Qeveria e Mickoskit: Vetëm tre ministre gra, një zëvendëskryeministër i afërt me Moskën
Nga java e ardhshme pritet që anëtarët e rinj të qeverisë të marrin detyrën. Qeveria do të ketë një zëvendëskryeministër të parë dhe katër zëvendëskryeministra të tjerë. Njëri prej tyre konsiderohet si politikan i cili mban lidhje me Rusinë. Shumica e ministrave të ardhshëm tashmë kanë përvojë në kryerjen e funksioneve në pushtetin ekzekutiv, legjislativ […]
Nga java e ardhshme pritet që anëtarët e rinj të qeverisë të marrin detyrën. Qeveria do të ketë një zëvendëskryeministër të parë dhe katër zëvendëskryeministra të tjerë. Njëri prej tyre konsiderohet si politikan i cili mban lidhje me Rusinë. Shumica e ministrave të ardhshëm tashmë kanë përvojë në kryerjen e funksioneve në pushtetin ekzekutiv, legjislativ apo lokal, shkruan REL, transmeton Portalb.mk.
Pas festimit të përvjetorit të 34-të të partisë (17 qershor) lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, nesër do të dorëzojë në Kuvend propozimin për përbërjen e qeverisë dhe programin e punës. Por, diskutimi dhe votimi pritet të bëhet deri në fund të javës.
Qeveria e ardhshme, përfshirë këtu edhe Hristijan Mickoskin si kryeministër, do të përbëhet nga 24 anëtarë.
Ajo do të ketë pesë zëvendëskryeministra, vetëm tre ministre gra dhe pothuajse të gjithë, me përjashtim të katër prej tyre, tashmë kanë përvojë si funksionarë në pushtetin ekzekutiv, legjislativ apo në pushtetin lokal. Disa prej tyre kanë qenë në poste edhe në kohën e qeverisjes së LSDM-së. Krahas dy komuniteteve më të mëdha – atij maqedonas dhe atij shqiptar, në eshalonin e parë të pushtetit ekzekutiv do të ketë edhe zyrtarë nga komuniteti serb dhe rom. Maqedonia e Veriut do të ketë edhe një zëvendëskryeministër që mban raporte të mira me Rusinë dhe që në kohën që ishte deputet, në periudhën pas fillimit të pushtimit rus në Ukrainë, pati vizituar edhe Moskën.
“Gjatë përzgjedhjes së potencialit kadrovik dhe zgjidhjeve për përbërjen e qeverisë së re jam udhëhequr nga parimet e ndershmërisë dhe përkushtimit, që të jenë njerëz që do t’i japin energji të madhe proceseve dhe do të investojnë plotësisht në realizimin e qëllimeve ambicioze që i kemi përcaktuar. Nuk mund të lejojmë që të mos kemi sukses”, tha mandatari Mickoski gjatë mbrëmë gjatë prezantimit të propozimeve për ministra nga radhët e VMRO – DPMNE-së dhe koalicionit.
Propozimi për Stoillkoviqin e “shqetësoi” BDI-në
Nga ana tjetër, opozita për momentin po hesht për vendimet kadrovike të eshalonit të parë të qeverisë së re. Ndër reagimet e rralla është edhe ai që vjen nga nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi.
“Marrëveshja e Ohrit për herë të parë që nga viti 2001 është në duart e një serbi me bindje Putiniste! Ndryshimi sapo ka filluar!”, ka komentuar Ademi.
Reagimi i tij i referohet propozimit të Ivan Stoillkoviqit, kryetarit të Partisë Demokratike të Serbëve në Maqedoni dhe partner koalicioni i VMRO-DPMNE-së, për zëvendëskryeministër dhe ministër të marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve. Ai në këtë pozitë do të kalojë nga Kuvendi, duke pasur parasysh se në zgjedhjet e 8 majit u zgjedh për deputet nga lista e VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit.
Stoillkoviq konsiderohet një politikan i afërt me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe presidentin e Republikës Srpska, Millorad Dodik, i cili është nën sanksione të SHBA-ve. Ai gjithashtu mban marrëdhënie të mira me Rusinë. Ai, së bashku me Rexhep Ismail Haktanin dhe Borislav Krmovin nga Levica, ishte njëri nga tre deputetët të cilët javën e kaluar ishin mysafirë në pritjen shtetërore me rastin e festës kombëtare – Ditës së Rusisë të organizuar nga Ambasada ruse në Shkup.
Në maj të vitit të kaluar Stoilkoviq mori pjesë në forumin ndërkombëtar të sigurisë në Moskë.
“Përvojë me vlerë të madhe dhe shumë njohuri të reja, ky është bilanci i udhëtimit tim në Rusi”, komentoi Stoillkoviq në Facebook pas pjesëmarrjes në këtë event.
