Të gjithë shitësit me pakicë në RMV prej sot duhet t’i publikojnë çmimet e produkteve në ueb-faqet e tyre

Nëse marketet nuk janë gati të publikojnë rregullisht çmimet e produkteve në faqet e tyre deri sot, Inspektorati Shtetëror i Tregut (ISHT) do të veprojë në përputhje me kompetencat që ka sipas Ligjit për Konsumatorin, thotë ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, transmeton Portalb.mk. “Deri më tani nuk kemi marrë ndonjë informatë se ndonjë […]

Prill 18, 2025 - 11:00
 0  8
Të gjithë shitësit me pakicë në RMV prej sot duhet t’i publikojnë çmimet e produkteve në ueb-faqet e tyre
Supermarket. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Nëse marketet nuk janë gati të publikojnë rregullisht çmimet e produkteve në faqet e tyre deri sot, Inspektorati Shtetëror i Tregut (ISHT) do të veprojë në përputhje me kompetencat që ka sipas Ligjit për Konsumatorin, thotë ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, transmeton Portalb.mk.

“Deri më tani nuk kemi marrë ndonjë informatë se ndonjë nga tregtarët ka probleme me zbatimin e kësaj rregulloreje, por nëse kanë vështirësi në zbatimin e saj, ne jemi këtu të ulemi dhe të bisedojmë me ta”, tha Durmishi në konferencën e djeshme për media.

Ai ka informuar për obligimet që kanë tregtarët në përputhje me Rregulloren për mënyrën e publikimit të çmimeve të mallrave dhe të dhënave, të cilat nga sot do të duhet t’i publikojnë në ueb-faqet e tyre.

Çmimet do të duhet të publikohen në mënyrë të qartë dhe të arritshme, përmes një seksioni të veçantë të faqes së internetit të shitësit me pakicë të dedikuar për çmimet.

Çmimet e publikuara, siç tha Durmishi, duhet të jenë të disponueshme pa pasur nevojë për regjistrim apo hyrje shtesë.

Çmimet e publikuara duhet të përfshijnë emrin e produktit, çmimin e shitjes duke përfshirë TVSH-në, çmimin për njësi për kilogram, litër, metër, përshkrimin e tij, disponueshmërinë në një objekt shitjeje dhe çmimin e rregullt duke përfshirë TVSH-në.

Lista e çmimeve duhet të përmbajë:

-Emërtimin e mallit – produktit (marka tregtare, modeli, etj.)

– Çmimi i shitjes me TVSH

– Çmimi i njësisë për kilogram litër, meter

– Përshkrimi i mallrave

– Disponueshmëria në një objekt shitjeje

– Çmimi i rregullt me TVSH -Çmimi promovues ose zbritje që duhet të përmbajë një çmim zbritje të shprehur në përqindje, lloji i promovimit, pavarësisht nëse është një ofertë promovuese, paketë lojaliteti ose zbritje sezonale, si dhe kohëzgjatja e promovimit ose zbritjes.

“Si rezultat i masave të miratuara që nga fillimi i vitit, pra kufizimit të marzheve të produkteve ushqimore bazë dhe një pjese të mjeteve për higjienë, në muajin mars kemi ulje të inflacionit në nivel vjetor prej 2,7%, derisa në muajin mars në krahasim me muajin shkurt ka pasur deflacion prej -1.3%, sipas të dhënave nga Enti Shtetëror i Statistikave. Të përkujtoj, Qeveria me propozim të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës në fillim të vitit miratoi vendimin për kufizimin e marzhit të fitimit bruto në 102 grupe të produkteve ushqimore bazë, si dhe Vendimin për përcaktimin e çmimeve më të larta të 8 grupeve të produkteve ushqimore bazë. Këto dy vendime kanë hyrë në fuqi më 20 shkurt dhe do të jenë të vlefshme deri më 30 prill të vitit 2025”, tha Durmishi.

Si hap përpara në pjesën e transparencës në zinxhirët tregtar dhe mbrojtjen e standardit të qytetarëve, në fillim të muajit mars, u miratuan ndryshimet në Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorëve. Me këto ndryshime, tregtarët me pakicë janë të detyruar të publikojnë çmimet e të gjitha produkteve.

“Ndryshimet në Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorëve hynë në fuqi më 4 mars dhe me të është parashikuar detyrimi që në afat prej 45 ditëve nga publikimi i Ligjit në Gazetën Zyrtare për çdo tregtar të vogël, të mesëm dhe të madh që ushtron tregti me pakicë në ueb faqen e tij ta publikojë, veçmas për çdo objekt për shitje , çmim rrjedhës të shitjes, respektivisht çmimin për njësi në momentin e publikimit të secilit mall që e ofron për shitje”, tha ai.

Tregtarët duhet të përditësojnë çmimet e mallrave çdo ditë, domethënë çdo ditë pune deri në orën 10:00.  Në rast të një gabimi të paqëllimshëm teknik në përditësimin e çmimeve të mallrave, tregtari do të korrigjojë gabimin në afat prej 24 orëve.

“Për të qenë të qartë, nga e enjtja 18 prill, të gjithë tregtarët me pakicë (të vegjël ose të mëdhenj) do të duhet të publikojnë çmimet e secilit produkt që ata e ofrojnë në shitjen me pakicë. Këto bëjnë pjesë edhe marketet që shesin produkte ushqimore bazë, frutat dhe perimet dhe tregtarët që shesin mjete për higjienë, tregtarët me pakicë të teknikës së bardhë, lodrave, produkte teknike, materialeve ndërtimore, veglave dhe aparateve elektrike, thjeshtë të gjithë tregtarët që ushtrojnë tregti me pakicë. Përjashtohen vetëm tregtarët e vegjël, respektivisht ata që punësojnë deri në 10 persona. Qytetarët tani do të mund të zgjedhin se ku do t’i shpenzojnë paratë e tyre meqë vetë do të mund të shohin dhe të krahasojnë se cili market i ka çmimet më të ulëta. Do të jenë të informuar më mirë se cili produkt sa kushton te cili tregtar. Pritshmëritë tona janë se kjo masë do të ulë në mënyrë plotësuese çmimet në periudhën e ardhshme”, theksoi Durmishi.

Mbikëqyrje inspektuese dhe dënime

Me ndryshimet e ligjit parashihen edhe dispozita të reja kundërvajtëse, përkatësisht dënime për tregtarët që nuk veprojnë në përputhje me rregulloret. Mbikëqyrja do të kryhet nga Inspektorati Shtetëror i Tregut, i cili do të marrë kompetenca të zgjeruara për kontroll dhe veprim.

Një rregullore e tillë tashmë ekziston në Kroaci, Itali dhe Izrael, dhe tani Maqedonia po bën një hap në atë drejtim – në mënyrë që të mbrojë blerësit vendas nga çmimet e pakontrolluara dhe zgjedhjet e painformuara.

Kujtojmë që më 20 shkurt 2025 hyri në fuqi vendimi i qeverisë për ngrirjen e marzheve në 102 grupe produktesh, pra mbi 1000 produkte me pakicë dhe shumicë