Qendra Tregtare e Shkupit, nga simbol i modernes në një fantazmë betoni

Nga mëngjesi e pothuajse deri në mesnatë, jehona e këngës “Makedonsko devojçe” nga Jonçe Hristovski, me ndihmën e rrymimit të ajrit i mbush korridoret e Qendrës Tregtare të Qytetit të Shkupit (QTQ). Atë e këndon një nga vizitorët e saj të rregullt, një burrë në moshë të mesme, i cili ulet mbi pllakat e katit […]

maj 7, 2025 - 13:00
 0  5
Qendra Tregtare e Shkupit, nga simbol i modernes në një fantazmë betoni
GTC/QTQ Shkup. Foto: GTC Skopje/Facebook

Nga mëngjesi e pothuajse deri në mesnatë, jehona e këngës “Makedonsko devojçe” nga Jonçe Hristovski, me ndihmën e rrymimit të ajrit i mbush korridoret e Qendrës Tregtare të Qytetit të Shkupit (QTQ). Atë e këndon një nga vizitorët e saj të rregullt, një burrë në moshë të mesme, i cili ulet mbi pllakat e katit përdhes dhe pret që për refrenin popullor t’i hedhin ndonjë denar kalimtarët. Kjo këngë është pothuajse po aq e vjetër sa edhe vetë Qendra Tregtare, është kompozuar pesë vjet para se të hidheshin themelet e kësaj vepre arkitekturore, në Ditën e Kryengritjes Maqedonase – 11 tetor të vitit 1969, shkruan Prizma, transmeton Portalb.mk.

Sipas vizionit të ekipit të arkitektëve të udhëhequr nga Zhivko Popovski korridoret e hapura do funksiononin si një rrugë që do lidhte sheshin me pjesën tjetër të qytetit, duke krijuar kështu një “organizëm të gjallë” nga pllakat e betonit.

Por, me kalimin e viteve, qendra tregtare gjithnjë e më shumë është shndërruar në një rrugë, e gjithnjë e më pak në një hapësirë ​​origjinale që josh blerësit dhe mbledh të rinjtë, sepse dyqanet dhe lokalet në të po mbyllen. Simboli i Shkupit pas tërmetit po e humbet shkëlqimin e tij me çdo rrjedhje të tavaneve, për shkak të eskalatorëve të bllokuar, për shkak të pllakave të thyera dhe aromës së keqe të urinës që vjen nga cepat pak më të fshehura.

QTQ nuk po mbyllet për shkak të hapjes të qendrave tregtare moderne të mbyllura, siç mund të mendojnë shumë nga ne, por për shkak të dekadave të keqmenaxhimit që manifestohet përmes kontratave që i shtrydhin financiarisht dyqanxhinjtë privatë, mbipunësimit dhe keqmenaxhimit të drejtorëve të deleguar nga partitë ndër vite.

Kjo qendër rrallë herë, nëse jo edhe kurrë, ka qenë në krye të agjendës politike. Ndërsa sjellja e drejtorit të ri Nikolla Sokollovski nuk premton se ndryshimi i menaxhmentit do të rezultojë në ringjalljen e hapësirës së lënë pas dore, që shuhet plotësisht në orët e natës.

Pavarësisht përpjekjeve të shumta të BIRN për të kontaktuar me Sokollovskin, ai nuk pranoi të na takojë dhe as nuk iu përgjigj me shkrim pyetjeve tona lidhur me gjendjen e qendrës tregtare.

Një qendër tregtare gjysmë e gjallë

QTQ është qendra e parë tregtare në kryeqytet. Para ndërtimit të saj banorët e Shkupit bënin pazar në dyqanet e shpërndara në të gjithë qytetin e shkatërruar nga tërmeti, në tregje ose në dyqanin tregtar NAMA në shesh. Ata nuk kishin një vend qendror që u ofronte gjithçka – ushqim, parukeri, kafene apo autoservis.

Ideja për Qendrën Tregtare ishte gjithashtu një lloj truku i politikës urbane për t’i nxjerrë banorët e Shkupit nga mikroambientet nëpër lagje, të cilët pas vitit katastrofik 1963 qendrën e vizitonin rrallë dhe takoheshin edhe më rrallë.