Vend edhe për dy partnerë tradicional
Nga partnerët e tjerë të koalicionit “Maqedonia jote”, në Ilindenska nr.2 vend do ketë edhe për kryetarin e Partisë Socialiste, Ljupço Dimovski, i cili do të jetë zëvendëskryeministër dhe ministër përgjegjës për sistemin politik.
Ai është partner tradicional i VMRO-DPMNE-së, ka qenë edhe ministër i bujqësisë në qeveritë e mëparshme të Nikolla Gruevskit.
Dimovski në të kaluarën ka qenë edhe nën ndjekje penale. Një nga rastet kishte të bënte me hyrjen në Kuvend më 27 prill të vitit 2017, për të cilën ai dhe pjesa tjetër e deputetëve të akuzuar më vonë shpëtuan falë Ligjit për Amnisti. Nga ana tjetër ish PSP-ja e ka ndjekur penalisht në rastin “Producenti” së bashku me gazetaren Ivona Talevska, për lidhjen e kontratës për produksionin e programeve televizive në vlerë prej 50 mijë eurosh, pa prokurim publik. Por, me ndryshimet në Kodin Penal dhe uljen e dënimeve për veprën e keqpërdorimit të pozitës dhe pushtetit zyrtar, kjo lëndë është vjetërsuar.
Partneri i tretë i koalicionit që do të marrë post ministror është Shaban Saliu nga Forcat Demokratike të Romëve. Saliu në opinion mbahet mend si drejtor shumëvjeçar i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, ndërsa në qeverinë e Mickoskit do të jetë ministër pa portofol përgjegjës për integrimin dhe zbatimin e dekadës së Romëve.
Bashkëpunëtorët më të afërt të Mickoskit do të jenë ministra
Nga radhët e VMRO-DPMNE-së të katër nënkryetarët e partisë do të kenë poste ministrore. Aleksandar Nikolloski në transport dhe lidhje, ndërsa në të njëjtën kohë do të jetë edhe zëvendëskryeministër. Vllado Misajllovski, i cili më parë ishte ministër i transportit dhe lidhjeve dhe sekretar shtetëror në Ministrinë e Punëve të Jashtme, tani do të drejtojë Ministrinë e Mbrojtjes. Timço Mucunski, nga pozita e kryetarit të Komunës Aerodrom, do të kalojë në Ministrinë e Punëve të Jashtme, e cila me riorganizimin mori edhe ingerencat për tregtinë e jashtme.
Nënkryetarja e katërt e partisë, Gordana Dimitrieska Koçoska, do të jetë ministre e financave. Ajo tashmë ka qenë zëvendësministre shtesë në këtë resor në qeverinë e mëparshme teknike të udhëhequr nga Oliver Spasovski.
Dy gratë e tjera në qeverinë e Mickoskit do të jenë Vesna Janevska në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe Sanja Bozhinovska në Ministrinë e sapoformuar të Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale.
Janevska është ish-deputete dhe kryetare e Komisionit për Arsim pranë VMRO-DPMNE-së. Ndërsa Bozhinovska është njëra prej katër ministrave që deri më tani nuk kanë qenë në ndonjë post shtetëror. Ajo është anëtare aktuale e Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së dhe Mickoski e prezantoi si “eksperte për energjetikë me përvojë të madhe pune në kompanitë më të mëdha nga tregu i energjetikës dhe sistemeve ekonomike”.
Edhe një ministri do të udhëhiqet nga një person i cili më parë nuk ka qenë në ndonjë post shtetëror. Ministër i Sportit do të jetë ish-portieri i hendbollit Borko Ristovski.
Aktori Zoran Ljutkov do të bëhet ministër i kulturës dhe turizmit. Angazhimi politik nuk është diçka e re për të. Ai është kryetar aktual i Këshillit të Komunës së Velesit.
Në listë janë edhe tre zyrtarë të qeverisë teknike
Edhe tre zyrtarë të qeverisë teknike të Talat Xhaferit së shpejti do të kthehen në Ilindenska nr.2. Pançe Toshkovski do të vazhdojë ta udhëheqë Ministrinë e Punëve të Brendshme, ndërsa Stefan Andonovski do të jetë Ministër i Shoqërisë Informatike dhe Transformimit Digjital, sektor në të cilin ka përvojë disamujore si zëvendësministër shtesë. Zëvendësministër shtesë ishte edhe Cvetan Tripunovski, i cili së shpejti do të udhëheqë Ministrinë e Bujqësisë.
Detyrën e ministrit të vetëqeverisjes lokale Mickoski do t’ia besojë ish-shefit të kabinetit të tij, Zllatko Perinski. Emri i Perinskit u bë i njohur në opinion kur “plasi sherri” mes VRMO_DPMNE-së dhe kryetarës së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska. Arsovska e shkarkoi nga posti i drejtorit të “Ujësjellësit” të Shkupit duke i thënë Mickoskit se e ka kapur drejtorin me “duar në qyp” për tenderin për stacionin e pastrimit. Edhe krahas akuzave se ka pasur tentativë për ndikim në të gjithë procedurën, në fund kontrata u nënshkrua.
