Hulumtimi i Metamorfozis: Stabiliteti nën kërcënim, manipulimi me informacionet dhe obstruksionet nga jashtë në RMV
Si një pikë interesi për superfuqitë botërore dhe si një vend ku korrupsioni lulëzon më së miri në këtë dekadën e fundit Maqedonia e Veriut është përballur me sfida domethënëse lidhur me Manipulimin me informacionet dhe me obstruksionet nga jashtë (FIMI). Edhe pse disa nga elementet kryesore janë të brendshme, pra kanë të bëjnë me […]
Si një pikë interesi për superfuqitë botërore dhe si një vend ku korrupsioni lulëzon më së miri në këtë dekadën e fundit Maqedonia e Veriut është përballur me sfida domethënëse lidhur me Manipulimin me informacionet dhe me obstruksionet nga jashtë (FIMI). Edhe pse disa nga elementet kryesore janë të brendshme, pra kanë të bëjnë me profesionalizmin e dobët të mediave dhe trazirat politike, mungesa e një reagimi koherent nga e gjithë shoqëria ka lejuar që FIMI të ndikojë në zhvillimin e vendit dhe kohëve të fundit të ndikojë sidomos edhe në marrëdhëniet ndëretnike, thuhet në Raportin e fundit analitik të Fondacionit Metamorfozis.
Në raport është theksuar se në dekadën e fundit institucionet shtetërore nuk kanë qenë shumë aktive në luftën kundër ndikimeve të huaja malinje dhe dezinformatave, edhe pse në vitin 2019 Qeveria demonstroi disa përpjekje të caktuara me propozimin e një plani konkret.
“Nga ana tjetër Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut ka qenë joaktiv gjatë gjithë procesit dhe deri më tani nuk e ka shqyrtuar çështjen e FIMI në asnjë seancë komisioni. Për momentin të paktën pesë komisione parlamentare kanë mandat për t’u marrë me çështjet e FIMI, por vetëm Komisioni i Mbrojtjes dhe Sigurisë ka shfaqur një interes të tillë”, shkruan Fondacioni Metamorfozis.
Nga atje shtojnë se deri më tani vetëm organizatat e shoqërisë civile janë angazhuar plotësisht në përballjen me FIMI, jo vetëm duke i verifikuar faktet dhe duke i zbardhur dezinformatat, por edhe me iniciativa për një qasje strategjike dhe sociale për t’i trajtuar FIMI jo vetëm si problem mediatik, por edhe si çështje sigurie. Fondacioni Metamorfozis ka qenë në krye të këtyre përpjekjeve duke inicuar një sërë rekomandimesh për aktorë të ndryshëm, përfshirë këtu edhe për Qeverinë, me mbështetjen e të gjitha shoqatave relevante mediatike dhe organizatave të shoqërisë civile.
Në raport përcillet paralajmërimi se taktikat aktuale të FIMI synojnë që ta minojnë Marrëveshjen Kornizë të Ohrit të vitit 2001 që u krijua për të siguruar marrëdhënie paqësore midis grupeve etnike.
“Narrativat manipulative integrimin në BE e portretizojnë si një kërcënim për identitetin maqedonas, duke ngjallur frikë nga humbja e identitetit të maqedonasve etnikë”, thuhet në raportin e Metamorfozis.
Nga atje theksojnë se për ta përfunduar fazën fillestare të bisedimeve për anëtarësim në BE vendi duhet ta ndryshojë sërish Kushtetutën dhe ta shtojë në të kombin bullgar, duke e vënë atë në pozitë të barabartë me kombet e tjera të shënuara në Preambulë. Krahas popullit maqedonas, në Preambulë tani janë përfshirë edhe shqiptarët, turqit, vllehët dhe romët. Qeveria e mëparshme tashmë ka propozuar një zgjidhje: të shtohen ” bullgarët, kroatët, malazezët, sllovenët, hebrenjtë dhe egjiptianët”. Megjithatë, duke pasur parasysh faktin se “për” ndryshimin e Kushtetutës duhet të votojnë dy të tretat e deputetëve, deri më tani propozimi nuk është vënë për diskutim për shkak se koalicioni i mëparshëm qeverisës kishte një shumicë të vogël në Kuvend. Nga ana tjetër, koalicionit aktual qeverisës i mungojnë vetëm dy vota për të siguruar një shumicë prej dy të tretash.
