As ministrja e Arsimit nuk e sheh të arsyeshme shkarkimin e Bogojeskit nga Agjencia Nacionale për Programe Arsimore Evropiane 

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës në Maqedoninë e Veriut, Vesna Janevska edhe përkundër reagimeve në opinion, nuk planifikon shkarkimin e nacionalistit dhe shpërndarësit të gjuhës së urrejtjes, Petar Bgojeskit nga pozita e drejtorit të Agjencisë Nacionale për Programe Arsimore Evropiane dhe Mobilitet, shkruan Portalb.mk.  Sipas Janevskës, puna e Bogojeskit do të ndiqet me fokus më të […]

Prill 11, 2025 - 21:00
 0  1
As ministrja e Arsimit nuk e sheh të arsyeshme shkarkimin e Bogojeskit nga Agjencia Nacionale për Programe Arsimore Evropiane 
Ministrja e Arsimit Vesna Janevska dhe zëvendësministri Lulzim Aliu. Foto: Ardit Ramadani/Portalb.mk

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës në Maqedoninë e Veriut, Vesna Janevska edhe përkundër reagimeve në opinion, nuk planifikon shkarkimin e nacionalistit dhe shpërndarësit të gjuhës së urrejtjes, Petar Bgojeskit nga pozita e drejtorit të Agjencisë Nacionale për Programe Arsimore Evropiane dhe Mobilitet, shkruan Portalb.mk. 

Sipas Janevskës, puna e Bogojeskit do të ndiqet me fokus më të madh dhe nëse do të ketë parregullsi do të merren masa. 

“Nuk do të mund të komentoja punën e një drejtori të emëruar para një ose dy ditësh. Po, partitë politike kanë pjesë në funksionimin e Qeverisë, por kur vendosim funksionarë, vendosim që të jenë jopartiakë, ta kryejnë punën për të cilën janë vendosur…E dëgjoj reagimin, si gjithë të tjerët, por ja, për shkak të pyetjes tuaj me fokus më të lartë do të ndiqet puna e drejtorit, nëse është gjithçka në rregull dhe ai është i depolitizuar nuk do të kemi problem, nëse do të ketë probleme të tjera do të ndërmerren masa”, tha Janevska. 

Shkarkimin e Bogojeskit nuk do ta kërkojë as koaliconi VLEN, edhe përkundër qëndrimeve antishqiptare dhe shpërndarjes së urrejtjes nga Bogojeski. 

“Jo, ne nuk kemi ndonjë shqetësim sa i përket emërimit të tij. Nëse bëhet fjalë për një institucion që lidhet me fondet evropiane, ne e dimë që ka pasur më herët, është shkarkuar një drejtor për shkak të keqpërdorimit, urojmë që ai të jetë në kuadër të përgjegjësive që i ka marrë institucionale”, tha Bilall Kasami.    

Ndryshe nga Kasami, ministri i Çështjeve Evropiane Orhan Murtezani sot ka deklaruar se kanë shqetësime, madje se të njëjtat i kanë diskutuar në qeveri.  

“Ne si ministri nuk kemi kompetenca mbi atë Agjenci, as në emërimin e drejtorit. Procesi duhet të ishte më i kujdesshëm, por unë nuk jam kompetent. Shqetësimet i kemi diskutuar edhe në qeveri”, tha Murtezani. 

Sipas Ligjit për Themelimin e Agjencisë Nacionale për Programe Evropiane dhe Mobilitet, konkretisht në nenin 12 thuhet: 

“Kryetarin dhe anëtarët e Bordit Udhëheqës i emëron dhe shkarkon Qeveria e Republikës së Maqedonisë”. 

Pra, edhe pse Qeveria ka përgjegjësi të kërkojë llogari nga anëtarët e Bordit në prononcim dje Qeveria u mundua të arsyetohet se nuk janë “përzier në këtë punë”, dhe se Bogojeskin e ka emëruar Bordi Udhëheqës i Agjencisë. 

Bashkimi Demokratik për Integrim ka kërkuar që të tërhiqet menjëherë ky vendim.   

Ndërsa për Aleancën për Shqiptarët të Ziadin Selës, Emërimi i Bogjoeskit është në kundërshtim të plotë me orientimin e deritanishëm europian të vendit dhe dëshmon se vendi  po merr një kahje tjetër ndryshe nga ajo e ndërtuar me dekada dhe shumë mund. 

Emërimi i Bogojeskit ka ngjallur reagime të ashpra në opinion dhe në organizatat e shoqërisë civile. Forumi për Ndryshime në Arsim tha se Qeveria e Maqedonisë së Veriut dje i çoi mesazh studentëve shqiptar në këtë vend se në qoftë se synoni të shfrytëzoni programet e BE-së si Erasmus+, hiqni dorë, pasi për fatin tuaj do të duhet të vendosë një nacionalist i cili është i mbushur me urrejtje. 

Nga Delegacioni i BE-së në vend ende nuk janë deklaruar për emërimin e Bogojeskit në krye të këtij institucioni. 

Lideri i partisë së vogël “Koncepti Maqedonas” Petar Bogojeski së fundmi u zgjodh drejtor i Agjencisë Nacionale për Programe Arsimore Evropiane dhe Mobilitet. Bogojeski në opinion njihet si shpërndarës i flaktë i gjuhës së urrejtjes dhe nacionalizmit, e cila është në kundërshtim me vlerat e BE-së. 

Pavarësisht kësaj, ai u shpërblye me postin e drejtorit në krye të Agjencisë Nacionale për Programe Arsimore Evropiane dhe Mobilitet.  Qëndrimet e tij nuk përkojnë me qëllimet e institucionit ku ai është emëruar. 

Në paraqitjet e tij publike ai shpesh ka përdorur nacionalizëm dhe gjuhë të urrejtjes, si ndaj shqiptarëve ashtu edhe ndaj komuniteteve tjera në vend si boshnjakët.