Punonjësit e shëndetësisë në RMV do të marrin rritjen e paralajmëruar të pagave, ndryshuan koeficientët në Marrëveshjen Kolektive
Punonjësit shëndetësorë do të marrin paga më të larta pasi sot ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, nënshkroi një aneks të Marrëveshjes Kolektive për veprimtarinë shëndetësore me Sindikatën e Pavarur për Shëndetësi, Farmaci dhe Mbrojtje Sociale, transmeton Portalb.mk. “Pasi paga minimale u korrigjua në mars të këtij viti, kur ajo u rrit nga 29,739 denarë në […]
Punonjësit shëndetësorë do të marrin paga më të larta pasi sot ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, nënshkroi një aneks të Marrëveshjes Kolektive për veprimtarinë shëndetësore me Sindikatën e Pavarur për Shëndetësi, Farmaci dhe Mbrojtje Sociale, transmeton Portalb.mk.
“Pasi paga minimale u korrigjua në mars të këtij viti, kur ajo u rrit nga 29,739 denarë në 33,352 denarë, janë bërë ndryshime edhe në koeficientët e Marrëveshjes Kolektive në të gjitha grupet e kompleksitetit, me një koeficient prej 0.233, që në vlerë bruto është 3,636 denarë”, deklaroi Arben Taravari, ministër i Shëndetësisë.
Taravari theksoi se, pas rritjes së pagës minimale në mars, janë bërë rregullime në Marrëveshjen Kolektive për të gjitha grupet e kompleksitetit, ku rritja bruto arrin 3,636 denarë.
Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes, Lubisha Karanfilovski nga Sindikata e Pavarur për Shëndetësi tha se paga gjithmonë ka qenë dhe do të mbetet një çështje aktuale.
“Rritja për të gjithë punonjësit në sektorin shëndetësor do të jetë rreth 2,450 denarë në vlerë neto. Ndërsa për infermierët me arsim të mesëm, përveç harmonizimit, do të ketë edhe një rritje specifike të pagës neto prej 3,850 denarë,” tha Karanfilovski.
Taravari sqaroi se Marrëveshja Kolektive përfshin të gjithë profilet e punonjësve shëndetësorë me arsim të mesëm, si infermierët, që janë më të shumtët, laborantët, fizioterapistët dhe të tjerët, për të cilët është parashikuar rritje prej 5,681 denarë në bruto.
Një tjetër ndryshim, sipas Taravarit, është barazimi i farmacistëve si punonjës shëndetësorë me arsim të lartë me mjekët e përgjithshëm dhe dentistët. Gjithashtu, janë parashikuar koeficientë më të lartë kompleksiteti për mjekët e urgjencës dhe bashkëpunëtorët shëndetësorë, si fizikanët që punojnë në Klinikën e Radioterapisë dhe Onkologjisë.
Taravari shtoi se rritje të pagave do të kenë edhe ata që punojnë në repartet e kujdesit gerontologjik dhe paliativ, si dhe në kushte më komplekse se ato të zakonshme. Punonjësit në trajtimin intensiv në Klinikën Universitare për Sëmundjet e Fëmijëve gjithashtu do të marrin paga më të larta, duke korrigjuar padrejtësitë e bëra më parë ndaj tyre.
Predrag Serafimovski nga Sindikata e Qendrës Klinike deklaroi se kjo ishte një përpjekje e përbashkët me ministrin për të arritur këtë sukses, duke shpresuar për një bashkim të shpejtë të Qendrës Klinike.
Përveç rritjes së pagave, Taravari njoftoi se për rreth një mijë persona që punojnë me kontrata të përkohshme në klinika dhe institucione publike shëndetësore, marrëdhënia e punës do të transferohet në kohë të pacaktuar. Ai pret që procedura të përfundojë deri në Vitin e Ri, pasi Qeveria tashmë ka arritur një marrëveshje për këtë çështje. Sipas vlerësimeve të Ministrisë, në institucionet publike shëndetësore janë më pak se 2,000 persona që punojnë me kontrata të përkohshme. Për të tjerët, që aktualisht nuk do t’u ndryshohet statusi, ministri premtoi angazhimin për zgjidhjen e çështjes vitin e ardhshëm.
Kujtojmë se marrëveshja për këtë rritje u arrit me dy sindikatat përfaqësuese në shëndetësi, në takimin e 19 nëntorit me kryeministrin Hristijan Mickoski.