Sipas Metamorfozis narrativi rreth marrëdhënieve ndëretnike është se shqiptarët etnikë në Maqedoninë e Veriut do të përfitojnë më shumë nga anëtarësimi në BE, ndërsa maqedonasit do ta humbasin identitetin e tyre. Disa aktorë politikë ekstremë dhe antiperëndimorë e përdorin rregullisht këtë narrativ, duke rrezikuar kështu të shkaktojnë përçarje dhe paqëndrueshmëri të shtuar etnike.
“Për problemin ka kontribuar edhe retorika politike. Në këtë narrativ në fjalimet e tij publike e mbështetet edhe kryeministri Hristijan Mickoski, gjë që është shumë shqetësuese. Fushatat e fundit zgjedhore kanë shënuar një rritje të ndjenjës antishqiptare dhe narrativave përçarëse nga parti si VMRO-DPMNE (Organizata e Brendshme Revolucionare Maqedonase – Partia Demokratike për Unitetin Kombëtar Maqedonas) dhe E Majta. Në narrativin e përkatësisë etnike u mbështetën edhe disa parti politike të shqiptarëve etnikë, si BDI (Bashkimi Demokratik për Integrim) dhe AA (Aleanca për Shqiptarët). Këto narrativa e polarizojnë edhe më shumë popullatën dhe nxisin mosbesimin në institucionet perëndimore”, thuhet në vazhdim në raport.
Pastaj thuhet që fushatat dezinformative i shfrytëzojnë maksimalisht kanalet mediatike dhe platformat e mediave sociale me rregullim të kufizuar duke i shfrytëzuar boshllëqet në hapësirën informative.
Sa i përket sigurisë kibernetike vlerësohet se ajo vazhdon të jetë një sfidë e rëndësishme.
“Strategjia kombëtare për sigurinë kibernetike nuk është e zhvilluar mjaftueshëm dhe nuk i kushtohet vëmendje e mjaftueshme kërcënimeve të reja, përfshirë këtu edhe inteligjencën artificiale. Kjo e bën Maqedoninë e Veriut të ndjeshme ndaj shfrytëzimit të mëtejshëm nga aktorë keqdashës”, thuhet në raport.
Për t’u përballur me këto kërcënime Fondacioni Metamorfozis thekson se është e rëndësishme që institucionet kombëtare dhe evropiane të fokusohen në:
- Zhvillimin e një rregulloreje gjithëpërfshirëse që në mënyrë të veçantë i targeton FIMI. Kjo përfshin përforcimin e rregullimit mediatik dhe sigurimin e transparencës dhe lirisë së shprehjes. Është e një rëndësie qenësore që të caktohet një komision parlamentar me një mandat të qartë për t’i monitoruar çështjet që kanë të bëjnë me FIMI dhe për të siguruar një zbatim efektiv të kundërmasave.
- Fushata të rregulluara me rigorozitet dhe transparente për ta rritur ndërgjegjësimin e publikut dhe edukimin e qytetarëve për ndikimin e dëmshëm të huaj dhe për promovimin e edukimit mediatik dhe të menduarit kritik që do të ndihmojë në ndërtimin e një qëndrueshmërie sociale.
- Institucionet evropiane duhet ta mbështesin Maqedoninë e Veriut duke i ofruar asistencë teknike për krijimin dhe zbatimin e rregullores anti-FIMI.
- Përmirësimin e bashkëpunimit për sigurinë kibernetike dhe trajtimin e kërcënimeve lidhur me AI përmes projekteve të financuara nga BE-ja.
- Vazhdimin e iniciativave të mëparshme nga sektori civil dhe krijimin e bazës për një qasje sistematike ndaj përballjes me FIMI. Këtë proces duhet ta udhëheqë Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut.
- Inkurajimin e dialogut rajonal dhe inkurajimin e bashkëpunimit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe fqinjëve të saj.
- Është me rëndësi edhe që BE-ja të sigurojë që procesi i integrimit të mbetet transparent dhe t’i mbështesë përpjekjet e Maqedonisë së Veriut për të luftuar kundër FIMI, ndërsa njëkohësisht t’i adresojë edhe shqetësimet për identitetin kombëtar dhe integrimin.
“Është fakt se mbrojtja e stabilitetit dhe kohezionit social në Maqedoninë e Veriut kërkon përpjekje të koordinuara si nga institucionet kombëtare ashtu edhe nga ato evropiane”, thuhet në përmbledhjen e raportit me titull “Stabiliteti nën kërcënim – FIMI në Maqedoninë e Veriut”.