“Le të hanë trëndafila”, bojkot dhe protestë për 8 Mars në Shkup
Dita Ndërkombëtare e Gruas – 8 Marsi, në Shkup do të shënohet përmes protestës dhe bojkotit, transmeton Portalb.mk. Organizatat e shoqërisë civile për të drejtat e grave thonë se këtë 8 Mars shpallin bojkot të grave – për liri dhe autonomi nga sistemi shtypës. Marshi do të fillojë nga ora 13:00 para Sallës Universale dhe […]


Dita Ndërkombëtare e Gruas – 8 Marsi, në Shkup do të shënohet përmes protestës dhe bojkotit, transmeton Portalb.mk.
Organizatat e shoqërisë civile për të drejtat e grave thonë se këtë 8 Mars shpallin bojkot të grave – për liri dhe autonomi nga sistemi shtypës.
Marshi do të fillojë nga ora 13:00 para Sallës Universale dhe do të mbyllet në parkun “Gruaja Luftëtare”.
“Këtë 8 Mars bojkotojmë dhe marshojmë! Këtë 8 Mars nuk duam trëndafila. Nuk është koha për gjeste simbolike dhe fraza të konsumuara. Ne jetojmë në një sistem çnjerëzor dhe të paqëndrueshëm të bazuar në sistem shtypës që na robëron jetët tona dhe na kufizon vendimet dhe mundësitë, të tashmen dhe të ardhmen. Dhe në kriza barra bie mbi gruan. Prandaj, ne themi, nuk duam trëndafila, por bëjmë thirrje për një luftë feministe për liri, solidaritet dhe autonomi”, thonë organizatorët.
Ata bëjnë gjithashtu thirrje edhe për bojkot të supermarketeve të mëdha, zinxhirëve dhe qendrave tregtare.
“Përmes inflacionit të imponuar artificialisht, po na sjellin në prag të ekzistencës. Dhe për të nxjerrë në pah vlerën e gjithçkaje që bëjmë çdo ditë në shtëpi, këtë 8 Mars, po u bëjmë thirrje grave të bojkotojnë punët e shtëpisë. Këtë 8 Mars, gratë do të pushojnë nga blerja, gatimi, pastrimi, kujdesi për fëmijët dhe organizimi i thjeshtë dhe i përgjithshëm i jetës. Këtë 8 Mars, të gjithë së bashku do të qëndrojmë kundër tiranisë së këtij sistemi dhe do të ndalojmë vrullin e tij, të paktën për një ditë”, thonë organizatorët.
Marshi organizohet nga reaktor, Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, Tiiitt! Inc, Rrjeti Stella, Koalicioni Margjinal, ndërsa përkrahet nga aktivitë të ndryshëm.
Ditët në vijim do të ndahen më shumë informata për protestën. Organizatorët kanë inkurajuar qytetarët të sjellin fishkëlluese, tenxhere, lugë druri, elektrikë dore, dhe pankarta.