Ish-sekretari i përgjithshëm i LSDM-së do të jetë ministër i administratës
Partnerët e ardhshëm qeveritar të VMRO-DPMNE-së, propozimet e tyre i kanë paralajmëruar që më herët, ndërsa Mickoski pret që t’i pranojë zyrtarisht gjatë ditës së sotme.
Lëvizja ZNAM e kryetarit të komunës së Kumanovës Maksim Dimitrievski do të ketë dy ministra. Njëri prej tyre është sekretari i përgjithshëm i partisë, Goran Minçev. Ai ka qenë edhe Sekretar i përgjithshëm edhe i LSDM-së dhe ka qenë deputet (2008-2014) dhe drejtor i Shërbimit Qeveritar për Çështje të Përgjithshme dhe të Përbashkëta gjatë qeverisjes së LSDM-së në periudhën nga viti 2003 deri në vitin 2006.
Igor Fillkov është një nga katër emrat që nuk kanë kanë qenë asnjëherë në ndonjë post shtetëror. ZNAM e propozoi atë si ministër të ardhshëm të drejtësisë. Ai është jurist i diplomuar dhe në post qeveritar do të kalojë nga sektori privat.
Gjashtë mandate për Koalicionin VLEN – mbetet edhe posti i zëvendëskryeministrit të parë
Koalicioni shqiptar VLEN ishte i pari që filloi me publikimin e emrave. Këtij koalicioni do t’i takojë edhe pozita e “zëvendëskryeministrit të parë”, për të cilën nga VMRO-DPMNE-ja kishte njoftime se do të hiqet. Megjithatë këtë funksion do ta bëjë Izet Mexhiti, kryetar i Lëvizjes Demokratike, i cili është ish-zyrtar i BDI-së dhe ish-kryetar i Komunës së Çairit. Ai do të jetë edhe ministër i mjedisit jetësor.
Ky koalicion do të ketë edhe një post zëvendëskryeministër – për qeverisje të mirë. Me këtë Arben Fetai do të kthehet nga Brukseli në Shkup. Bëhet fjalë për sekretarin e Punëve të Jashtme të Aleancës së Shqiptarëve dhe shefin e kabinetit të Arben Taravarit.
Në senacat qeveritare ai do të marrë pjesë së bashku me shefin e tij të mëparshëm, sepse Taravari ka vendosur të largohet nga posti i kryetarit të komunës në Gostivar dhe të udhëheqë Ministrinë e Shëndetësisë. Taravari ishte në postin e ministrit të shëndetësisë për një kohë shumë të shkurtër edhe në qeverinë e parë të Zoran Zaevit.
Në funksion si rezultat i koalicionit me socialdemokratët ka qenë edhe Orhan Murtezani. Ai ka qenë drejtor i MEPSO-s, ndërsa tani është propozim për ministër për çështje evropiane nga radhët e Alternativës.
Besa, nga ana tjetër, si pjesë e VLEN ka propozuar dy anëtarë të saj – Fatmir Limanin për ministër të politikës sociale, demografisë dhe rinisë dhe Besar Durmishin për ministër të ekonomisë dhe punës.
Presidentja Gordana Siljanovska Davkova më 6 qershor ia dorëzoi Mickoskit mandatin për përbërjen e Qeverisë së re, pas konstituimit të Kuvendit. Që atëherë ka filluar të rrjedhë afati njëzetditor për formimin e Qeverisë së re.
Koalicioni i ri qeveritar në përbërjen parlamentare të formuar pas zgjedhjeve të 8 majit do të ketë një shumicë prej 78 deputetësh, 58 prej të cilëve nga VMRO-DPMNE-ja, 14 nga VLEN dhe gjashtë nga ZNAM. Megjithëse Fronti Evropian së pari me 19 deputetë por pas rivotimit me 22 maj mbeti me 18 deputetë, megjithatë, nuk do të jetë pjesë e Qeverisë. Fonti Evropian kundërshton këtë veprim duke e quajtur “majorizim” nga pala maqedonase sepse po merret në pushtet partia me më pak deputetë, dhe ka lajmëruar se do të ndërmerr masa për të ndaluar këtë.
Për ta votuar Qeverinë e re nevojiten 61 vota.
Ky do të jetë mandati i parë i Mickoskit si kryeministër i Maqedonisë së Veriut. VMRO-DPMNE ka qenë në opozitë që nga viti 2017, kur pas zgjedhjeve të vitit 2016 ra qeveria e Nikolla Gruevskit, i cili fitoi azil politik në Budapest pasi në vend ishte i dyshuar dhe i akuzuar në më shumë lëndë të Prokurorisë Speciale Publike.