Qendra Tregtare nuk e ka magjinë që e kujtojnë më të moshuarit, të cilët në rininë e tyre hanin te “Vanilla” dhe pak më vonë te “Zhito Luks”, blinin disqe te “Jugoton” ose festonin deri në agim te “Çao” dhe “Zmija”.

Gjatë ditës ekonomikisht aktive dhe më e gjallë është zona e bodrumit, ku ka markete, i gjithë kati përdhes me kafenetë me pamje nga bregu i Vardarit, si dhe një pjesë e katit të parë, por gjatë shëtitjes sonë të shkurtër ne numëruam më shumë se 40 dyqane të mbyllura.

Kati i dytë është gjysmë i zbrazur.

Atje funksionojnë disa zyra biznesi dhe tre kafene që mundohen ta gjallërojnë atmosferën edhe në mbrëmje. Atje rrallë herë mund të shihen njerëz, ndërsa kur bie shi është më mirë të mos shëtisësh sepse në disa vende “pikon” çatia. Nga anët e jashtme të qendrës pothuajse nuk ka dyqane.

Natën QTQ është jashtëzakonisht e zbrazët.

Dyqanxhinj të “shtrydhur”

Dyqanxhinjtë ankohen se biznesi i tyre po përballet me vështirësi për shkak të shpenzimeve të mëdha që udhëheqësia ua ka imponuar prej vitesh dhe se paratë e tyre nuk investohen pastaj për mirëmbajtje.

Pasojat e shpenzimeve të larta i ka ndjerë edhe familja Ajdini.

Ajo posedon një dyqan në katin e dytë, i cili nuk është hapur që nga pandemia.

Por edhe për periudhën pas mbylljes, sipas kontratës që ka me SH.A. QTQ, asaj i është dashur të paguajë nga 20.000 denarë në muaj për faturat e energjisë elektrike, ujit dhe për mirëmbajtje.

“Gjatë kohës që e kishim dyqanin mbyllur u grumbulluan fatura të papaguara dhe QTQ na dha në përmbarues“.

“Tani kemi një borxh prej 20 milionë denarë dhe ne as nuk mund ta hapim dhe as ta shesim dyqanin. Ndërsa çdo ditë më telefonojnë njerëz që duan ta marrin me qira”, tha për BIRN djali i pronarit, Bekim Ajdini.

Edhe në dyert e dyqaneve të tjera ka katinarë, ndërsa në vitrinat mund të shihen fleta të bardha të ngjitura në të cilat shkruan: “Shitet”. Në disa madje shkruan: “Lëshohet me qira pa pagesë”.

Këtë mungesë të logjikës tregtare e sqaron Emill Joskovski, kryetar i Shoqatës së Pronarëve të Dyqaneve Private në QTQ.

Shumë pronarë e japin dyqanin e tyre pa qira, që dikush të mund t’i paguajë të paktën vetëm faturat e tyre. QTQ u dërgon atyre fatura për mirëmbajtjen e ashensorëve, eskalatorëve, për investime, shërbime, për energjinë elektrike dhe ngrohjen, ajrin e kondicionuar dhe mirëmbajtjen.

Joskovski pohon se mirëmbajtja i përfshin investimet dhe mirëmbajtjen e zonave të përbashkëta.

“Ata mbledhin para për investime, ndërkohë që investime të mëdha nuk ka pasur për 15 vjet”, thotë Joskovski.

Riparime të vogla u bënë gjashtë vjet më parë, kur kryetari i atëhershëm i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, bashkë me administratën e QTQ-së dhe UNDP-në, e shndërruan një të dhjetën e sipërfaqes së përgjithshme të kulmit në një kopsht të gjelbër.

Ata mbollën pemë, instaluan shatërvanë dhe një skenë, një fushë shahu…

Sot hapësira nuk duket aspak si gjashtë vjet më parë. Shatërvani nuk funksionon, gjelbërimi është lënë pas dore dhe shahu nuk mund të luhet sepse nuk ka figura. Stolat përdoren nga punonjësit e zonës, të cilët kalojnë pushimet e drekës atje. Në mbrëmje, ata zëvendësohen nga të rinjtë.

Shteti e menaxhon QTQ-në që nga hapja e saj në vitin 1973, edhe pse nga dy dekada më parë rreth 70 përqind e dyqaneve janë në pronësi private. Por edhe sot, shteti zotëron pothuajse 98 përqind të aksioneve.

