizur në drejtim të kundërt dhe ka kaluar në vijë të plotë.
Udhëzimet kërkojnë veprim të obliguar urgjent në situata kur gjatë aksidentit te shoferi apo shoferët është konstatuar drejtimi i makinës pa leje, kalim në semafor të kuq, shpejtësi shumë më e madhe se e lejuara, gjendje të dehur, vozitje në drejtim të kundërt, por edhe kalim në dy vija të plota. Procedura urgjente do të udhëhiqet edhe në situatë kur shoferi e ka lëshuar vendin e ngjarjes së aksidentit dhe nuk ka ofruar ndihmë për këmbësorët ose persona të tjerë”, theksuan nga Prokuroria e Shkupit.
Prokurorët po ashtu kërkojnë që policia t’i sigurojë të dyshuarit me dosje të plota kundërvajtëse dhe penale në mënyrë që të kuptojnë të gjitha kundërvajtjet e mëparshme dhe gjobat që kanë pasur ngasësit. Ata gjithashtu kërkuan që kallëzimet penale të bëra nga MPB-ja në të ardhmen të përmbajnë më shumë detaje.
“Kallëzimet penale duhet të përmbajnë sa më shumë të dhëna precize, të detajuara dhe të sakta për dëshmitarët, të paraqiturit dhe të dëmtuarit me numra telefoni dhe adresa nga letërnjoftimet, por edhe adresa të banimit momental. Me kujdes të veçantë duhet të sigurohen prova dhe të fotodokumentohen shenjat e komunikacionet të cilat vlejnë në lokacionin ku ka ndodhur aksidenti”, thonë tutje nga Prokuroria e Shkupit.
Në periudhën e kaluar është evidente prania e shtuar e policisë rrugore nëpër rrugët e Shkupit.
Që nga fillimi i muajit shkurt deri më 20 shkurt nëpunësit policorë nga të gjithë tetë sektorët e punëve të brendshme të MPB-së kanë lëshuar 18.132 urdhëpagesa të qytetarëve-pjesëmarrës në komunikacion për shkeljet e kryera në bazë të Ligjit për siguri në komunikacionin rrugor dhe Ligjit për automjete.
Kujtojmë se Maqedoninë e Veriut javë më parë e trazoi një aksident i rëndë, ku ndërroi jetë Frosina Kulakova, pasi ishte goditur me veturë në një vendkalim për këmbësorë.
Ky rast hapi debat të madh në opinion për sigurinë në trafik ndërsa u mbajtën edhe disa protesta.