Punimet për pjesën e mbetur të Bllagoja Toskës për në Drenovec pritet të fillojë javën që vjen
Punimet për daljen e bulevardit “Bllagoja Toska” në lagjen Drenovec pritet të fillojnë javën që vjen, konkretisht tetë muaj pasi u asfaltua pjesa tjetër e rrugës, shkruan Portalb.mk. Shkak për këtë vonesë mbetet problemi me shpronësimin e pronave nëpër të cilat duhet të kalojë rruga. “Unë jetoj në një fshat përgjatë rrugës rajonale Tetovë-Jazhincë, mezi […]


Punimet për daljen e bulevardit “Bllagoja Toska” në lagjen Drenovec pritet të fillojnë javën që vjen, konkretisht tetë muaj pasi u asfaltua pjesa tjetër e rrugës, shkruan Portalb.mk.
Shkak për këtë vonesë mbetet problemi me shpronësimin e pronave nëpër të cilat duhet të kalojë rruga.
“Unë jetoj në një fshat përgjatë rrugës rajonale Tetovë-Jazhincë, mezi presim që kjo rrugë të përfundojë që t’i ikim trafikut andej nga stadiumi. Ndonjëherë futem këndej edhe pse nuk ka përfunduar e gjitha, por ka shumë gropa”, tha një qytetar.
“Nuk e dimë më se a do të bëhet, na kanë premtuar vazhdimisht, njëherë u bë njëra pjesë kjo mbeti, tani se dimë edhe ne a do të bëhet apo jo”, tha një qytetar tjetër.
Nga Komuna e Tetovës thonë se punimet do të fillojnë javën e ardhshme. Zëdhënësi i Komunës së Tetovës, Albion Alili tha se me palët janë marrë vesh që të bëhet hapja e bulevardit.
“Besoj që nga java e ardhshme inspektorati komunal do mënjanojë disa objekte që janë pengesë për hapjen e bulevardit. Këtë javë iu drejtuam banorëve që të largojnë çfarë të munden ndërsa javën e ardhshme do intervenojë edhe inspektorati. Vetëm kemi arritur dakordim ndërsa kompensimi financiar ende nuk është bërë por besoj që deri në korrik do realizohet tërësisht hapja e bulevardit”, tha Alili.
Në gusht 2024 kur filloi asfaltimi i rrugës nga Komuna e Tetovës njoftuan se rruga nuk do të asfaltohet deri në fund pasi nuk kanë përfunduar të gjitha procedurat e shpronësimit.
Ndërsa në shkurt 2024 kur filluan punimet për këtë rrugë, kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami premtoi se rruga do të asfaltohet deri në fund. Punimet duhej të përfundonin brenda tre muajve, por kjo nuk u bë brenda afatit të paraparë për shkak të problemeve të ndryshme, ndërsa Komuna e Tetovës pati paralajmëruar sanksione ndaj kompanisë punuese.
Komuna e Tetovës me 15 janar 2024 përzgjodhi Kompaninë “Anrra Centrum” nga Reçica e Vogël për ndërtimin e Bulevardit Bllagoja Toska nga Kazerma deri te rruga rajonale në gjatësi prej 450 metrave dhe përfundimi i trotuareve. Kontrata u nënshkrua me 8 shkurt 2024, ndërsa punimet në terren filluan më 19 shkurt 2024.
Kjo rrugë prej rreth 450 metrave ishte e lënë në gjendje kritike për shumë gjatë, pa asfalt, plotë gropa dhe baltë, sidomos gjendja më e keqe është kur ka reshje të shiut apo bores. Me asfaltimin e këtij segmenti rrugor pritet të lehtësohet komunikacioni për hyrje dhe dalje nga qyteti.
Banorët e kësaj lagjeje shumë herë janë ankuar për gjendjen e keqe e rrugës dhe kanë kërkuar asfaltimin e saj. Pavarësisht premtimeve nga autoritetet, në terren nuk u ndërmor asgjë me vite. Madje në fund të vitit 2022 banorët e kësaj lagjeje dolën edhe në protestë.