Përfaqësuesi i pronarëve privatë, Emill Joskovski, i cili edhe vetë është pronar i një dyqani prej 41 metrash katrorë, përmes shifrave e prezanton pozicionin e padrejtë në të cilin ndodhen dyqanxhinjtë. Ata nuk vendosin për asgjë edhe pse zotërojnë 479 dyqane, për dallim të 116 dyqaneve, të cilat janë në pronësi të shtetit.

“Është e logjikshme që ne, pronarët, të kemi të drejtën e votës në menaxhimin e QTQ-së së bashku me bordin e drejtorëve”, thotë ai dhe shton se për vite me radhë menaxhmenti ka qenë i shurdhër ndaj kërkesave të tyre.

Histori i gjatë e mbipunësimit dhe e punës joekonomike

Me çdo qeveri të re qendrore ndryshojnë edhe njerëzit në pozitën e drejtorit dhe kjo është një nga pozitat që u ndahen partive pas zgjedhjeve.

Prandaj, nuk duhet të jetë çudi që në QTQ është problem mbipunësimi, ndërsa edhe vetë shoqëria aksionare e pohon këtë në raportin e saj të fundit për vitin 2023. Sipas të dhënave të këtij viti, QTQ ka pasur 194 punonjës, 79 prej të cilëve ishin në sektorin e sigurisë, mbrojtjes nga zjarri dhe higjienës.

Pavarësisht ndërgjegjësimit të theksuar për mbipunësimin, QTQ nuk po heq dorë nga punonjësit që çdo vit i angazhon përmes agjencive për punësime të përkohshme. Kontrata e fundit me një agjenci të tillë, e lidhur muajin e kaluar, parasheh angazhimin e 50 punonjësve të përkohshëm për vitin e ardhshëm.

Përfaqësuesi i dyqanxhinjve, Joskovski, thotë se paratë e tyre, rreth 140.000 euro në muaj, shkojnë pikërisht për pagat e punonjësve.

Ndër vite mandatet e drejtorëve të emëruar politikisht janë karakterizuar me keqmenaxhim dhe dyshime për keqpërdorime.

Për dhjetë vjet, Qendra Tregtare u menaxhua nga Ago Abazovski, kuadër i emëruar nga qeveria me propozim të Unionit të Romëve të ish-deputetit Amdi Bajram. Në kohën e tij, biznesin e larjes së makinave në parkingun nëntokësor e kanë marrë kompani të lidhura me djalin e Amdi Bajramit, Gabrielin, ndërsa njëra prej tyre as që paguante qira.

Përveç kësaj pati dyshime se në bodrumet e menaxhuara nga Gabrieli po nxirreshin kriptovaluta.

Me skandal përfundoi edhe menaxhimi shtatëvjeçar i QTQ-së nga Gjoko Trajçevski, të cilit Qendra Tregtare iu delegua nga qeveria e LSDM-së dhe BDI-së. Vitin e kaluar policia ngriti padi penale kundër tij, duke e mbajtur përgjegjës për dhënien e paligjshme të një tenderi një kompanie të vendit të dytë me një ofertë dy herë më të lartë.

Nëntorin e kaluar, pas ndryshimit të qeverisë, QTQ u bë me një bord të ri drejtorësh, në të cilin u emëruan anëtarë me prejardhje të ndryshme profesionale – një menaxher hoteli, një kontabilist, anëtarë të këshillit komunal dhe një mësues. Megjithatë, edhe pse kanë kaluar pesë muaj që nga emërimi i tyre, rralëë ndonjë nga dyqanxhinjtë ka realizuar kontakt me ato.

Joskovski thotë se komunikimi me drejtorin e ri është i vështirë.

Të pakënaqur me menaxhimin janë edhe qiramarrësit e lokaleve në pronë shtetërore në QTQ.

“Po presim me javë të tëra, na thanë se do të na njoftonin për një takim, por ende nuk ka asgjë,” na tha njëri nga qiramarrësit.

BIRN priti pothuajse katër javë për përgjigje për dhjetë pyetjet që ia dërguam drejtorit, por edhe pse premtuan, përgjigje nuk morën.