Qindra faqe interneti që organizojnë lojëra fati në mënyrë të paligjshme në RMV do të mbyllen

Pas vendimit të qeverisë për ndalimin e lojërave të fatit në internet, ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, thotë se hapi i radhës do të jetë zbulimi dhe mbyllja e të gjitha faqeve që prezantojnë lojërat e fatit në internet dhe në këtë aksion, përveç atyre të vendit do të përfshihen edhe lojtarët e huaj […]

tetor 2, 2024 - 16:00
 0  4
Qindra faqe interneti që organizojnë lojëra fati në mënyrë të paligjshme në RMV do të mbyllen
Kazino, lojëra të fatit. Foto nga Faton Curri / Portalb.mk

Pas vendimit të qeverisë për ndalimin e lojërave të fatit në internet, ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, thotë se hapi i radhës do të jetë zbulimi dhe mbyllja e të gjitha faqeve që prezantojnë lojërat e fatit në internet dhe në këtë aksion, përveç atyre të vendit do të përfshihen edhe lojtarët e huaj në treg, transmeton Portalb.mk.

Ndalimi i faqeve të regjistruara jashtë vendit është faza e dytë e trajtimit të basteve ilegale online, për të cilën Ministria e Transformimit Digjital, Agjencia për Komunikime Elektronike, MARNET dhe Lotaria e RMV-së tashmë kanë pasur takim dhe kanë përcaktuar hapat konkretë.

“Pjesa e frikshme është se janë përfshirë shumë të mitur. Për momentin ka qindra faqe të huaja, por më të përdorurat janë dy ose tre, të cilat supozoj se i dini të gjithë. Mendoj se në fazën e parë do të duhet të punojmë për ndalimin e këtyre 100 dhe pastaj ky do të jetë proces i vazhdueshëm”, tha Andonovski.

Ai shtoi se kjo nuk mund të bëhet një herë e përgjithmonë, por kjo listë duhet të përditësohet vazhdimisht dhe operatorët e telekomunikacionit të informohen vazhdimisht se diçka po ndodh në mënyrë që ata të lëvizin vazhdimisht drejt ndalimit të këtyre operatorëve të paligjshëm të lojërave të fatit.

“Nëse janë regjistruar në Maqedoni, ky është krim që po e bëjnë, por për shkak se janë të regjistruar jashtë, nuk mund të zbulohet se kush është organizatori dhe duhet të vazhdojmë me ndalimin ”, tha Andonovski.

Ai shtoi se në Lotarinë e RMV-së tashmë janë duke u bërë tabela me të cilat përcaktohet saktësisht se cilat uebfaqe janë më të pranishme dhe ku janë më aktivë qytetarët dhe në cilat uebfaqe organizohen më shumë ato lojëra ilegale të fatit.

Qeveria e RMV-së më 24 shtator 2024 vendosi për ndërprerjen e vlefshmërisë së licencave jolegale për kazinot online, me këtë edhe ndalimin e bixhozit online në shtet për disa kompani.

Ndryshe, Ligji për lojërat e fatit i propozuar nga koalicioni Fronti Evropian, më 12 gusht u largua nga rendi i ditës i seancës së Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Kjo ndodhi pas miratimit të propozimit për interpretim autentik të Ligjit për lojërat e fatit dhe lojërave zbavitëse që u propozua nga deputetët e VMRO-DPMNE-së.

Ndryshimet ligjore parashihnin që lokalet afariste në të cilat organizohen lojërat e fatit në bastore dhe në klubin e automateve, lotaria në ambiente të mbyllura dhe lojërat elektronike të fatit duhet të vendosen në një distancë prej jo më pak se 500 metra nga shkollat ​​fillore dhe të mesme.